Në ditën e parë të rihapjes së shkollave, një prej emrave të Qeverisë “Rama” që përflitej se do të largohet nga kabineti ka dhënë dorëheqjen.
Besa Shahini është larguar beftas nga drejtimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve duke ja lënë këtë post Evis Kushit, deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit.
Shahini ka qenë një prej emrave më të shënjestruar nga ana e opozitës për menaxhimin e situatës së Covid-19 në institucionet arsimore dhe për ndërhyrjen, sipas Partisë Demokratike, në autonominë e universiteteve.
Vetë ministrja Shahini e paralajmëroi largimin, kur në një intervistë televizive deklaroi se do të largohej në fund të mandatit nga Shqipëria dhe se nuk do të angazhohej në fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit.
Kryeministri Edi Rama tha se largimi i Shahinit nuk lidhej me performancën e saj në krye të Ministrisë së Arsimit, por me arsyet familjare të tashmë ish-ministres, që sipas kreut të Qeverisë krijimi i familjes së ja kërkon që më shumë kohë të kalojë në Prishtinë sesa në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.