Politike

Rama: Nëse ulim taksat e naftës, do të na duhet të vendosim 20% TVSH për biznesin e vogël   

Kryeministri Edi Rama ishte me përfaqësues të biznesit të vogël në Durrës për të prezantuar pikat e Paketës së Rezistencës Sociale.

Duke shigjetuar protestat, Rama tha gjatë fjalës së tij se kriza aktuale është vetëm pasojë e luftës . 

Duke folur për një nga pikat e protestës të shoqërisë civile që lidhet me uljen e taksës së naftës, kryeministri tha se nëse kjo do të bëhet e mundur atëherë do të duhet të rriten taksat e biznesit të vogël.

Sipas tij, nëse do të ulet taksa e naftës do të duhet të rivendoset taksa e biznesit të vogël me 20% TVSH, siç ka qenë më përpara, dhe do të vendoset taksa mbi fitimin 10%.

“Nëse ne do të ulnim edhe taksat e naftës me çfarë do t’i financonim këto nevoja? Ka dhe një mënyrë tjetër të rrisim taksën e biznesit të vogël dhe t’ia vëmë 20% TVSH siç e kishte, përpara sesa ne të vinim, me këtë masë të re. Apo t’ia bëjmë 10 % taksën mbi fitimin? Apo dhe ata që kanë rrogat t’ja u vëmë 10% siç e kishim, patjetër që e kompensojmë”, tha Rama.

Sipas tij, rritja e çmimit të naftës apo ushqimeve po vjen si rezultat i luftës.

 “Nafta është një element goditës për ata që kanë makinë, por po kaq problem është edhe energjia, është problem për të gjithë. Kështu, ne i kemi vënë mburojë financiare çdo familjeje dhe biznesi të vogël, që paguajnë njësoj si para krizës. Janë para të vëna nga arka e shtetit ”, u shpreh ai.

Ai akuzoi Berishën se po nxit protesta mbi fakte të paqena.

 “Me një faturë me çmimin real të energjisë 95 mijë njerëz ne i nxjerrim në rrugë. Për çfarë, për të hequr taksën e karburantit? Për ata që shkojnë e ulërinë dhe nxjerrin fakte të paqena në protestë dhe i shtynë për të shtunën për të lejuar foltoret dhe fallaxhoret të organizohen dhe të furnizoheshin me naftë.  Jo 100 veta si mbrëmë por 100 mijë veta të vijnë nuk hiqet taksa  e karburantit. Jo se nuk dua unë, por nuk është e mundshme. Ai që i bën këto ai  nuk është udhëheqës i popullit të vet, por është nga ata udhëheqës që marrin në qafë popullin e tyre dhe ata që e kanë marrë më qafë popullin me gropat e Sudes e kemi ende gjallë mes nesh”, tha Rama.

Problemi më i madh sipas tij për qytetarët do të ishte rritja e çmimit të energjisë elektrike.

“Sapo ne dalim në fillim të javës së shkuar dhe themi se brenda javës do japim skenarët e zgjidhjeve çohen menjëherë lajmërojnë protesta dhe thonë po na iku edhe kësaj radhe nuk e kapim më. Ata pra që bien viktimë e këtyre njerëzve, aq sa i mirëkuptoj, aq u them se duhet të jeni të hapur për të dëgjuar faktet. Nuk duhet tu flas inati dhe emocioni. Deri dje e kishim naftën më të lartë për arsye që i kemi shpjeguar, sot ka ndryshuar gjëja, jo se e vendosi qeveria. Po të shikoni grafikun e rritjes së çmimit është komplet i përputhur. Ajo që ndodh me vendet më të mëdha çmimi ka shkuar edhe më shumë nga se e kishim ne në fillim. Sot problemi që kanë kompanitë është a do të kemi mundësi të sigurojmë prodhimin. Ndërkohë që nafta është një element goditës për të gjithë, problem është edhe energjia dhe ky është një problem për të gjithë. Ndaluam qe furtuna e rritjes së energjisë të prek familjarët dhe biznesin e vogël, por kjo nuk do të thotë se furtuna nuk ekziston. Nëse do të ulnim edhe taksat e naftës do të shkonim në falimentim menjëherë, me çfarë do i financonim këto nevoja?”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë