Arsim

Numri i të diplomuarve në Shqipëri shënon ulje, tkurrja më e madhe në arsimin 9-vjeçar

Nga Gazeta "Si"-Në vitin shkollor 2020-2021, u diplomuan në arsimin zyrtar 96.005 nxënës dhe studentë. Sipas të dhënave të INSTAT është shënuar një ulje prej 2,2 %, krahasuar me vitin shkollor 2019-2020.
Të dhënat kanë treguar se ulje është parë në të gjithë nivelet arsimore, 9 vjeçar, i mesëm dhe i lartë.

Arsimi Para universitar

Në vitin shkollor 2020-21, në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 32.179 nxënës. Sipas gjetjeve është shënuar një ulje prej 4,3 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Ndërkaq, numrin më të lartë të të diplomuarve e mbajnë djemtë me rreth 52,9 %, ndërsa 47,1 % vajza.

Struktura e nxënësve dhe studentëve të diplomuar në arsim sipas niveleve arsimore, 2020-2021 në %.Marrë nga INSTAT.


Lidhur me arsimin e mesëm, shifrat tregojnë se u diplomuan 31.136 nxënës.
Ulja që është shënuar në këtë nivel arsimor është 1,7 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.
Për këtë nivel numrin më të lartë të të diplomuarve e mbajnë vajzat me 52.7% ndërsa për djemtë ishte 47,3 %.

Nxënës të diplomuar në arsimin 9 vjeçar sipas gjinisë.Marrë nga INSTAT.


Në arsimin profesional u diplomuan 3.831 nxënës. Ndërsa, në vitin arsimor 2019-2019 për këtë nivel kanë qenë të diplomuar 4.862 nxënës. Nga shifrat vërehet një rënie prej 1031 nxënës të diplomuar. Sipas të dhënave të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 12,3 % të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm.

Arsimi i Lartë

Në vitin akademik 2020-21, u diplomuan në arsimin e lartë 32.690 studentë. Për këtë nivel është shënuar një ulje të lehtë prej 0,6 %, krahasuar me 2019-2020.
Studentët e diplomuar në programet Bachelor përbëjnë 54,0 % të studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet Master me 40,8 %.
Sipas të dhënave në të gjithë programet e arsimit të lartë, u diplomuan 21.592 studente femra, ose 66,1 % e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar.

Raporti bruto i diplomimit në arsimin e mesëm.Marrë nga INSTAT.


Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 30,0 % ose më shumë se një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve.
Ndërsa, për meshkujt fusha e dytë më e preferuar është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 18,9 % të të diplomuarve meshkuj.

Të diplomuar në arsimin e lartë sipas fushës së studimit dhe gjinisë, 2020-202.Marrë nga INSTAT

Për femrat fusha e dytë e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 18,3 % të të diplomuarave.
Analizuar për secilën fushë veças, fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” (82,3 %), ndjekur nga “Arte dhe shkenca humane” (79,9 %) dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (79,1 %).
Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt, krahasimisht me femrat janë “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (64,4 %), “Shërbime” (63,9 %) dhe “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit” (61,6 %).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë