Kinema

Oscar 2019: ‘Green Book’ ndër fituesit më të këqij në histori

Viggo Mortensen majtas si Tony Vallelonga dhe Mahershala Ali si Dr. Donald Shirley në filmin “Green Book”, me regji nga Peter Farrelly. (Universal Pictures)

“Green Book” është fituesi më i keq i kategorisë së “Filmit më të Mirë”,  në historinë e çmimeve Oscar, që prej filmit “Crash”. Ashtu si ai film i 2005-ës, edhe kjo dramë mes miqësisë ndër-racore, është një poçe balte e maskuar si një degë ulliri. E redukton historinë e gjatë, barbare dhe që ende vijon të racizmit amerikan në një problem, formulë, ekuacion dramatik që mund të ekuilibrohet dhe zgjidhet. “Green Book” (Libri i Gjelbër) është një turpërim; përqafimi i padyshimtë i industrisë së filmit, është një tjetër. Dallimi mes dy filmave është po aq tregues sa edhe ngjashmëritë. “Crash”, një festë e zhurmshme e ditëve moderne që grumbullon tensione ndërkulturore në çast, kishte për qëllim të të linte të zemëruar dhe të dërrmuar.  Triumfi i tij ishte një tronditje; qartazi kishte fansat e tij, por për shumë të tjerë, inferioriteti i tij ishte i dukshëm.

Regjisori Peter Farrelly dhe kasta e “Green Book” ndërsa fitojnë Filmi më i mirë, në edicionin e 91-të të Çmimeve të Akademisë, ditën e diel. (Robert Gauthier / Los Angeles Times)


 “Green Book” i vendos ngjarjet në Jugun e vitit 1962 dhe has vështirësi të të sjellë në humor të mirë. Fitorja e tij është e tmerrshme,  por larg prej tronditëses: nga momenti që fitoi Çmimin “Zgjedhja e Popullit” në Festivalin e Filmit në Toronto, në shtator, i pari tregues se do të vazhdonte rrugën në ceremoninë e Oscar-ëve, filmi ishte qartazi një markë diç më e pëlqyeshme e së pakëndshmes. Rrëfimi i  historisë së pianistit të shkëlqyer, xhazistit erudit, Don Shirley (Mahershala Ali), i cili shoqërohet në timon në koncertin e tij në jug nga një mburravec kokëtrashë italo-amerikan me emrin Tony “Lip” Vallelonga (Viggo Mortensen), “Green Book” na servir klishe dhe stereotipa me një karagjozllëk, që pothuajse kualifikohet si çarmatosës.

Mortensen dhe Ali, i cili fitoi një Oscar si aktori më i mirë joprotagonist, janë performues të shkëlqyer me një kimi të pamohueshme dhe koordinim elegant. Filmi shllapuritet në baltën e epërsisë së bardhë, hedh disa anekdota drithëruese, gulçon në tmerrin e abuzimit dhe poshtërimit të burrit të zi (ndërkohë që mban një largësi të sigurt dhe me shije prej tij) e më pas gërmon për një grimë ekzaltimi që të të shpjerë në shtëpi me pak shenjë virtyti,  për t’u kombinuar me atë buzëqeshjen në fytyrën tënde.

Mund të them se i kam mërzitur deri tani shumë prej jush, megjithatë nëse fyheni më shumë nga kjo çka kam shkruar sesa nga “Green Book”, nuk ka shumë për të thënë. Dallimet në shije nuk janë gjë e re, por ka diçka rreth zemëratës dhe qasjes mbrojtëse, provokuar nga ky film i veçantë,  që e bën mosmarrëveshjen e arsyeshme zakonisht të vështirë. Mbase “Green Book” vërtet është filmi i vitit në fund të fundit – jo më i miri, por ai që mbërthen më së miri polarizimin që ngrihet sa herë që diskutimi ndryshon drejt çështjeve si raca, privilegji dhe pyetja e rëndësishme se kush e rrëfen historinë e tyre.

Do t’ua lejoj kaq admiruesve të filmit: Ata me shumë të drejtë e dashurojnë mjeshtërinë energjike të filmit, rrëfimin që të bën të ndihesh mirë dhe performancat e sinkronizuara hijshëm. Ata e vlerësojnë portretizimin e drejtpërdrejtë të Jugut të ndarë dhe,  e gjejnë lutjen e tij për mirëkuptim reciprok sa të duartrokitshëm aq edhe ngushëllues. E di se flas për disa kritikues të filmit kur them se,  e shoh këtë lutje njëherazi të pasinqertë dhe dëshpërimisht prapanike, një ideal i metë i pajtimit racor, mbështetur nga një histori , që shpaloset thuajse plotësisht , nga perspektiva aspak interesante e protagonistit të bardhë.

Viggo Mortensen dhe Mahershala Ali, në filmin “Green Book”, fitues i Oscar-it si Filmi më i mirë

“Green Book” është krahasuar shpesh jo me “Crash”, por me një fitues më të vjetër të Oscar-it si  Filmi më i Mirë, “Driving Miss Daisy,” i  vitit 1989, një tjetër film që përpiqej të ndërtonte ura mes ndarjeve racore,  përmes historisë së një shoferi dhe punëdhënëses së tij, në Jugun e Amerikës. “Driving Miss Daisy” është përshtatur nga drama e Alfred Uhry-it; “Green Book” është shkruar nga Nick Vallelonga, së bashku me Brian Currie dhe Farrelly, nxitur nga historitë që kishte dëgjuar prej të atit, Tony-it. E vërteta e këtyre historive është vënë shumë shpesh në pyetje,  edhe nga familja  e Shirley-it, me të cilën nuk u konsultua gjatë prodhimit dhe që,  e hodhën poshtë filmin si “një simfoni gënjeshtrash”.

Saktësia historike është, padyshim, vetëm një kriter nga i cili gjykohet narrativa e nxitur prej ngjarjeve  të vërteta dhe filmi mundet, teorikisht, të luajë shpesh dhe lirshëm me faktet dhe sërish të arrijë në një vend ku të imponojë të vërtetën emocionale. Shtrembërimet dhe lëshimet mund të jenë interesante për sa kohë zbulojnë qëllimet e kineastit dhe “Green Book,” ju pëlqen apo jo, nuk tregon ndonjë kujdes të veçantë  rreth inteligjencës suaj. Në këtë prezantim të njëanshëm dhe filtrimin e hamendësuar të perspektivës së Shirley-it përmes Vallelonga-s, filmi kutërbon keqbesim dhe mishëron, pa e kuptuar,  sjelljen e epërsisë së të bardhëve që gjoja qorton.

Mahershala Ali u shpall fitues i Oscar-it si Aktori më i mirë joprotagonist, në filmin “Green Book”

Kjo padije është dokumentuar mirë. Më herët, gjatë këtij sezoni, kritiku i “Vanity Fair” K. Austin Collins vuri gishtin tek vreri i një kineasti të bardhë që gëzueshëm psikanalizonte tehuajësimin e një burri të zi nga përkatësia e tij (veçanërisht kur merr formën e shakasë rreth Aretha Franklin apo pulës së skuqur). Mark Harris i “Vulture” gjithashtu e përshkroi “Green Book si “por megjithatë një film, një film i të dy anëve”, që heq një ekuivalente të rreme mes talljes vulgare të Vallelonga-s dhe naivitetit emocional të Shirley-it, duke i detyruar të dy personazhet – jo vetëm racistin e bardhë – të mësojnë rreth vetes dhe tjetrit. Është një taktikë, vërente Harris, jehona e së cilës mund të gjendet edhe në filma më të vjetër të hatashëm ( dhe fitues në Oscar ) si “In the Heat of the Night,” dhe ekziston kryesisht që të sigurojë çdo lloj audience se,  mund të jetë e parehatshme që një burrë i zi të fitojë terrenin më të lartë të moralit.

Do të shpresonit se më 2019-ën – madje në një film të vendosur në vitin 1962 – këto lloj ndihmash strategjike do të ishin gjë e së shkuarës. Por në “Green Book”, do të na neveritej veçanërisht sesa mizorshëm është pajisur kundër Don Shirley-it. Një film më i sinqertë, kompleks dhe mendjemprehtë mund të kishte marrë përsipër rrezikun e të bërit historinë e Shirley-it, duke lënë pjesën më interesante të këtyre dy personazheve të rrëshqasin në ndenjësen metaforike të shoferit. (Fakti që Ali u shty si aktori joprotagonist,  ndaj fushatës udhëheqëse të Mortensenit tregon gjithçka rreth rrugës së gabuar.) Por nuk ka asnjë skenë të vetme që ndihet origjinale si e vetë personazhit, që flet rreth përvojës së Shirley-it dhe të askujt tjetër.

Inteligjenca dhe diksioni elegant i tij është vazhdimisht i tjetërsuar. ( Inferioriteti intelektual i Vallelonga-s vihet në lojë gjithaq, por simpatia e filmit nuk mund të jetë më e qartë,  se është në anën e tij). Filmi përpiqet pak për të analizojë apo vlerësojë në mënyrë kritike talentin e tij muzikor; madhështia artistike e Shirley-it, ashtu si alkoolizimi apo homoseksualiteti i tij, është menduar interesant vetëm për aq kohë sa ndryshon mendimin e Vallelonga-s rreth tij. Është treguese se ajo çka duhej të ishte skena më emocionalisht tronditëse e Shirley-it – ai goditet sepse bën seks me një burrë tjetër në një dush të YMCA – bëhet në fakt qortimi më i madh i filmit. Nëse do të dish sesi ngjan mungesa më e thellë e dhembshurisë, hidhini edhe një sy tjetër skenës kur Vallelonga bisedon ëmbël me policët ndërsa, në sfond, një burrë i zi, lakuriq, rri i ulur me pranga në dush, i tmerruar dhe i poshtëruar.

Trailer i filmit “Green Book”

Është çuditërisht trazuese që Ali – i cili ka fituar Oscar-in e parë në rolin joprotagonist për filmin “Moonlight” më 2016-ën, një portret i bukur i mashkulloritetit të burrit të zi gay – ka fituar tani një çmim tjetër për interpretimin e një burri të zi gay, në një film që ka aq pak respekt për identitetin e tij. Ka edhe një ironi më të kobshme në faktin se Akademia, e cila hodhi një terren të ri duke i dhënë nderimin më të lartë “Moonlight”-it, dy vjet më parë, e ka parë të pranueshme të japë të njëjtin çmim një filmi që është antiteza e plotë estetike, emocionale dhe morale e “Moonlight”.

Një gjë është ta pëlqesh “Green Book”, por kërkon një palë pafta tejet specifike për ta shpallur si arritjen më të mirë kinematike të vitit, mes shumë alternativave më të mira të këtij viti, me filmin e fortë dhe provokues të Spike Lee-së, “BlacKkKlansman”, mes tyre. Fakti se Akademia përqafoi “Driving Miss Daisy” në të njëjtin vit që shpërfilli madhështorin e Lee-së, “Do the Right Thing” i jep transmetimit të Oscar-ëve të së dielës një domethënie të pështirë të historisë që përsërit veten: “BlacKkKlansman” të paktën mori kandidime për filmin më të mirë dhe regjinë, por në fund i humbi ato.

Për të mos folur rreth të kandiduarve të kategorisë së Filmit më të Mirë si;  “Black Panther”, suksesi i rrallë i Hollivudit që shqyrton nuancat e identiteteve afrikane dhe afro-amerikane, pa shqetësimin e tepruar për një pikë hyrjeje të audiencës së bardhë  apo filma të tjerë mendjemprehtë rreth drejtësisë racore si;  “If Beale Street Could Talk,” “Sorry to Bother You,” “Support the Girls” dhe “Widows,” të cilët votuesit nuk do të bezdiseshin po t’i kishin kandiduar për kategorinë “Filmin më të mirë”, duke hamendësuar se i kanë parë në fillim si pretenduese. (Filmi më i mirë i miqësisë ndër-racore , meqë ra fjala, nuk ishte “Green Book”; ishte shkëmbimi mes Viola Davis dhe Elizabeth Debicki tek “Widows.”)

Michelle Rodriguez, majtas Viola Davis dhe Elizabeth Debicki interpretojnë në filmin “Widows” (Vejushat).


Gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim do të ketë padyshim shumë që do të teorizojnë rreth asaj që ndodhi. Disa do të zerojnë dështimin e Akademisë, shija e së cilës qartazi nuk ka evoluar siç do të sugjeronte anëtarësia e saj e diversifikuar dhe ndërkombëtarizuar, menjëhershëm. Ende të tjerë do të tundohen të identifikojnë një lloj rryme kokëfortë të një anti-intelektualizmi Trump-ian mes admiruesve të filmit “Green Book” që ngulin këmbë në mbrojtje të të preferuarit të tyre, të shumëpërfolur. Mund të kenë një kuptim. Mbetem optimist se, ashtu si me fitoren që mbahet mend për keq, të “Crash”, kurorëzimi i “Green Book” do të dalë të jetë jo një ri-fortifikim,  por një fat katastrofik – lejimi i fundit i Akademisë (deri tani) të atij porcioni të audiencës së bardhë që shkon në kinema,  që ende beson se historitë e drejtësisë dhe përparimit do të negociohen gjithnjë sipas kushteve të tyre. Ashtu si Shirley i thotë Vallelonga-s në fillim të filmit “Green Book”: “Ti mund të bësh më mirë”. Vërejtja e tij mund të shtrihet gjithashtu tek filmi në të cilin ai është pjesë  dhe tek një trupë votuese,  mjaftueshëm budallaqe  që e nderon.

Justin Chang/ Los Angeles Times

Më Shumë