Vende dhe Udhetime

Ohri i parë me sytë nga përtej 


Kapka Kassabova - Qëndroj në gjunjë në liqenin  Ohrit, mes varkave të ankoruara në plazhin Kaneo. Uji është i tejpashëm dhe varkat duket sikur pluskojnë në ajër. Për shekuj, ka qenë komunitet peshkatarësh brenda qytetit të vjetër të Ohrit dhe Kaneo ende erëmon prej rrjetash të lagështa. I vetmi tingull është ai i ujit që pikon nga një burim, në shpellën që gjendet në këmbët e shkëmbit të bardhë. Për mëse njëmijë vjet, murgjit dhe murgeshat kanë jetuar në shpella natyrore, brenda shkëmbinjve porozë. Më i fundmit, Kalisti, u shqua së fundi, më 1937-ën.  I vendosur  në jugperëndim të Gadishullit të Ballkanit, liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të mëdhenj të Europës dhe, diku mes një dhe tre milionë viteve, një nga më të vjetrit në botë. Është një diamant i vendosur në një peizazh madhështor, i sunduar nga rrugë të larta dhe i rrahur nga erërat e ngrohta të Adriatikut dhe Egjeut, i lidhur përmes kanalesh të nëndheshëm, me shokun e tij, mbi male, liqenin e Prespës.

Në lashtësi, liqeni banohej nga ilirët dhe maqedonasit e helenizuar: Sot rajoni i liqenit mbrohet nga Unesco dhe ndahet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ime gjyshe, Anastasia, u rrit mes Ohrit dhe Sofjes. Në fëmijëri, njëherë në disa vjet, hipnin në Skoda-n e familjes dhe udhëtonim, në rrugën e gjatë dhe me gropa, nga Sofja në Shkup, përmes perdes së hekurt që ndante Bullgarinë nga Jugosllavia (pjesë e së cilës qe atëherë Maqedonia) dhe pastaj në jug, drejt Ohrit. Si fëmijë i viteve ’80, qëndroja mes varkave, në atë që për mua qe liqeni i sime gjysheje dhe kundroja së largu, bregu jugor. Ashtu siç po qëndroj tani. Heshtja thyhet nga një shpërthim muzike, prej njërës nga varkat e mëdha me turistë, që përshkojnë liqenin, gjatë verës. Mund të radhis fjalët e një kënge të njohur popullore, kushtuar grave të Maqedonisë kozmopolite: “Makedonsko devoyche, kitka sharena. “Vajzë maqedonase, je gonxhe shumëngjyrëshe”. Refreni pavarësisht qëllimit kremtues, kumton humbjen:  “Kurrë nuk do të ketë një vajzë më të dashur se ti, vajzë maqedonase”.  Kënga gjithnjë më bëhet komb në grykë.


"Kur isha fëmijë, qëndroja  në molin e Ohrit, shihja dritat e largëta të Pogradecit dhe zotohesha se do ta kaloja kufirin, një ditë", Kapka Kassabova

Ngjis shtegun e gurtë drejt majës së shkëmbit, gati të shoh gjyshen të ulur ndanë qiparisave, pranë emblemës së liqenit të Ohrit, Jovanit të Kaneos, një kishë modeste, e ndërtuar shtatë shekuj të shkuar, nga dy vëllezër armenë.  Kjo qe pika e saj e parapëlqyer, liqeni nën këmbë si një krater drite, malet blu të Shqipërisë në jug dhe në mes, perdja e hekurt e padukshme, që rrinte varur mbi tokë dhe përqark ujit. Më tërheq ende liqeni, si një fushë magnetike. Me secilin kthim kërkoj ende një copëz tjetër që mungon – në historinë e liqenit, të familjes sime dhe të Ballkanit, çjerrë prej kufijsh, si ai që ndau Maqedoninë me Shqipërinë. E kanë ndarë liqenin për  45 vjet, si të ishin dy planetë të ndryshëm. Edhe nga pika jonë e përparësisë në Bullgari, një vend i mbyllur komunist deri më 1989-ën, Shqipëria, me kufijtë e mbyllur hermetikisht, ishte enigmë. Perdja e hekurt nuk qe dyjare – ishte labirint ndarjesh dhe nënndarjesh, për ata që ishin pas saj. Na ndalonte të shihnin dhe dinim jo vetëm rreth  Perëndimit, por edhe rreth fqinjëve tanë dhe vetes. Kur isha fëmijë, qëndroja  në molin e Ohrit, shihja dritat e largëta të Pogradecit dhe zotohesha se do ta kaloja kufirin, një ditë. Ajo kohë erdhi. Fare pak kishte ndryshuar në Lin, për dekada.

Së pari, do të doja të shihja sesi ishte jeta në anën e liqenit, qëkur perdja e hekurt ra. Pak dukej se kish ndryshuar. Duke lënë pas shtëpitë pranë njëra-tjetrës në Kaneo, u nisa drejt sheshit të Shën Sofisë, zemra e qytetit të vjetër të Ohrit, lart e poshtë rrugicave ku perdet dridhmojnë, kur kaloj. Ka kopshte me trëndafila dhe shtëpia të bukura të lyera me gëlqere, me kate të dyta të mbyllura në dru dhe dritare që mbërthejnë dritën liqenore. Në çdo qosh, duket se ka nga një kishë mesjetare; liqeni i Ohrit njihej dikur si Jerusalemi i  Ballkanit, për 365 kishat e tij, një për çdo ditë të vitit. Janë emërtuar sipas personazheve të rrëfenjave të pasura, të Ortodoksisë së Lindjes: Shën Dhimitri, Shën Konstandini dhe Elena, Shën Kozmai dhe Damiani dhe, në portat e  ulëta të qytetit, kur ardhacakët në Mesjetë futeshin në karantinë, në kohëra murtaje,  janë  kishat-spitale të Shën Mërisë dhe Shën Nikollës së “të sëmurëve”. 

Qyteti i Ohrit u ndërtua në vendin e qytetit antik të Lyhnidës, i cili, sipas mitit grek të krijimit, Kadmi dhe Harmonia e themeluan pasi u larguan nga Teba. Data e saktë e krijimit është e panjohur, por një pjesë e një lapidari me datim, nga ditët para perandorisë Romake, pohon se  “LYCHNEIDION HE POLIS”,  Qyteti i Dritës, ishte aty në shekullin e tretë, para Krishtit. Ka qenë vazhdimisht i banuar nga ajo kohë – përveç një ndërprerjeje në shekullin e gjashtë, kur murtaja, tërmetet dhe fiset pushtuese sollën shkatërrimin. Disa prej fiseve si sllavët qëndruan dhe i dhanë liqenit emrin e ri: Ohri do të thotë “mbi kodër”. Në shekullin e nëntë, liqenet binjakë u bënë një nyjë e letërsisë dhe Iluminizmit sllav, falë një grupi misionarësh sllavë që udhëhequr nga murgjit bullgarë, Klementi dhe Naumi. Ata ishin dishepuj të Cirilit dhe Metodiusit, që krijuan shkrimet glagolitike, një pararendës i alfabetit cirilik që përdoret sot nga një çerek miliardë njerëz në Europë dhe Azi. Një udhërrëfyes i moshuar, më një shall kashmiri e plotëson pensionin e tij të vogël, duke i shëtitur turistët rreth Shën Sofisë – që tani është kthyer muze, si adashja e saj në Stamboll.

“Kam lindur në Pogradec nga dy prindër, prej anëve të ndryshme të kufirit”, Tanasi

Më pyet se e kujt familjeje jam dhe qeshet, kur dëgjon mbiemrin Bahchevandjiev.  E pyes për emrin e tij. “Mustafa Shain,”  thotë, duke më dhënë dorën. “Do të të tregoj afresket”. Një turk vendas që u rrëfen vizitorëve trashëgiminë e krishterë të qytetit – kjo është ndodhi e zakonshme ohriniane. Familja e gjyshes sime pat jetuar me një bujtinare turke gjatë luftës dhe,  gjyshja ime i gëzohej dhuratave të dasmës, prej saj: një palë shtroja mëndafshi në nuanca të  blusë  arabike. Përzierja e paganizmit dhe monoteizmit, Islamit  dhe Krishterimit Lindor, ka rezultuar në një sinkretizëm zakonor, të mishëruar në Xhaminë e Kryqit, në qytetin e ri. Rrëfehet një histori se, kur po ndërtohej, minaret rrëzoheshin, derisa dikush hodhi idenë t’i shtonin majës një kryq. Qëndron ende sot e kësaj dite. Më 1660-ën, Evliya Celebi, kronikani osman i udhëtimeve, pa të krishterët që pranoheshin për të kryer lutjet, brenda Shën Sofisë, megjithëse ishte kthyer prej kohësh në xhami. Me harqet e saj të bukura dhe kolonat e ricikluara nga një kishë më e hershme sllave, Shën Sofia bojëtrëndafili ndali së funksionuari si faltore, në mes të shekullit të 19-të, për t’u kthyer në një dyqan armësh. Me të gjitha luftërat që erdhën pas, nuk ishte kurrë pa punë.

Në këto kohë, në verë, brenda kolonave organizohen koncerte me muzikë klasike. Mustafai dhe unë qëndrojmë mbi një pus qelqi, që tregon themelet e vjetra. “Por jo më të vjetrat. Ato nuk janë gërmuar ende”, thotë ai. E lë tek disa gra të mbuluara, të cilat hamend se janë turiste turke – derisa bëjnë përpara dhe flasin rusisht. Me shpresën t’i qasem Shqipërisë nga uji, e lë të takohem me Tanasin (nuk është emri i tij i vërtetë) në varkën e tij, pranë urës në Strugë, qyteti fqinj ndanë liqenit. Gjysma e popullsisë së tij është e përbërë prej shqiptarësh etnikë. Burrat me feste të bardha shëtisin përgjatë lumit Drin. Gratë ecin ndarazi, ato më të vjetrat janë krejt të mbuluara, sipas Islamit konservator. Më të rejat kanë veshur xhinse të ngushta dhe bluza pambuku. Tek ura shoh lumin që del nga liqeni me gjallëri të kristaltë. 

Tanasi është 70 vjeç, me lëkurë të regjur nga dielli si e të gjithë varkarëve të liqenit. Ka diç të vrazhdë tek ai, si jashtë harmonisë me mënyrat sensuale, mesdhetare, të liqenit. “Kam lindur në Pogradec nga dy prindër, prej anëve të ndryshme të kufirit”, thotë ai, “pak para se të mbylleshin kufijtë”. Në fund të viteve ’40, shumë shqiptarë rrezikuan jetën për t’iu arratisur regjimit të dhunshëm të Enver Hoxhës, duke kaluar kufirin. I ati i Tanasit ishte mes tyre. I vijmë rrotull bregut perëndimor, pranë kallamishteve, ku peshqit lëshojnë vezët. Në tokë, shtëpitë duken si grumbuj në rrugët e errëta, të pikëzuara nga një minare e bardhë e çuditshme; fshatrat janë fe përzier. Në bregun lindor, Mali i Thatë (2254 metra) sundon liqenin. Nga maja e tij mund të shohësh të dy liqenet. Pas arratisjes së të atit në Jugosllavi, familja e Tanasit u shpallën armiq të shtetit. “Po nëna jote?” e pyes. Moti u kthye. Valët, po aq të qëndrueshme sa betoni, përplasen në varkë. “I ofruan faljen, nëse do ta denonconte babain”, përgjigjet Tanasi. “Por ajo tha: “Ai është armik për ju, por ka qenë i mirë për mua.” Më 1991-shin, kur u hapën kufijtë, ajo eci deri në pikën kufitare të Shën Naumit, në skajin jugor të liqenit. I shoqi po e priste nga ana tjetër. “Por nuk e njohu”, thotë Tanasi. “Kishin kaluar 45 vjet.”

Tanasi fik motorin. Jemi afër mesit të liqenit, larg prej çdo bregu. E ndjej tani: 288 metra uji të ftohtë e të murrmë poshtë nesh, që mbulon sekretet e tij –avionë luftarakë, eshtra njerëzish, vendbanime neolitike, statuja të hedhura nga regjimet e shkuar.  Kufiri ujor është 400 metra më tutje”, thotë Tanasi, por kur i kërkoj ta kapërcejë, ai refuzon; policia patrullon anën Maqedonase dhe nëse na kapin ai do të humbiste lejen. “Gjatë luftës së Kosovës, kishte shumë trafikantë droge dhe qeniesh njerëzish dhe ata i ashpërsuan kontrollet e kufirit”, më thotë. “Lufta e Kosovës ndoqi konfliktin e vogël dhe të rrezikshëm civil në Maqedoni, më 2001-shin, i fundmi në agoninë e një dekade të Jugosllavisë. Ishte i katërti në veri, pranë kufirit me Kosovën dhe u mbyll këtu, në marrëveshjen e Ohrit. Por në vrullin e ligjit të kufirit, është më e lehtë për një kufi që të ngrijë sesa të shkrijë – edhe në ujëra,  ku ekziston vetëm në kokat tona. Kthehemi me erën që na rreh fytyrat, duke lënë pas manastirin e Kalishtës me Virgjëreshën e tij të Zezë, “Mrekullibërëse”, të sjellë aty nga një murg mesjetar nga Mali i Atosit dhe që,  besohej se kuronte shterpësinë dhe sëmundjet. Sipas legjendës, ajo u hodh tri herë në liqen nga ushtarët dhe në secilën herë, notoi duke u kthyer në vend.

Nemmah Vasic, një murg nga manastiri i Shën Naumit, pranë kufirit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.


Ditën tjetër, bëj një përpjekje tjetër për të hyrë në Shqipëri, kësaj here me makinë. E hutuar nga sinjalet rrugore, marr rrugën ndanë liqenit dhe përfundoj në fshatin e fundit peshkatar në anën maqedonase. Rrugica vertikale prej guri të latuar të çojnë drejt një shpelle-kishë të pikturuar, e shekullit të 13-të e Krye Engjëllit, Mikail. Në më të shumtën e afreskeve pranë liqenit, sytë e figurave janë gërryer – si akt vandalizmi, por edhe si besëtytni: fshatarët besonin në fuqinë shëruese të bojës dhe e kapërdinin si pelte. Por këtu sytë e krye engjëllit ishin kursyer – megjithëse çdo herë që i shoh, duket sikur hapen dhe mbyllen, si të ishin të gjallë. Nga lart në shkëmbinj, mund të shoh të gjithë liqenin, që rrëzëllen nga drita e diellit dhe vendet në ku bashkohen erërat, vizatohen shifra mbi ujë. Pak më lart, mbi fshat janë rrënojat e  “Via Egnatia”,  një rrugë legjendare, kryesisht përgjegjëse për historinë e gjatë të liqenit,  në tregti dhe pushtime. E ndërtuar në vitin  146 para Krishtit për të lidhur Dyrrahiumin  (Durrësin)  në Adriatik me Selanikun në Egje dhe Kostandinopojën në Bosfor, shërbente si arterie e gjallë mes Lindjes dhe Perëndimit – derisa ra në gjendje të keqe, nën osmanët. Tanimë vetëm seksione të shkurtra kalldrëmesh të saj, kanë mbijetuar, “Kishte më shumë prej saj gjatë fëmijërisë sime, por njerëzit i përdorën për hangarët e tyre”, thotë një burrë me mushkë, i vetmi njeri që shoh në pyllin kufitar.  

Kështu ngjan historia në terren: jo një paradë ngjarjesh të mëdha, por një zinxhir i qetë riciklues. Pika kufitare në malin Kafasan është e fjetur, por historia e saj, jo. Ka qenë kufiri mes Ilirisë dhe Maqedonisë, një pikë grumbullimi për kusarë dhe guerilë, ushtri dhe tregtarë. Në pikën e kalimit, dy rrugë gjarpërojnë poshtë kodrës – në lindje drejt liqenit dhe në perëndim drejt Adriatikut. Ka dhi të shpërndara nëpër shkrepa dhe bunkerë mes  tyre. Një shtatore e re e Nënë Terezës, një shqiptare e lindur në Shkup – asokohe Maqedonia Osmane – qëndron në kryqëzim, me duart në pozicion lutjeje.  Nën regjimin e Enver Hoxhës, çdo shprehi e besimit fetar ndëshkohej ashpër, kishat dhe xhamitë u shkatërruan dhe i vetmi adhurim i lejuar ishte Enverizmi. I pari fshat peshkatarësh në anën shqiptare është Lini. Për të mbërritur deri aty, ngas duke lënë pas fushat ku gratë e moshuara me funde të gjata fshatare janë përkulur në të nxehtin e pasdites, duke prashitur me dorë. Megjithëse topografia e liqenit është e ngjashme në këtë anë, ndihet ndryshe, sikur koha të ishte ndalur këtu dhe po përpiqej të arrinte. Në Lin, një fshat i qetë i zbutur prej vreshtave, ulem në një tarracë restoranti, mbi ujë dhe,  ha troftën me mish delikat të Ohrit, ndjekur nga një copë keku me limon. Kamerieri flet italisht dhe sallta është e spërkatur me rigon; flladi nga Adriatiku është më i qartë këtu.

“Kur ishim fëmijë shkonin në plazh duke kërkuar për kanoçe Coca-Cola nga ana jugosllave. Shihnim dritat e Ohrit dhe dëshironim të shkonim atje.” Andi Kosta

Përgjatë liqenit, djemtë në rrugë mbajnë në duart trofta, për shitje. Peshku është dukshëm i rrezikuar nga ana maqedonase, por jo këtu, ku peshkimi mbetet një çelës për jetesën. Një hekurudhë e dalë jashtë funksionit ecën paralel me rrugën. Lidhte dikur liqenin me pjesën tjetër të vendit – por pas kolapsit civil të Shqipërisë, më 1997-ën, u bë shumë e rrezikshme. Minierat e braktisura të nikelit, janë pa çati në kodrat e kuqërremta, një peizazh gotik shkretie. Por rruga është e gjerë dhe e re, me hapësira për t’u ndalur e për të vëzhguar kallamishtet apo të kridhesh, i patrazuar. Më në fund kam mbërritur në Pogradec. Është qytet i këndshëm me një brendi, prej historie të lashtë që përfshin varret monumentale ilire të Selcës, në malet atypranë ( të vizitueshme vetëm me guidë).  Megjithëse qendra është e shfytyruar nga blloqe gri, të periudhës komuniste dhe e rrethuar me dyqane që shesin mallra të dala mode, qyteti i vjetër i ka ruajtur portat e harkuara të periudhës osmane dhe bimët kacavjerrëse. Në dekadën e fundit, janë bërë përpjekje për të stolisur bregun e liqenit dhe për ta kthyer në zonë këmbësore sheshin kryesor. Liqeni është i mbushur me restorante të mirë, por Pogradeci përndiqet qartazi, nga e shkuara. Burra të papunë ulen në kafene dhe salla bingoje, sikur presin të kalojë tranzicioni. “Por tranzicioni është ende këtu”, thotë Andi Kosta, një poet vendas, i cili bie dakord të më bëjë udhërrëfyesin.

Tranzicioni është epoka postkomuniste e ekonomisë së lirë dhe emigracionit masiv, që nuk duket se do të përfundojë këtu – apo edhe përtej kufirit. Apo kudo tjetër në gadishullin e Ballkanit. Burra të moshuar, fytyrat e të cilëve janë vulosur me vuajtje të grumbulluar gjatë enverizmit, ngasin biçikleta përmes trafikut. Kosta dhe unë hedhim vështrimin në kopshtin me trëndafila të kishës së Shën Nikollës, në qytetin e vjetër, ku një prift fjalëmbël, dikur agronom, më thotë se shumë myslimanë, veçanërisht ata të urdhrit Sufi të Bektashinjve, vijnë të ndezin qirinj këtu. “Fëmijët e mi janë martuar me myslimanë”, buzëqesh ai, për habinë time. “Por i kanë pagëzuar fëmijët këtu dhe vijnë për shërbesën e Pashkës. Në Shqipëri kjo është e zakonshme.” Kjo ka qenë e vërtetë për Shqipërinë përgjatë të gjithë historisë së saj të vështirë: gjatë pushtimit shumëshekullor osman, shqiptarët zhvilluan një aftësi të ndërronin fetë.

Ky ishte çelësi i mbijetesës së tyre dhe doli sërish në pah,  gjatë shtetit të shekullit të 20-të. Edhe pas tiranisë komuniste, tranzicionit të turbullt, trauma e luftës pranë portës dhe ikja e trurit jashtë, Shqipëria dhe Maqedonia mbahen tek toleranca e tyre. Uji është i tejpashëm. Djemtë kridhen nga një slitë uji, si në një hon drite. Udhëtojmë deri në burimet e Drilonit, për të parë arsyen e vetisë eterike të liqenit: qindra burime që e ushqejnë. Kanale të nëndheshëm përmes Malit të Thatë e sjellin ujin prej Prespës (853 metra mbi nivelin e detit), drejt Ohrit (693 metra). Gurët gëlqerorë porozë veprojnë si filtër, duke e bërë rezervuarin më të madh natyror të ujit të pastër, në Europë. Porosisim birrë Korça në kafenenë pranë burimeve, që ngarendin drejt liqenit. “Kjo kafene ishte dikur vila e pushimeve të Hoxhës”, thotë Kosta. “Zona ishte ushtarake. Netëve, pishtarët e pushtonin liqenit, për të patrullat e kufirit– përveç rasteve kur ai ishte këtu.” Drita mesa duket e bezdiste. “Kur ishim fëmijë shkonin në plazh duke kërkuar për kanoçe Coca-Cola nga ana jugosllave. Shihnim dritat e Ohrit dhe dëshironim të shkonim atje.”

Mund të kem qenë nga ana tjetër, duke parë drejt tij. Vazhdoj e vetme – përgjatë të fundmit prej plazheve të qeta ranore të mbushur me restorante peshku që luajnë muzikë italiane, lë pas hotelet pa tipare dalluese të tranzicionit, ndërtuar me para të pista dhe që bllokojnë pamjen e fshatit të harlisur, të Tushemishtit. Lart, duket kodra kufitare, me kullën e vëzhgimit të dalë jashtë funksionit. Lë pas bunkerin e fundit të pikës kufitare të Shën Naumit, që ekziston vetëm prej fillim viteve ’90. Jam sërish në Maqedoni. Rruga ngjitet duke lënë manastirin, nën hijen e Malit të Thatë dhe gjarpëron, duke përqafuar shkëmbinjtë. Kaloj kthesën e liqenit të Prespës, që ka mikroklimën e tij, jetën e tij të egër dhe rrënojat enigmatike – si edhe pikën kufitare  me Greqinë, në anë të liqenit, që u mbyll gjatë diktaturës ushtarake të Greqisë, më 1966-ën dhe ende nuk është hapur. Në lartësinë e liqenit, në  Peshtan, një fshat peshkatarësh, parkoj pranë një plazhi të zbrazët dhe dal jashtë. Liqeni përflaket në perëndim, malet janë bërë të purpurt. As edhe një varkë që e trazon sipërfaqen e tij. Hyj në ujë, me rrobat dhe sandalet mbathur. Ime gjyshe kishte mall për liqenin, gjatë gjithë jetës dhe vdiq larg tij. Kam  ardhur në shtëpi, për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë