Njerez

“Nuk mund të lejoj që djali im të thithë ajrin e Shqipërisë”

Sabina Veizaj- Ka disa djemë e vajza të reja në Shqipëri e që në botën e sotshme matanë kufirit quhen millennials, të cilët në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme i bëjnë një nder të madh këtij vendi me punën e tyre.

Trip'n Hostel

Ata, duke i atashuar brendinë dhe fytyrën e tyre punës që bëjnë, transmetojnë kudo veten më të mirë, atë që në fakt ka nevojë Shqipëria.
Por jo shumë syreshë i njohin ata dhe punën e tyre. E këta, në fund përfundojnë duke refuzuar të thithin ajrin e Shqipërisë.


Eca si nëpër humbëtirë në mendjen time, me shpresën se rruga do të më shpinte vetë për ku isha drejtuar si rezultat i reminishencës së kujtesës fatlume nëse do të ishte e tillë pas një viti. Dhe rruga më shpuri.
E shqova shtëpinë e vjetër tiranase mes pallateve nga fizionomia e saj dhe ngjyra bordo, si muret, ashtu edhe porta prej hekuri. Mbi të qëndronte urdhërues mbishkrimi me shkronja dore në gjuhën angleze; mos e shtyni dhe shqyeni derën, trokisni lehtë. E kënaqur pas përballjes me një rregull urdhërues veprova siç lexova, por një burrë thinjosh që doli pas portës më tha me një anglishte të pakënaqshme se dera ishte e hapur.

Përshkova oborrin me pemë agrumesh në të majtën time, u ktheva në të djathtë e hyra në recepsion. Kërkova Erjonin, por që nuk kishte mbërritur ende.
Burri që fliste gjuhën e huaj për të, më pyeti në italisht nëse doja kafe. Iu përgjigja po në italisht se do ta pija me shumë dëshirë një kafe në atë orë afër mesditës tek prisja të intervistoja të zotin e Hostelit më të mirë në Tiranë.
Kafja mbërriti aq shpejt, sa pata kohë të zhvishja vetëm shallin dhe ti avitesha tavolinës rrethore prej druri, kundruall diellit që atë ditë më shumë ftohtë.

Claudio në të djathtë me bujtës në Trip'n Hostel

Klaudio rreth të 66-ave më rrëfeu se në Tiranë kishte gjetur Amerikën. Një roman 24 karadë, sipërmarrës prej një jete ku riparonte automjtetet e koncensionarëve më në zë në Itali, me tre martesa prapa krahëve dhe një djalë 18 vjeçar që jeton me ish-të vjehrrën, ka marrë valixhet gati një dekadë më parë dhe ka vendosur të jetojë në Tiranë.

“Njerëzit kudo njësoj janë; ka të mirë e të këqij kudo, ashtu si edhe politika. Kur kisha biznesin tim në Romë xhiroja 200-250 mijë eruo në vit. Por prej kohësh taksat ishin rritur aq shumë sa nuk ia vlente të punoja më. Dy vitet e fundit nuk i dhashë asgjë shtetit. Mora paratë e u nisa. Kam qenë në vendet më të bukura të Amerikës Latine, Xhamajka, etj. Rërë, det dhe vajza, rërë, det dhe vajza. Çdo ditë njësoj. E mbërrita këtu. Kam gjetur Amerikën. Njerëz të mirë, dashuri, me pensionin tim 700 euro jetoj mirë.”- vijon të më tregoj Claudio, ndërsa unë kthej kokën herë-pas here për të shquar nëse Erjoni po vjen.

Edhe pse nuk është piku i sezonit, cepi i syrit më zë djem e vajza të reja që çelin e mbyllin portën. Dy bisedojnë pak më tutje. Siç më thotë Claudion më vonë, atë ditë në Hostel ishin 20 bujtës nga të katërta anët e globit.
Claudio më thotë se çuditet që të rinjtë e sotshëm as dinë të punojnë, as dinë të shijojnë jetën. “Me se shëtisin botën? I gjejnë të gjitha gati nga prindërit. Kur i kam kërkuar për herë të parë babait biçikletën, më ka mësuar që duhet të punoja që ta blija vetë. Dhe sa më shumë më rriteshin dëshirat, aq më shumë punoja sepse nuk mund të pyesja tim atë për të njëjtën gjë, për të cilën ma kishte treguar rrugën. Këta nuk dinë. Ja shikoji…”-më thotë duke më treguar me gisht kah dritares pas shpinës sime.

Claudio në fillimet e veta në Tiranë nisi një veprimtari me ortak shqiptar, një zgarë në Tiranën e Re e më pas e kthehu në Spageteri pasi të gjithë mësuan që ishte Italian dhe nuk mund ti bënte kush tjetër më mirë pastat se ai. Claudio nuk ka ndërmend të hapë ndonjë aktivitet tjetër. Ai më tregon se klima e biznesit është shumë e nderë, ka burokraci dhe shumë shpenzime.
Claudio jeton në hostel, ku edhe ndihmon në punët e përditshme. Përpos të tjerash edhe gatuan. Pjesën tjetër të ditës ndihmon të dashurën e tij shqiptare me biznesin.
Dikush i veshur si për rrugë me një vilxhan të madh kafeje ulet ngjitur nesh në kolltukun e qëmoti të veshur me damaskë. Claudio më thotë të bisedoj me djalin sepse është interesant.

Erik Sterna


Erik vjen nga Gjermania, Hamburgu me biçikletë. Koha e tij e vitit është e ndarë në dy pjesë; 3-5 muaj ai shëtit nëpër botë me biçikletë dhe pjesën tjetër punon. Ai sëbashku me një grup djemsh, 50 në total, kanë një biznes transporti biçikletash. Në Tiranë ka qëndruar tri netë dhe të nesërmen do niset sërish për udhë. Ka shëtitur malet, ka qenë në Korçë dhe në Trp’n Hostel më thotë se është ndjerë shumë mirë pasi ka atmosferë. Kryesisht ai nuk bujt në hostele apo hotele sepse fle në kampingje.

Ndërsa i qaset një djalosh i ri me syze, i buzëqeshur dhe super i ngarkuar me çanta që i mbart mbi shpinë. Ai është Indian dhe po largohet, do të bëjë rrugë të gjatë. Pasi shkëmbejnë kontaktet, Erik i rikthehet bisedës me mua. Më rrefen se udhëtimi i tij i parë ka nisur në 1993. Ai ka studiuar biologji dhe në një nga ekspeditat e shkollës kuptoi që kjo ishte jeta që donte të bënte. Të udhëtonte nëpër botë, të njihte kultura, njerëz të rinj.

Biznesi i Hostel

Të zotërosh një hostel dhe të punosh konform të gjitha ligjeve dhe rregullave në fuqi është një biznes që të bën të pasur në të gjitha kuptimet. Varet në fakt, se çfarë marëveshje bën për fjalën pasuri. Këtë e kuptova pasi bisedova një copë dite me Erjonin dhe mësova e pashë disi se si funksionon një strukturë e tillë akomoduese për udhëtarët e lirë.
Por, me ç’më shpjegoi Erjoni, jo gjithkush mund ta bëjë një gjë të tillë.

Oborri i Trip'n Hostel

Të gjithë jemi prerë për diçka, secili kemi një talent të zbuluar a të fshehur, një vokacion, diçka që shpërthen drejt e nga stomaku, diçka që na është dhënë me lindjen.
Pak a shumë, kështu ma shpjegoi Erjoni suksesin që dikush që zotëron një hostel do të ketë.

“Nëse të pëlqen diçka, e ke pasion dhe mendon se do ta bësh pa u lodhur, kjo nuk ekziston. Por të zotërosh një hostel është përtej të qenit një menaxher i mirë. Duhet të kesh një natyrë tejet sociale, mikpritëse, shakator, të krijosh atmosferë. Në të gjitha vlerësimet publike që udhëtarët bëjnë për hostelin, vendin e parë e zë atmosfera. Unë bëj shumë shaka, humor, tallem, kjo punë kërkon përfshirje me miqtë që të bujtin në shtëpi”- më thotë Erjoni teksa qëndrojmë ulur rreth tavolinës së drunjtë dhe tymosim nga një cigare.

Nuk vonon shumë dhe dy bujtës do të largohen. Erjoni i prezanton: “Janë kolegë nga Kroacia dhe Bosnja; Taso dhe Luca.” Ata qeshin, tregojnë barcaleta në anglisht dhe copëza kujtimesh me udhëtarët që ndalojnë tek hostelet e tyre dhe i luten që me çeljen e sezonit në Prill-Maj të shkojë ti vizitojë në hostelet respektive të tyre. Është tërësisht një atmosferë miqësore.

Taso në plan të parë

Erjoni është një djalë shumë i ri, pak më shumë se 30 vjeç, i cili 20 vite të jetës i ka kaluar jashtë. Ka studiuar komunikim dhe ka përftuar një stil jete ku shijon lirinë. Ka mësuar të kombinojë pasionet me të qënit pragmatist dhe të mirat ti rrotullojë rreth vetes në mënyrë të drejtë. Në bisedë përsiatet tepër deri sa ti të kuptosh fillin praktik.

Erjoni, e dashura e tij Eni Lila dhe një grup udhëtarësh që kanë bujtur në Trip'n Hostel dy vite më parë

Ai e përshkruan veten si njeri mes dy fazave; nga një njeri i “hallakatur” që festonte gati çdo natë, “harbohej”, s’dinte ku përfundonte dhe si, pra nga ana e errët, në atë që është sot; shet një ide, ka krijuar një brand që vlerësohet në Tiranë, Shqipëri, Ballkan, Europë e më tej.

Ai nuk kishte qenë në një hostel përpara se të çelte të tijin; Trip’n Hostel gjashtë vite të shkuara.

Hera e parë që kishte dëgjuar për diçka të tillë ishte në një revistë portugeze të familjes kristiane në 2003 të cilën po e lexonte në tualet. Në atë kohë kishte nisur një valë e re për hostelet në Portugali, që nuk ishte vetëm për akomodim, por edhe vende ku merreshe me dizajn. “Më ngeli në mendje, më tregon Erjoni, sepse në atë kohë unë merresha shumë me dizajn.” Nuk është se i mbeti çekan në kokë, por në një rrethanë të caktuar tek jepte mësim në një nga Institucionet e Arsimit të lartë që nuk ekziston më në Shqipëri, i mllfeosur deri në fyt nga mënyra e mosfunksionimit, e lë atë punë dhe vendos të ketë diçka të tijën ku lodhja do të ia vlejë. Pasi studioi tregun, hapi Trip'n. 
Hosteli është një strukturë akomodouese për shtegtarët, udhëtarët që udhëtimin e kanë mënyrë jetese. Duke qenë se këta persona udhëtojnë shumë, kanë nevojë të bujtin në vende pa salltanete, që plotësojnë nevojat bazike dhe që kushtojnë shumë lirë.

Sipas standateve europiane një hostel i mirë duhet të ketë 40 shtretër. Kaq ka vila e vjetër prej 7 dhomash në zonën e Tiranës së Vjetër të cilën Erjoni prej 6 vitesh e ka pagëzuar Trip’n hostel dhe për të cilën paguan qira mujore. Çmimi për shtrat varet nga sa shtretër ka një dhomë; ato variojnë nga 10-14 euro përfshirë mëngjesin. Vaktet e tjera bujtësit kanë mundësi ti hanë po në hostel nëse kanë dëshirë duke gatuar aty me shpenzimet e tyre.
Por sipas Erjonit, një hostel është vërtet i mirë kur ka kërkesa jashtë sezonit dhe në Trip’n hostel udhëtarët e botës qëndrojnë në çdo stinë, jo vetëm në verë.
Bujtësit e Trip’n hostel vijnë nga të gjitha anët e botës, por më të shumtët që Erjoni evidenton janë prej Australisë, Kandasë dhe Amerikës.

Duke u ankuar për mungesën e turizmit të vërtetë në vend, Erjoni e shpjegon prurjen e udhëtarëve prej kontinetëve të largët me ekzistencën e Shengenit.
“Ne duhet të felenderojmë pa masë Europën që nuk po na bënë pjesë të saj vetëm dhe vetëm për këtë lloj turizmi. Sepse prandaj na vijnë australianët, amerikanët dhe kanadezët”
Ndërsa tavolinën e rrumbullakët prej druri na i kanë zënë dy mesoburra; një kanadez dhe një amerikan që luajnë tavëll. Mandej qëndron Eriku që i sheh.

Tek flasim për kostot dhe shpenzimet, Erjoni vëren që në tregun ku ai funskionon ka konkurrencë jo të ndershme. Aktualisht ekzistojnë 40-45 hostele në Tiranë, që vetëm 5-6 sipas tij janë të regjistruar dhe paguajnë detyrimet sipas ligjit.

Por të rinjtë, që sapo hyjnë në treg luajnë me çmimet. “Dakord, në një moment që jemi në një treg që quhet i lirë, ti mund të bësh çfarë të duash me çmimet, por duhet të kesh vlerësim për veten, standartet e tua, kohën dhe kostot. Nuk ia lejoj vetes të shes lirë. Ajo që ndodh është që dikush që nuk ka shumë pretendime sepse gjithçka maskohet me idenë që unë do të futem në treg, më mirë të shes fare lirë. Del një që i vjen mirë të shesë me 6 euro krevatin që sot fatkeqësisht janë 6 mijë lekë të vjetra. Një hostel që është i madh dhe i mirë sheh që nuk ka shumë punë dhe shet me 6 euro, ja si u prish merkata. Hosteli i madh që ul çmimet i kundërvihet ligjit sepse është e padiskutueshme që nuk deklaron gjithçka. Ty që shet me 10 euro, të mbetet 3,5-3,7 euro për çdo krevat. 30% të mbetet për shkak të taksave, kryesisht atyre që i detyrohesh pushtetit vendor, pavarësisht se me uljen e TVSH-së në 6% nga 20% qeveria ka marrë një vendim shumë të mirë.”-më sqaron Erjoni duke thënë se xhiroja vjetore nuk i kalon 40 mijë eurot.

Një shqetësim tjetër i Erjonit është zhbalancimi i kursit të këmbimit, sepse hostelat duke punuar me të huaj, kanë vendosur të përdorin monedhën e përbashkët europiane.
“E kemi bërë të gjithë hostelat këtë gabim që vendosëm të punonim me euro. Por kjo tregon diçka, që ti nuk ke besim tek qeveria jote, tek monedha jote.” -më thotë ai.
Ndërsa bisedojmë, Erjoni merr një telefonatë se duhet të kryejë disa punë të vogla nëpër qytet, po në lidhje me hostelin.

Hipim në makinë, një fuoristradë dhe vozisim në rrugët e ngushta të Tiranës së Vjetër e më pas tek Rruga e Kavajës ku Erjonit i duhet të parkojë makinën për të cilën shpjegon se është i vetmi produkt që i shkon kundër natyrës dhe stilit të tij të jetesës. Deri pak më parë ai ka lëvizur me motorr të vogël, pasi është shumë miqësor ndaj natyrës, por prej dy muajsh është bërë babi i një djali, Marsit dhe makina i duhet për të zgjidhur shumë punë gjatë ditës në lidhje me fëmijën.

Parkimi kushton 200 lekë ora. Portën e ka hapur një mesoburrë me flokë gri. Pasi gjejnë marrëveshjen e fjalës 2 minuta, bien dakord se do të paguajë 100 lekë dhe Erjoni këto pazare i vlerëson si pozitive në Shqipëri. “Në asnjë vend tjetër nuk ndodh kjo, por ti duke i varur në qafë tjetrit hallin tënd përfiton, megjithatë në një vend ku fitohet 200 mijë lekë në ditë, 2000 lekë janë shumë”. 
Gjatë rrugës së kthimit për në Trip’n hostel më tregon prejardhjen e emrit të të birit.

“Tre vite më parë ka bujtur në hostel një djalë me emrin Mars si planeti. Tek e pyes se pse këtë emër, më thotë se i ati ka bërë një eksperiment në Kaliforni se si mund të ishte jeta e njerzve në Mars. E kam studiuar në shkollë i thashë dhe eksperimenti ka falimentuar. Ishte shumë e veçantë si ngjarje. Përpos kësaj, e dashura ime ka një lidhje të veçantë me muajin mars sepse ajo, e ëma dhe mbesa e saj kanë lindur në muajin mars”.
Në sfond kemi muzikë rrok dhe Erjoni më flet se çfarë ndodh në hostel.

“Aty është një vend me të rinj si në universitet pa provime. Mendoje vetë çfarë nuk mund të ndodhë. Aty lindin, rriten e vdesin shumë histori dashurie që të nesërmen vazhdojnë me një tjetër”- dhe shpërthen e qeshura.
“Ka njerëz që janë martuar, na dërgojnë fotografi. Është fantastike kur na dërgojnë e-maile se falë jush u njohëm. Madje ka edhe fëmijë që janë ngjizur tek ne.”
Në Trip’n hostel vijnë kryesisht të rinj, mbi 18 vjeç. Statuse të ndryshme. “Kanë ardhur drejtorë bankash, mbaj mend që ka ardhur edhe djali i pronarit të Pampers”.
Por janë edhe njerëz të çuditshëm boll. Shqiptarë kanë qenë të rrallë; ata që kanë ardhur nga jashtë të sapo dalë nga burgu, ose të dalë nga burgu këtu. Kanë qendruar gjatë dhe kanë ikur pa paguar. Edhe incidente janë shënuar mjaftueshëm në hostel. Erjoni i tregon duke qeshur sepse është koshient për botën e klientëve të tij që janë kjo kategori me një stilt ë ngjashëm jete, të lirë, njësh me natyrën. “ Kam rrahur një francez, psh. Kemi qëndruar tre ditë duke ngrënë duke qeshur dhe i shkrepet në kokë për të djegur hostelin.”

Tek e pyes Erjonin nëse do ta zhvillojë e ngrejë më shumë biznesin, më thotë prerë “Jo”. Për të ka gjithçka duhet të ketë. Thjesht këtë vit do të bëjë disa riparime dhe lyerje.
“Nuk jam tahmaqar. Më intereson që atë që bëj, ta bëj më të thjeshtë për veten që të stresohem sa më pak. Jetojmë në një vend që me pak lekë jeton. Mbyllet muaji me 400-500 euro. Duke pasur këto nevoja, pse duhet ta stresosh veten. Pse duhet ta fusësh veten në një sters më të madh, do të na hajë kohë. Në këtë moment i kemi dhënë më shumë kohë vetes dhe po investojmë kohën tek dikush që ti mësojmë të bëjë atë që bëjmë ne. Asaj që bëj nuk i shtoj asgjë.”

Trip’n hostel ka disa vlerësime ndërkombëtare. Ai është i 24 në botë. Është top choice (zgjedhja më e mirë) prej tre vjetësh e Lonely Planet për Tiranën.
Për 5 vjetë ka vlerësimin excellent (shkëlqyeshëm) për Trip Adviser e këtë vit morrën Penta Premium. Dhe në shumë vlerësime të sektorit në botë mban 5 yje, mbi 1000 komente nga klinetët dhe vlerësimin mbi 9.
“Ty të intereson qyteti sepse aty është fluksi i udhëtarëve, klientëve. Nuk mund të shesësh kudo. Ke më shumë fluks në momentin që je i pari.”

Duke biseduar, Erjoni më shëtit nëpër hostel. Gjithçka e bërë në mënyrë artizanale prej tij, me sende të gjetura në mbeturina; kolltuqe, mindere, karrike të vjetra. Rrugica e qilimë të asaj kohe. Gjithçka evokon një copëz Shqipërie të mbetur nga një epokë tjetër, por që në fakt nuk është shumë e largët. Edhe prej kësaj udhëtarët tërhiqen shumë. Dhomat janë dyshe, katërshe, me gjashtë krevatë. Gjithçka është pastër. Diku bujtësit janë larguar dhe dhoma është bosh, pa sende mbi krevat, apo dikund tjetër. Në një tjetër dhomë, në mes të saj ka bagazhe, këpucë të lëna njëra mbi tjetrën dhe syri i mprehtë i Erjonit vëren që qilimi nuk është shkundër dhe i tërheq vëmendjen sanitares.

Praktikisht Erjoni merret me gjithçka dhe siç thotë ai përveç të tjerash, i pëlqen kjo gjë që bën sepse i ngjan sikur nuk jeton në Shqipëri, megjithatë kjo nuk është për të puna finale. Kjo, thotë Erjoni është një punë që me shumë siguri do ta shpjerë diku tjetër sepse filozofia e tij është se jeta është një shumësi eksperiencash dhe ai është i uritur për të tilla eksperienca sëbashku me të dashurën e tij Enin që një pjesë të madhe të suksesit të Barndit Trip’n hostel ia dedikon asaj.

Më herët Claudio më tha se jeta është udha e rrudhave të fatit dhe pavarësisht gjithçkaje, ajo vazhdon. Fatalizmin, Claudio e kish mësuar nga e ëma. Me këtë e shpjegonte fatin e tij që të zbulonte Amerikën në Tiranë.
E pikërisht për këtë arsye, ndoshta, Erjoni po e kërkon Amerikën në Afrikë pasi ka shëtitur 60 vende të botës, sepse nuk do që Marsi i tij i vogël të thithë ajrin e ndotur të Tiranës.
Ai e vlerëson Trip’n hostel 150 mijë euro dhe blerësi potencial deri më taniështë një shtetas Australian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë