Vende dhe Udhetime

Forbes: Shqipëria, aventurë larg turizmit masiv

Projeksionet për këtë vit sugjerojnë se vendet e njohura turistike të Evropës do të jenë të mbipopulluara nga turma të mëdha vizitorësh njësoj si vitin e kaluar.

Por, sipas revistës prestigjioze "Forbes", "mënyra më e mirë ​​’për të marrë frymë lirisht’ është të shkoni në një nga destinacionet me pak të njohura të Evropës të cilat nuk janë prekur ende nga turizmi masiv".

Kjo është një nga arsyet pse media amerikane e ka renditur Shqipërinë si një prej destinacioneve më të bukura të Evropës, që ia vlen për t'u vizituar nga udhëtaret që kërkojnë pushime larg turmave masive.

“Hinoki Travels”, një agjenci turistike ndërkombëtare, e vlerësoi Shqipërinë për fermat e saj me ushqime të freskëta të rritura në vend, shtigjet malore të paeksploruara dhe mikpritjen e ngrohtë.

Agjencia organizoi një udhëtim të shkurtër me një grup udhëtarësh në jug të Shqipërisë, ku gjatë udhëtimit 9-ditor, grupi i turistëve eksploroi kulturat e ndryshme, ushqimin, bujqësinë dhe peizazhet e gjera.

Gjithashtu ata u mirëpritën nga fermerët vendas, prodhuesit e ushqimeve, barinjtë, guidat lokale dhe pronarët e bizneseve të vogla.

Gjatë qëndrimit të tyre, turistët u akomoduan në një nga bujtinat e fshatrave aty pranë, dhe u njohën me veçoritë e ushqimit dhe verës lokale.

Turi përfshin edhe një udhëtim ‘rafting’ në lumin e egër të Evropës, Vjosa.

“EcoAlbania” dhe qytetarët shqiptarë mbeten të përkushtuar për të mbrojtur këtë lumë, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës.

Në mars të këtij viti, lumi Vjosa është shpallur Park Kombëtar. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë me e lartë nga ajo që kishte një vit më parë thjesht Park Natyror”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja tha se sipërfaqja e mbrojtur është shtrirë tashmë në mbi 12,727 ha, e gjithë sipërfaqja ujore dhe bregore e lumit bashkë me sipërfaqe të tjera tokësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë