Analize

Pabesia e Besës

Fati i Besa Shahinit si Ministre e Arsimit ishte parashkruar që kur u emërua. Jetëshkurtër dhe pa asnjë gjurmë.

Nga vet ikja e shpallur, Besa u mundua të shpëtojë fytyrën nga shkarkimi dhe për ta bërë të falshme drejtimin e saj të dobët në arsim, i veshi si arsye largimi familjen ku publiku është gjithnjë i ndjeshëm.

Zgjedhjet personale dhe aq më tepër ato që kanë në bosht familjen, nuk mundet t’i gjykojë askush. Por Besa, në këtë mënyrë, i bishtnoi përgjegjësisë publike dhe politike për aq sa nuk ka bërë.

Zonja Shahini nuk arriti të nisë asnjë reformë në arsim dhe gjatë pandemisë u fsheh pas Facebook-ut. Të vetmet modele që ajo sugjeronte i “vidhte” nga Kosova. 

Fillimit të vitit të ri shkollor, kur pyetjet dhe dilemat shtohen, Ministrja e Arsimit ende në detyrë ka vendosur “t’i bëjë bisht”

Fati njerëzor dhe karriera e saj e mëtejshme pak njerëzve u intereson. Edhe si ministre ajo do të harrohet shumë shpejt, në mos ka njerëz që ende nuk e dinë se kush është Ministri i Arsimit në Shqipëri.

Por Besa Shahini, për mënyrën sesi u zgjodh dhe si kërkon të ikë, nuk mund të harrohet lehtë, e madje duhet mbajtur mend nga ata që e zgjodhën sepse modeli i saj nuk funksionoi.

Zonja Shahini, mes disa arsyeve të vakta dhe që nuk bindnin që në fillim, u zgjodh si model përfaqësimi politik që shprehte e jetësonte interesat në Shqipëri e Kosovë.

U gjet një lloj modeli ekspozimi për kauzën më të lartë të shqiptarëve atë të bashkimit. Por edhe këtë kauzë ajo nuk e mbrojti dot kur tha se nuk jetonte dot mes Shqipërisë dhe Kosovës ndaj do të largohet nga Tirana.

Me zgjedhjen e Besa Shahinit, mazhoranaca e zotit Rama u mundua të krijojë modelin e prurjeve të reja në qeverisje pa nevojën e një stazhi publik dhe politik. Duke besuar tek fryma e të rinjve të papërlyer maxhoranca nisi të rrëzoj modelin tradicional dhe në dukje të ngurtë për të krijuar një tjetër të bazuar vetëm në merita të karrierës individuale.

Besa Shahini u zgjodh si bindje politike se për raste të tilla nuk ka nevojë për merita, kredi politike dhe publike.

Por koha tregoi të kundërtën.

Besa Shahini, përtej një angazhimi intelektual brenda kufijve të karrierës së saj individuale, nuk ishte e dallueshme për asgjë tjetër.

Në Shqipëri ajo u përfshi me sforco në të vetmin debat publik të imponuar nga protesta studentore e 2018-s, e ndihmuar pa masë atë kohë edhe nga kryeministri Rama. Gjatë punës së saj si ministre, ajo nuk mbrojti asnjë platformë e nuk iu dëgjua as edhe një model që ta mbështesnin.

Në fund të fundit publiku shqiptar as e njihte dhe as e kishte zgjedhur.

Për këtë arsye “tradhtia” e Besa Shahinit ishte e pritshme sepse ajo nuk ishte në asnjë moment nën presion se mund të humbiste investimin politik, pasi nuk e kishte një të tillë më parë kur hyri në qeveri.

Nuk mund të kuptonte dhe as të ndjente përgjegjësinë e elektoratit të majtë pasi nuk ka punuar me të dhe as e njihte atë. Ajo nuk mund të kuptonte përgjegjësinë publike edhe pse ishte në sektorin më të rëndësishëm, pasi nuk kishte premtuar. 

Besa Shahini tha vetë se nuk do të përfshihet në fushatë duke e shprehur qartë se ajo s’ka asnjë lloj detyrimi. Por fushatat nuk janë lëvizje politike ku vetëm premtohet e për pasojë meqë nuk do jesh, nuk ke pse e thua. Fushatat janë së pari një proces llogaridhënie ku më pas kërkohet edhe përgjegjësi. Këtë nuk kishte kuptuar, jo për faj të saj Besa, ndaj çedoi.

Një qeverisje e mirë vjen edhe nga zgjedhjet politike të mira. Ndaj publiku është i interesuar jo vetëm për një moment, por një proces të tërë përzgjedhjeje në qeverisje. Një proces që bazohet mbi merita të gjithanshme dhe transparente, sepse kështu fiton garanci dhe beson.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë