Shkencë

Epidemia e Ebolës u zbulua disa javë më vonë!

Rastet e para në Republikën Demokratike të Kongos u zbuluan kur sëmundja ishte tashmë e përhapur, kryesisht për shkak të testimit jo-efikas

Gazeta Si – Një vonesë prej afërsisht një muaji në identifikimin e rasteve të para të Ebolës, kontribuoi në përhapjen e sëmundjes në Republikën Demokratike të Kongos (RDK), më shpejt se ajo e vërejtur në epidemitë e mëparshme.

Dështimi për të zbuluar sëmundjen, ishte për shkak të disponueshmërisë së kufizuar të testimit në verilindje të vendit, ku ndodhi shpërthimi fillestar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), deri më tani ka marrë raporte për mbi 500 raste të dyshuara dhe 130 vdekje të dyshuara, por vetëm 30 raste janë konfirmuar nga autoritetet lokale shëndetësore.

Epidemia është shkaktuar nga virusi ebola “Bundibugyo”, i identifikuar për herë të parë rreth njëzet vjet më parë në Ugandë dhe më i rrallë se virusi ebola i Zairesë, i cili shkakton formën më të përhapur dhe të njohur të sëmundjes.

Përhapja e kufizuar e virusit ishte ndoshta shkaku kryesor i vonesës në identifikimin e shpërthimit të ri në Provincën Ituri.

Shpërthimi u konfirmua nga autoritetet shëndetësore kongoleze më 15 maj, por dyshohet se një nga rastet e para daton të paktën më 25 prill, por fillimisht kishte kaluar pa u vënë re.

Në fazat e hershme të sëmundjes, simptomat e Ebolës përfshijnë lodhje, dhimbje koke dhe ethe, gjendje që mund të ngatërrohen me sëmundje më pak të rënda.

Në fazën e dytë të sëmundjes, simptomat përkeqësohen, duke shkaktuar të vjella dhe diarre shumë dobësuese, me ethe hemorragjike që në shumë raste rezultojnë fatale. Nëse sëmundja nuk identifikohet herët, rreziku i infeksionit të përhapur në mesin e popullatës rritet.

Virusi mund të transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet nga një person i sëmurë, siç janë gjaku, pështyma, jashtëqitjet dhe të vjellat.

Ata që kujdesen për njerëzit me simptoma, janë pra në rrezik të lartë për t’u infektuar nëse nuk kanë mbrojtje të mjaftueshme.

E njëjta gjë vlen edhe për procedurat e varrimit: virusi mbetet ngjitës për një kohë të gjatë edhe pas vdekjes.

Në një raport të kohëve të fundit, OBSH përmendi një “vonesë vendimtare katër-javore në identifikimin” e rasteve të para përmes testimit laboratorik.

Transmetimi i virusit në mesin e popullatës ishte pra duke u zhvilluar përpara se të aktivizoheshin procedurat e përmbajtjes, siç kërkohet nga protokolle të ndryshme në RDK, ku shpërthimet e reja të Ebolës janë të përsëritura.

Testet fillestare mbi mostrat e mbledhura nga njerëz të sëmurë dhe të kryera në Bunia (një qytet pranë zonës së shpërthimit), rezultuan negative, pasi ato me shumë gjasa ishin kalibruar për të zbuluar praninë e virusit Ebola të Zaires dhe nuk ishin specifike për virusin Ebola të “Bundibugyo”.

Mostrat u dërguan më pas në Kinshasa, kryeqytetin e RDK-së, ku një analizë më e gjerë konfirmoi infeksionin me virusin Ebola të “Bundibugyo” në tetë nga 13 mostrat e dërguara.

Organizata ndërkombëtare jofitimprurëse Mjekët pa Kufij, mori raporte midis 9 dhe 10 majit për një rritje të pazakontë të vdekjeve në zonën Mongbwalu, në veriperëndim të Bunias.

Simptomat sugjeronin ethe hemorragjike, por marrja e informacionit është e vështirë, sepse zona është e vështirë për t’u arritur gjatë kësaj periudhe për shkak të sezonit të shirave.

Për më tepër, milicitë rivale janë aktive në Mongbwalu, duke zhvilluar luftë kundër njëra-tjetrës dhe duke u përleshur shpesh me ushtrinë kongoleze dhe duke e bërë aksesin të pasigurt për punonjësit e shëndetësisë.

Gjatë fundjavës, OBSH-ja e shpalli epideminë një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar, pasi zbuloi disa raste në Ugandë.

Deklarata shërben për të aktivizuar përpjekjet e koordinimit ndërkombëtar për të zvogëluar rrezikun e përhapjes në vende të tjera në Afrikë dhe në pjesën tjetër të botës.

Për momentin, rreziku është i ulët dhe viruset e ebolës në përgjithësi nuk janë aq ngjitëse sa viruset që zakonisht shkaktojnë pandemi.

Megjithatë, rastet duhet të gjurmohen dhe të izolohen për të parandaluar infeksionet e përhapura lokale, të cilat mund të rezultojnë në vdekjen e mbi një të tretës së atyre që infektohen me virusin.

Vonesa në identifikimin e shpërthimit ka luajtur një rol kyç në përhapjen aktuale të sëmundjes dhe, sipas ekspertëve, tregon nevojën për të rimenduar jo vetëm procedurat, por edhe vetë testet për të zbuluar praninë e virusit.

Zhvillimi i testeve universale për llojet e ndryshme të ebolës, është sfidues për shkak të dallimeve të tyre gjenetike.

Për më tepër, në zonat rurale dhe të izoluara, problemet e identifikimit të shpejtë janë gjithashtu për shkak të mungesës së laboratorëve të pajisur dhe vështirësisë në transportimin e mostrave biologjike.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë