Ngjarje

Një tjetër protestë pritet të rindizet në Ballsh

Fillimi i nëntorit shënon përfundimin e marrëveshjes mes qeverisë dhe naftëtarëve të Ballshit të cilët po mblidhen çdo ditë para mjediseve të uzinës me shpresën për të marrë një përgjigjie se çfarë do të ndodh më tej pas pagës së tyre të fundit.

Pas 45 ditësh grevë urie, më 13 nëntor naftëtarët ranë dakord me qeverinë që të merrnin një pagë prej 40 mijë lekësh për një vit si dhe pagimin e sigurimeve shoqërore për 12 muaj. Mirëpo pas përfundimit të këtij afati, ata mbeten sërish pa zgjidhje.

Kryetari i Sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj tha për Gazetasi.al se zgjidhja e vetme e këtij ngërçi për ta mbetet vetëm rivënia në punë e rafinerisë.

“Kryeministri para pak ditësh në një dalje televizive ka dhënë dy opsione. Ai tha se sipas tij dy investitorë që kishin ardhur për vlerësime, e kishin parë pa përfitim investimin në këtë rafineri të përpunimit të naftës. 

Opsioni i dytë është demantimi, shkulja ose kalimi për skrab i rafinerisë dhe likuidimi i palës sipas rrugëve ligjore.

Kjo e dyta është shumë negative pasi e gjithë krahina dhe zona jonë janë të varura drejtëpërdrejtë nga prodhimi i rafinerisë që është një sektor jetik për ne.

Para pak ditësh kemi parë protestën e bujqëve në bujqësi, mbase peshkimit do i vijë rradha më mbrapa ashtu si dhe transportit e mjeteve të rënda që varen drejtëpërsëdrejti tek nafta D2 që duhet të kalojë në subvencion.”-tha ai për Gazetasi.al

Rafineria e Ballshit

Dautaj shton se e gjithë kjo situatë e mbarsur ngre herë pas herë enigma dhe pyetje për të cilët ata presin përgjigjie.

“Ka disa pyetje që i kemi ngritur dhe parashtuar kur qeveria na thoshte që raportet kanë qenë privat me privat.

Pyetja e parë, çfarë ndodhi në privat ku për dy vjet nuk është paraqitur në dyert e rafinerisë njeri? Ku ishte privati në këtë periudhë?

E dyta, nëse shteti zgjidh raportet me privatin atëherë është shumë e thjeshtë që kjo rafineri të kalojë në pronësi të shtetit dhe kjo është ajo që kërkojmë ne.”

Ai shton se në Ballsh nuk mungon as lënda e parë,as rafineria dhe as punëtorët që janë të kualifikuar. Në këtë mes sipas tij mungon vetëm dëshira për të ulur palët dhe për të gjetur një zgjidhje përfundimtare që ky problem mos të zgjatet ndër vite.

“Na është thënë se zgjidhja do merret vesh në kohën e duhur dhe koha e duhur për mua si kryetar i sindikatës ka ardhur sepse nuk ka një datë fikse për të arritur në një zgjidhje serioze.

Tani është koha e përshtatshme,të ulen palët dhe grupet e interesit në bisedime. Ne nuk themi se çdo gjë duhet të kalojë në perfeksion. Jemi dakord edhe më një zgjidhje negative ligjore, nuk kemi kërkuar asgjë tjetër.

Dautaj tha për Gazetasi.al se kjo situatë ka krijuar një hendek të madh dhe nuk është dakord me “viktimizimin” e shtetit që hiqet sikur ka komanduar gjithë kohën privati.

“Nëse nuk do kishte komanduar shteti, do i kishim zgjidhur raportet drejtëpërdrejtë me privatin dhe nuk do kishim përse të prisnim përgjigjie nga qeveria.”

Kreu i sindikatës thekson se janë 850 naftëtarë të cilët nuk kanë profesion tjetër dhe i kanë varur të gjithë shpresat tek fjala e qeverisë.

Lidhur me rinovimin e marrëveshjes ai shtoi se asnjë nga naftëtarët nuk e shpresonte një gjë të tillë pavarësisht se ata marrin njëlloj pagese dhe nëse nuk do merrnin përgjigjie, ata do të vazhdonin me protesta po jo me grevë.

“Ne nuk urojmë që të ndodh një marrëveshje në aktin financiar për një periudhë të shkurtër kohore sepse ne jemi personel i aftë për punë që  prodhojmë qindra milionë euro.

 Në të mirën e qytetit dhe të punëtorëve është vetëm rivënia në punë e rafinerisë.”-mbylli fjalinë ai duke theksuar që zëri i naftëtarëve nuk duhet të bijë më në vesh të shurdhër në një vend ku për fat sa të mirë aq dhe të keq jetojmë mbi naftë dhe jemi në borxhe.

Si nisi protesta e naftëtarëve?

Naftëtarët e uzinës në Ballsh protestuan vitin e kaluar për muaj me radhë për pagat e pamarra edhe pse kishin punuar në kohë pandemie, kur gjithçka ishte e mbyllur dhe në “shtetrrethim”.

Pasi panë që nga protestat e tyre nuk pati asnjë reagim, ata vendosën që të futeshin në grevë urie në ambientet e Rafinerisë ku burrat qëndruan 22 ditë, ndërsa gratë 23, derisa pranuan ofertën e bërë nga kryeministri Edi Rama.

Qeveria u ofroi atyre 40 mijë lekë të reja rrogë për një periudhë 1-vjeçare si dhe pagimin e kontributeve  e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën nëntor 2020-tetor 2021.

Në vendimin e qeverisë thuhej qartë se nëse pas kësaj periudhe nëse në rafineri nuk afrohej asnjë investim, atëherë naftëtarët nuk do të merrnin më mbështetje nga shteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë