Njerez

Novak Gjokoviç, heroi i nacionalizmit serb i urryer nga shqiptarët që ‘ i rreh’ zemra për Kosovën

Babai i tij Srdian dhe xhaxhai i tij janë nga fshati i trazirave të javës së fundit, Zveçan, ku ai praktikisht është një hero. Vendi, ku rreh edhe zemra e nacionalizmit serb. Por muralja e tij, u zhgarravit sërish nga eksponentë të minoritetit shqiptar pas deklaratave politike nga turneu “Roland Garros”

Gazeta Si - “Të gjithë serbët bërtasin: ‘Kurrë nuk do të heqim dorë nga Kosova/ Ka qenë gjithmonë e jona, ka mbetur e jona në shekuj/ O Kosovë, Kosovë, toka ime e dashur / Toka e kreshnikëve të mëdhenj Llazar dhe Milosh’”.

Fundi i janarit 2022. Novak Gjokoviç po pushon në Budva të Malit të Zi. Ai sapo doli nga një prej momenteve më të këqija të jetës së tij.

Pasi fluturoi për në Australi për të luajtur Grand Slam-in e parë të sezonit, u burgos pasi u shfaq pa vaksinimin e nevojshëm kundër Covid dhe përfundimisht u përjashtua nga turneu.

Në restorantin e hotelit që e pret, do të kishte shumë gjëra për të menduar. Megjithatë, ai këndon këngën popullore që mishëron ndjenjën serbe për Kosovën dhe drejton refrenin duke tundur pecetën e tij.

Edhe para dy netësh, murali i tij në Rahovec u zhgarravit nga disa eksponentë të minoritetit shqiptar.

Kjo ndodh sa herë që një shkëndijë ndez çështjen etnike në veri të Kosovës. Në shkurt, një kanaçe me bojë të bardhë u hodh mbi pikturën e porositur shtatë vjet më parë nga një artist nga Beogradi. U restaurua menjëherë.

Tani një spërkatës është përdorur për të vizatuar një shkarravitje në fytyrën e kampionit. Herën tjetër kush e di.

Shpërfytyrimi i fundit nuk është pasojë e drejtpërdrejtë e deklaratave të tij për Kosovën, zemrën e Serbisë, të bëra në “Roland Garros”, e më pas të përsëritura me bindje përkundër qortimit nga qeveria franceze dhe kërkesës për skualifikim nga federata e tenisit kosovar. Përkundrazi, është një refleks i kushtëzuar.

Retorika nacionaliste ushqehet me simbole dhe kampioni serb është bërë një flamur që valvitet nën hundën e minoritetit shqiptar.

Sasia e letrave të shenjta që i kushtohen atij në rrugët e veriut të Kosovës, nuk janë padyshim një nderim për bëmat e tij sportive, por një mënyrë për të markuar territorin.

Ndërsa mbishkrimi nën një nga posterët e tij të varur në tabelën e buletinit zgjedhor të Zveçanit, thotë: "Këtu është Nole (siç e thërrasin ndryshe), këtu është Serbi".

Babai i tij, Srdjan dhe xhaxhai i tij, kanë lindur në Zveçan, i cili nuk është vetëm qyteti i përleshjeve ku u plagosën 34 ushtarë të misionit të NATO-s, por kryeqyteti i irredentizmit me shumicë serbe që nuk e njeh Kosovën si shtet autonom.

Shumica e familjes së tij jetoi këtu për tridhjetë vjet. Në këto vende të ashpra, ai është si i shtëpisë. Ajo që Gjokoviç mendon për mosmarrëveshjen me Kosovën nuk ka qenë asnjëherë mister.

Në të vërtetë, kjo është arsyeja e lulëzimit të pikturave murale që festojnë arritjet e tij, ku numërohen të paktën një duzinë në zonën ndërmjet Mitrovicës dhe Zveçanit.

Pas 17 shkurtit 2008, kur Prishtina shpalli pavarësinë e saj, ai drejtoi një demonstratë proteste në Beograd, e cila përfundoi me sulmin ndaj ambasadës amerikane.

Pak më vonë, ai erdhi për të vizituar Zveçanin “e tij”. Dhënia e nënshtetësisë së nderit nga mediat serbe, u interpretua si reagimi i vendasve për lindjen e Kosovës: “Jam i pikëlluar si të gjithë bashkatdhetarët e mi”, tha ai gjatë ceremonisë para bashkisë që ishte skena e përleshjeve të kësaj jave.

“Por të gjithë e dimë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe kështu do të jetë gjithmonë”.

Në veri të urës së Mitrovicës e cilësojnë si hero. Në anën tjetër, në anën shqiptare, një nga shkrimet më të shpeshta në mure, e tregon emrin e tij të shoqëruar me shkrimin “mut” (një fyerje në shqip).

Presioni nga sponsorët e ka bërë shpesh të zbresë në këshilla më të buta, sepse reputacioni i një nacionalisti nuk i shkon për shtat një ikone globale sportive.

Por kush lind dhe ushqehet në mënyrë katrore, ​​nuk bëhet befas i rrumbullakët. Në vitin 2016, ai festoi fitoren e tij në ATP Cup, duke kënduar Vidovan, një këngë popullore e kompozuar në vitin 1989, viti i fjalimit të famshëm të Sllobodan Millosheviçit para serbëve të Mitrovicës që hapi Kutinë e Pandorës së luftës në ish-Jugosllavi. “Askush nuk mund ta heqë këtë tokë nga shpirti im”, thuhet në vargun e parë.

Sergjan Millosavleviç, lider i Listës Serbe dhe kabineti i protestës së Zveçanit, e cilëson atë si lider të shumicës serbe.

“E ndjejmë afër. Ne e dimë se ai na ndihmon në çdo mënyrë që mundet dhe për fat bujaria e tij sigurisht që nuk përfundon në gazetat tuaja perëndimore”.

Deklaratat pariziane të Gjokoviçit sigurisht që nuk duhet të jenë befasuese. Por fituesi i 22 titujve Grand Slam-it botëror, ka të drejtë për një gjë.

Në Serbi pothuajse të gjithë mendojnë si ai. Gjithashtu për këtë arsye, Kosova Veriore është e destinuar të mbetet një gjemb në sy të Evropës edhe për një kohë të gjatë.

Burimi: "Corriere della sera"; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë