Mendim

Njëzet vjet pas bombardimeve, Kosova mbetet një çështje e hapur

Nga David Philips - I përgjumur dëgjova telefonin tek binte pa pushim. Ishte Richard Holbrooke. “Cudi”, mendova me vete. Ai duhet të ishte në Beograd me Sllobodan Millosheviçin duke negociuar për tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.

Holbrooke sapo ishte larguar nga Beogradi. Negociatat kishin dështuar dhe NATO do të fillonte bombardimet që të nesërmen.

Mbeta pa frymë. Pas dhjetë vjetësh përpjekjeje kundër tiranisë së Millosheviçit, negociatat kishin marrë këtë drejtim. Shtetet e Bashkuara ishin të bindura se diplomacia kishte dështuar. Holbrooke më kërkoi që të lajmëroja shqiptarët që të alarmonin të afërmit e tyre. Ai e dinte se inteligjenca serbe do të monitoronte çdo lëvizje. Në vend që të kthehej në SHBA, Holbrooke shkoi në Budapest. Ai e telefonoi sërish Millosheviçin të nesërmen, duke ofruar i një shans të fundit.

Por me një ton tallës, Millosheviçi i kishte thënë se ‘Amerika nuk do të hynte kurrë në luftë për të mbrojtur shqiptarët’.

Për çudinë e tij, NATO filloi bombardimet pasditen e tjetër, më 24 mars të vitit 1999. Sulmet ajrore zgjatën 78 ditë derisa Millosheviç u dorëzua. Isha krenar që Amerika kishte shkuar në luftë për të ndaluar gjenocidin në Kosovë.

Këtë javë Prishtina shënoi 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s. Tanimë Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe kjo nuk mund të ndryshohet nga askush.

Megjithatë, vetëm 116 vende e kanë njohur Kosovën. Kur Kosova shpalli pavarësinë në 2008, Serbia filloi një fushatë diplomatike për të penguar njohjen ndërkombëtare të Prishtinës. Ajo ende refuzon të pranojë se e humbi Kosovën rezultat i krimeve të Millosheviçit.

Aleksandër Vuçiç, shefi propagandist i Millosheviçit dhe presidenti aktual i Serbisë, është i pari që nuk arrin ta pranojë. Ai këmbëngul se Kosova është ende një provincë e Serbisë.

Dialogu Kosovë-Serbi filloi në vitin 2011. Në fillim ishte premtues, falë marrëveshjeve të arritura mbi targat dhe menaxhimin e kufijve. Por me kalimin e kohës ai e humbi qëllimin e tij. Të dyja palët nuk kanë rënë dakord as për kuptimin e "normalizimit të marrëdhënieve", madje Serbia i referohet qeverisë së Kosovës si "autoritetet e përkohshme të Kosovës dhe Metohisë".

Ndërkohë që shprehin mirënjohje në Bruksel, zyrtarët serbë punojnë prapa krahëve për të minuar përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje më të madhe globale. E përkrahur nga Rusia, Serbia u ka kërkuar dhjetëra shteteve të tërheqin njohjen e Kosovës.

Ajo bën fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol. Gjatë vitit të kaluar, Kosova nuk pati asnjë njohje të re, pavarësisht përpjekjeve të ministrit të jashtëm. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka propozuar ndryshimin e kufijve në këmbim të njohjes zyrtare nga Serbia. Shumica e shqiptarëve të Kosovës e kundërshtojnë ndarjen e vendin të tyre. Por në vend që të negociojnë me Serbinë, politikanët e Kosovës po debatojnë me njëri-tjetrin.

Por ky skenar ka mangësinë të mëdha. Vuçiç nuk ka një shumicë parlamentare për të ndryshuar kushtetutën e Serbisë dhe ta njohë Kosovën. Ai nuk mund t'i detyrojë vendet që nuk e njohin Prishtinën brenda BE-në, veçanërisht Spanjën, të ndryshojnë qëndrim. Po ashtu nuk ka asnjë garanci se Rusia do të heqë veton e saj në mënyrë që Kosova të mund të bëhet një shtet anëtar i OKB-së.

Për më tepër, Vuçiç po luan një lojë të dyfishtë. Ai shpreson që bashkësia ndërkombëtare të humbasë interesin, ta braktisë Kosovën dhe ta mirëpresë Serbinë në BE. Ai dëshiron që Brukseli të heqë kapitullin 35, i cili kushtëzon anëtarësimin e Serbisë në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Qeveria e tij është duke punuar për vonesa dhe dezinformata. Serbia po përdor tarifën si një justifikim për të bojkotuar dialogun deri në zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj dhe zgjedhjen e komisionerëve të rinj në vjeshtë.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaci

Tarifat janë një çështje që ka ndarë Kosovën nga Shtetet e Bashkuara. Në vend që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën brenda kufijve të saj të tanishëm, administrata Trump fajëson Prishtinën për pengimin e negociatave. Administrata Trump nuk arrin të pranojë se tarifat u vendosën në përgjigje të taktikave të përdorura nga Serbia për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Agjenda e dyfishtë e Serbisë përfshin edhe manipulimin e serbëve të Kosovës. Përpjekjet e saj për të minuar bashkëpunimin mes serbëve dhe shqiptarëve ne Mitrovicë janë një sulm mbi ndërtimin e shtetit të Kosovës. Në të vërtetë Serbia kujdeset shumë pak për serbët e Kosovës. Vuçiç dëshiron të përmbushë projektin e Millosheviçit për aneksimin e territoreve të populluara nga serbët në Kosovë dhe Bosnje, duke krijuar kështu një "Serbi të Madhe".

Serbia po përpiqet të diskreditojë Kosovën në sytë e bashkësisë ndërkombëtare dhe të komprometojë legjitimitetin e saj. Pasiguria është duke dobësuar ekonominë e Kosovës. Shkalla e papunësisë është më e larta në rajon. Në mungesë të statusit ligjor, investimet e huaja direkte kanë rënë.

Ndërkohë, Gjykata Speciale varet si “shpata e Damocles”mbi kokën e Thaçit. Prokurorët kanë kryer shumë intervista lidhur me krimet e luftës. A mund të vijë qëndrimi pro-serb i Thaçit falë një marrëveshje me Vuçiçin për të mos i kaluar informacione Gjykatës Speciale në këmbim të një shkëmbimi territorial, i cili do të ishte i favorshëm për Serbinë?

Nuk kemi parashikuar sfida të tilla kur NATO ndërhyri 20 vjet më parë. Por tanimë e kam më të qartë se kurrë se Perëndimi duhet të bashkohet në mbështetje të Kosovës si një shtet sovran dhe multietnik.

*David Phillips është Drejtor i Programit për Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit në kohën e Presidentëve Clinton, Bush dhe Obama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë