Shkencë

Vaksina që shqiptarët kanë 100 vjet që e bëjnë, kufizon Covid-19?

Studiuesit në katër vende të botës së shpejti do të fillojnë një provë klinike për një qasje aspak të zakonshme ndaj koronavirusit të ri. Ata do të testojnë nëse një vaksinë që tashmë ka mbushur 100 vjeç, ajo kundër tuberkulozit, mund të rigjallërojë sistemin imunitar të njeriut në një mënyrë të gjerë, duke lejuar që ajo të luftojë më mirë Covid-19 dhe, ndoshta, të parandalojë tërësisht infeksionin. Studimet do të bëhen mbi mjekë dhe infermierë, të cilët kanë më shumë rrezik të infektohen nga sëmundja sesa popullata e përgjithshme dhe te të moshuarit, të cilët janë në rrezik më të madh e serioz nëse infektohen.
Tuberkulozi, pas malarjes, ishte një nga sëmundjet që shkaktonte më shumë viktima në Shqipëri e për këtë qëllim në vitin 1926 do të ndërmerrej një fushatë vaksinimi. Gazeta "Si" hulumtoi në materialet e bollshme të Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri, sipas të cilit vaksinimi Bacille Calmette-Guerin (BCG) është një vaksinë efektive në zvogëlimin e rrezikut të meningjitit të TB-së dhe përhapjes së sëmundjes në fëmijët e moshës nën 5 vjeç në vendet me prevalencë të lartë të tuberkulozit.

Në Shqipëri - sipas kalendarit zyrtar të vaksinimit - të gjithë të sapolindurit vaksinohen me vaksinën BCG. Duke qenë një vend ku ende vihet re shtim i rasteve sporadike me tuberkuloz, ISHP e ka ndjekur me përparësi këtë sëmundje në vend. Për këtë madje, Gazeta "Si" hulumtoi se ISHP ka nxjerrë kohë pas kohe udhëzime të veçanta, të tilla si “Udhërrëfyes Klinik i Diagnozës dhe Menaxhimit të Tuberkulozit tek Fëmijët” (dhjetor 2010) dhe “Udhërrëfyesi Kombëtar për Menaxhimin dhe Trajtimin e MDR-TB (maj 2019).
ISHP sqaron më tej, se BCG hyn në grupin e vaksinave të dobësuara dhe jepet tek fëmijët e posalindur, pra preferohet 3-7 ditë pas lindjes, por jo më gjatë se 1 vit. E njëjta vaksinë jepet edhe në moshën 7-vjeçare, 13-vjeçare dhe në raste të veçanta edhe në moshën 19-vjeçare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) e konsiderojnë Shqipërinë si një vend që ka një Program të mirë Kombëtar të Kontrollit të TB dhe që ka qenë i suksesshëm në luftën kundër tuberkulozit. Sipas udhërrëfyesve të ISHP-së, situata epidemiologjike e stabilizuar në Shqipëri pasqyrohet në një rezistencë të ulët bakteriale dhe sidomos në TB multirezistent (MDR): < 2% në nivel kombëtar. Ndërsa ka rezultate të mira trajtimi, me rreth 90% trajtime të suksesshme.
Një ekip në Holandë nis i pari që këtë javë, duke rekrutuar 1000 punonjës të kujdesit shëndetësor në tetë spitale holandeze të cilët një grup do të marrë vaksinën kundër tuberkulozit, të quajtur bacillus Calmette-Guérin (BCG), ndërsa grupi tjetër një injeksion placebo (jo ilaç).
Vaksina BCG është emëruar sipas mikrobiologëve francezë Albert Calmette dhe Camille Guérin, të cilët e zhvilluan atë në fillim të shekullit të 20-të. Ajo u jepet fëmijëve në vitin e tyre të parë të jetës në shumicën e vendeve të botës dhe është e sigurt dhe e lirë, por larg nga përsosmëria: Parandalon rreth 60% të rasteve me TB. Vaksina BCG shpesh shkakton një shenjë që të gjithë e kemi në vendin e injektimit.
Vaksinat në përgjithësi rrisin përgjigje imune specifike për një patogjen të synuar, siç janë antitrupat që lidhin dhe neutralizojnë një lloj virusi, por jo të tjerët.

Peter Aaby dhe Christine Stabell Benn

Por BCG gjithashtu mund të rrisë aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar patogjenët përveç bakterit të tuberkulozit, sipas studimeve klinike dhe vëzhgimeve të publikuara gjatë disa dekadave nga studiuesit danezë Peter Aaby dhe Christine Stabell Benn. Ata arritën në përfundimi se vaksina parandalon rreth 30% të infeksioneve me ndonjë patogjen të njohur, përfshirë viruse, në vitin e parë pas injektimit të saj. Studimet e publikuara në këtë fushë janë kritikuar për metodologjinë e tyre, megjithatë një përmbledhje e vitit 2014 e kominsionuar nga Organizata Botërore e Shëndetit arriti në përfundimin se vaksina BCG duket të ulë vdekshmërinë e përgjithshme tek fëmijët. Një përmbledhje e vitit 2016 ishte pak më pozitive në lidhje me përfitimet e mundshme të BCG, ndërsa nënvizoi se vlerësimet duheshin dhënë rast pas rasti. Që atëherë, provat klinike janë forcuar dhe disa grupe studiuesish kanë bërë hapa të rëndësishëm që hetojnë se si BCG mund të forcojë në përgjithësi sistemin imunitar.

Mihai Netea

Mihai Netea, një ekspert i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Radboud, zbuloi se vaksina mund të kundërshtojë njohuritë e deritanishme se si funksionon imuniteti. Kur një patogjen hyn në trup, qelizat e bardha të gjakut janë të parat që hidhen në sulm. Nëse këto qeliza dështojnë, hyn në lojë sistemin imunitar “adaptiv” dhe qelizat T dhe qelizat B që prodhojnë antitrupa fillojnë të ndahen për t'u bashkuar në këtë luftë.
Çelësi i kësaj është që qeliza të caktuara T ose antitrupat janë specifikë për patogjenin; prania e tyre amplifikohet më së shumti. Sapo të eliminohet patogjeni, një pjesë e vogël e këtyre qelizave specifike patogjene shndërrohen në qeliza të kujtesës që shpejtojnë prodhimin e qelizave T dhe qelizave B herën tjetër kur ky sulm patogjen përsëritet. Vaksinat bazohen në këtë mekanizëm imuniteti. Sistemi imunitar i lindur, i përbërë nga qeliza të bardha të gjakut si makrofagët (qelizat vrasëse natyrale) dhe neutrofilet, supozohej se nuk kishte një kujtesë të tillë.
Por ekipi i Netea zbuloi se vaksina BCG, e cila mund të mbetet e gjallë në lëkurën e njeriut deri në disa muaj, duke shkaktuar jo vetëm qelizat B dhe T të kujtesës specifike të Mycobacterium, por edhe stimulon qelizat e lindura të gjakut për një periudhë më të zgjatur. Netea dhe kolegët e saj e quajnë këtë “Imunitet të Trajnuar”.
Në një studim të publikuar në 2018, ekipi tregoi se vaksinimi me BCG mbron kundër infeksionit eksperimental me një formë të dobësuar të virusit të etheve të verdha. Së bashku me Evangelos Giamarellos nga Universiteti i Athinës, Netea ka ngritur një studim në Greqi për të parë nëse BCG mund të rrisë rezistencën ndaj infeksioneve në përgjithësi te njerëzit e moshuar. Ai po planifikon të fillojë së shpejti një studim të ngjashëm në Holandë. “Projekti ka nisur përpara se të shpërthente epidemia e Covid-19, por pandemia mund të zbulojë efektet e gjera të BCG më qartë”, thotë Netea.
Një grup hulumtues në Universitetin e Melbourne ka ngritur tashmë një studim të BCG midis punonjësve të kujdesit shëndetësor duke përdorur të njëjtin protokoll. Një tjetër grup studimi në Universitetin Exeter do të bëjë një studim të ngjashëm tek të moshuarit. Dhe një ekip në Institutin Max Planck për Biologjinë e Infeksionit javën e kaluar njoftoi se - i frymëzuar nga puna e Netea - do të fillojë një vlerësim të ngjashëm tek të moshuarit dhe punonjësit e shëndetit me VPM1002, një version i modifikuar gjenetikisht i BCG që ende nuk është aprovuar për përdorimin kundër tuberkulozit.

Eleanor Fish

Eleanor Fish, një imunologe në Universitetin e Torontos, thotë se vaksina me siguri nuk do të eliminojë plotësisht infeksionet me koronavirusin e ri, por ka të ngjarë të zvogëlojë ndikimin e tij tek individët. Fish thotë se do ta bënte vaksinën vetë pavarësisht hamendësimeve etike mbi këtë eksperiment. Por Netea thotë modeli i testimit të rastësishëm është thelbësor në këtë aspekt. “Përndryshe nuk do ta dinim kurrë nëse kjo është e mirë për njerëzit”, thotë ai. Ekipi mund të ketë përgjigje brenda disa muajve.

Genc Sulçebe

Ndërkohë në Tiranë, profesor Genc Sulçebe, themelues i Imunologjisë shqiptare, shprehet në një nga postimet e tij të shumta këto kohë në profilin e tij në Facebook, se “duhet te kemi besim te gjenet e imunitetit të popullatës shqiptare”. “Mos harrojmë se popullata urbane shqiptare është urbanizuar vonë dhe mund të ketë një mbrojtje imunitare të rritur ndaj koronaviruseve që duket se kanë ardhur nga kafshët e zonave rurale. Pra, të mos panikohemi nga armiq që njerëzimi i ka njohur hershëm siç janë viruset, por të luftojme ata armiq që solli “civilizimi” dhe mbipopullimi siç janë sëmundjet nga mbiushqimi, jeta sedentare apo sëmundjet tumorale”, shprehet profesor Sulçebe. /Sciencemag, ISHP


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë