Treg

A po falimentojnë hostelet në Tiranë?

Nga Sabina Veizaj-Derës së drunjtë Bordo në rrugicën mes pallatave të ndërtuara para “90-ës në Tiranën e Vjetër i është vënë dryni.

Do kohë më parë, para pandemisë gumëzhinte prej udhëtarëve nga e gjithë e bota.

Kam qenë disa herë dëshmitare e atmosferës së jetës intensive në atë vilë të vjetër tiranase të pagëzuar me emrin Trip’n Hostel, ku gati dy vite më parë isha edhe për një reportazh e intervistova të zotin e ri , Erjonin.

Ishte dimër kur e vizitova për të fundit herë Trip’n hostel dhe ndjeva atmosferën gjallëruese dhe miqësore e të ngrohtë mes bujtësve nga të katërt anët e botës që nga Amerika, Australia, Europa.

Një nga hostelet më të mirë në Tiranë ku ka bujtur djali i pronarit të Pampers, bankierë, ku kanë shpërthyer dashuri e ku janë ngjizur jetë nuk funksionon më që prej izolimit.

Trip’n hostel ka qenë vendqëndrimi i udhëtarëve të huaj. Thënë këtë, pavarësisht rifillimit të aktiviteteve ekonomike pas karantinës, i zoti nuk e ka parë me vend rifillimin e punës në mungesë të klientelës së huaj për shkak të mosçeljes ende të kufijve.

Erjoni ka vendosur të investojë në një strukturë të re të ngjashme në jug, ku duket se pavarësisht gjithçkaje të rinjtë nuk mungojnë.

Fatin e Trip’n Hostel do ta tregojë koha dhe zhvillimi epidemiologjik i virusit në botë duke ndikuar tek vendimmarrjet në lidhje me kufijtë.

Hostelet janë struktura akomoduese për udhëtarët, për ata njerëz që e kanë stil jete udhëtimin. Ata duke qenë për një kohë të gjatë në udhëtim, kanë nevojë për akomodim të lirë në vlerë. Ky është qëllimi i hosteleve.

Por shpërthimi i Pandemisë, e tkurri lirinë në të gjithë kuptimet dhe ndaloi edhe udhëtarët të vijonin jetën e tyre.

Edhe hostelet në Tiranë po e vuajnë shumë situatën financiare të krijuar nga pasojat e pandemisë.

Disa syresh që zotërojnë hostele në Tiranë të madhësive të ndryshme që nuk donin të prononcoheshin duke mos e parë me vend dhe dobibrurëse sipas tyre, u shprehën se janë gati të nisin procedurat për faliment.

“Punoja me të huaj, kryesisht amerikan, australianë dhe kanadezë. Kisha klientë të vjetër në çdo sezon. Tani nuk më del fare që të eksperimentoj se nuk kemi likuiditet dhe perpsektivë derisa situate është e paqartë dhe e pasigurtë”- u shpreh një zotërues i një hosteli në Tiranë.

Të tjerë nuk iu përgjigjën pyetjes së gazetën “Si” për ecurinë e aktivitetit ekonomik për sa kohë nuk kanë klientë.

Claas Bentz, shtetas gjerman i cili aktualisht ndodhet në vendin e tij, por është zotërues i Hostel Albania në Tiranë, përmes e-mailit më tregon se situate e biznesit të tij është shumë e rëndë.

“Gjatë izolimit biznesi nuk funksiononte. Pasi nuk kishte fluturime, kufijtë ishin të mbyllur dhe ne nuk lejoheshim të lëviznim. Na llogaritë paraprake kemi 90% humbje krahasuar me vitin e kaluar. 50% sezonit ka përfunduar, çmimet kanë rënë rreth 40% dhe në vend të 25-30 klientë që kishim çdo ditë përpara pandemisë, aktualisht kemi mesatarisht 3 në ditë).”- shprehet Bentz.

Zakonisht në Hostel Albania ai mbante të punësuar tre persona, këtë vit, ai thotë se nuk mund të përballojë as edhe një syresh.

Tek e pyes se si e parashikon të ardhmen e bzinesit që zotëron në Shqipëri, më thotë se Hostel Albania përpara pandemisë ishte hosteli i dytë më i mirë I vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare të fushës 11 viet të shkuara.

“Ne hostelet kemi sjellë shumë turistë individual në Shqipëri dhe ofrojmë shërbim shumë të mirë e krijojmë atmosferë për të rinjtë. Industria e hosteleve është e rëndësishme, veçanërisht për vendet jo të pasura sepse ne bëjmë të mundur që çdo kush të udhëtojmë me një buxhet të ulët.”- shpjegon Bentz.

Ai tregon se “duke qenë se qeveria nuk parashikoi asnjë masë mbështetëse apo ndihme për industrinë tonë shumë hostele po mbyllen dita-ditës, dhe unë mendoj që në dimër do të ketë edhe më shumë vënie dryni këtyre strukturave sepse ne nuk kemi asnjë siguri për prurje udhëtarësh përpara qershorit të vitit që vjen.”

Class Bentz i Hostel Albania tregon për gazetën “Si” se po jeton me të ardhura të kursyera që prej muajit nëntor të vitit të kaluar dhe thotë se nuk e imagjinon se si do tia dalë deri në qershorin e vitit të ardhshëm.

“Qeveria kujdeset vetëm për rezortet me 4 yje dhe nuk e ka idenë se çfarë kanë bërë vitin e kaluar rreth 200 hostele në vend dhe se si kemi punuar.”- thotë Bentz i cili mezi pret ti rikthehet punës në Tiranë.

Hostelet janë pjesë e industrisë së turizmit në Shqipëri, industri e cila thotë se ende nuk e ka gjetur busullën e shpëtimit në këtë situatë të errët ekonomiko-financiare që shkaktoi Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë