Politike

Një parti e re, Rudina Hajdari themelon ‘Bindjen Demokratike’

Rudina Hajdari ka vendosur që të krijojë një parti të re. Emri i përzgjedhur është “Bindja Demokratike” dhe nismës së saj pritet që t’i bashkohen edhe ish-drejtues dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike.

Deri më tani përflitet se Rudina Hajdarit do t’i bashkohet ish-nënkryetari i PD-së Astrit Patozi. Ky i fundit e ka mbështetur publikisht aksionin opozitar brenda Parlamentit të deputetes që refuzoi vendimin e Lulzim Bashës dhe strukturave të tjera të PD-së për të dorëzuar mandatet.

Lexo edhe:
- A do ta drejtojë opozitën e re, Rudina Hajdari?
- PS fton opozitën e re për reformën zgjedhore, te PD tjetër rrjedhje

Për regjistrimin e partisë së re, Rudina Hajdarit dhe bashkëpunëtorëve të saj u nevojitet mbledhja e tre mijë firmave. Procesi i mbledhjes së tyre ka nisur, por mbetet për t’u parë nëse ato do të dorëzohen në kohë brenda ditës së martë, kur është afati i fundit i regjistrimit të partive që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Sinjalin e radhës se nuk kishte ndërmend që të bojkotonte zgjedhjet për pushtetin vendor që po afrojnë, deputetja e dalë nga listat e Partisë Demokratike e dha në seancën e fundit të Parlamentit. Në këtë seancë u ndanë grupet parlamentare të PD-së dhe LSI-së, një vendim që juridikisht ka shkaktuar pështjellim, nëse është ligjor apo jo.

Ngërçi duket se është kapërcyer, pasi vetë grupi i drejtuar nga Rudina Hajdari mban një emër tjetër nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ai quhet “Grupi Parlamentar Demokrat”. Në fjalimin e mbajtur nga foltorja më 18 prill, ajo foli me bindje se personalisht dhe deputetët e tjerë që kishin refuzuar urdhrin e djegies së mandateve përfaqësonin interesin e publikut dhe kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Ne kemi bindjen e plotë se përfaqësojmë interesin publik, në një masë shumë të gjerë, që shkon përtej Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat sipas nesh, janë forcat politike që kanë përfituar më së shumti nga ky sistem dhe sipas të gjitha gjasave do të përpiqen ta ruajnë atë të pandryshuar”, deklaroi ajo ndër të tjera.

Bojkotin e cilësoi vetëvrasje politike dhe kërkoi edhe njëherë që partitë e opozitës ta rimendonin këtë vendim, por duke mos u ndalur me kaq.

“Duke gjykuar se zgjedhjet për pushtetin vendor janë shumë të rëndësishme për çdo qytetar, ne do të shpalosim alternativën tonë edhe në zgjedhjet e 30 qershorit, ndonëse koha në dispozicion është fare e shkurtër dhe kjo në disfavorin tonë. Por ne jemi gati ta kapërcejmë këtë problem, sepse mendojmë që mungesa e një alternative për demokratët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme vendore është hall më i madh për Shqipërinë”, deklaroi ajo.

Rudina Hajdari dhe Astrit Patozi

Hajdari ftoi çdo demokrat që t’i bashkohet nismës, që në atë ditë vetëm sa u sinjalizua, por nuk ishte zyrtare. Fjala e saj u përshëndet menjëherë nga Astrit Patozi në rrjetet sociale.

“Urimet më të mira dhe suksese Grupit Parlamentar Demokrat! Opozitë të fortë dhe denoncim të qeverisë së korruptuar, në mbrojtje të interesit publik. Përfaqësim dinjitoz të zgjedhësve në parlament dhe përgatitje e alternativës së re për qytetarët shqiptarë”, komentoi ai.

https://www.facebook.com/Astrit.Patozi/posts/2313968271996396

Kauza kryesore e partisë së re pritet të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe riformatimi tërësor i sistemit politik shqiptar.

Por a janë pjekur kushtet për një parti të re të së djathtës në Shqipëri? A mund ta zëvendësojë kjo alternativë Partinë Demokratike? A mund të zëvendësojë vetë Rudina Hajdari, apo ndonjë element tjetër që do t’i bashkohet nismës së saj, Lulzim Bashën e Sali Berishën?

Shembujt nga e shkuara tregojnë që jo. Dy janë përçarjet më të mëdha të PD-së ndër vite. Fillimisht pas largimit të Genc Pollos, që themeloi Partinë Demokratike të Re dhe më pas Bamir Topi, Gazment Oketa dhe Aleksandër Biberaj, që themeluan Frymën e Re Demokratike. Me përjashtim të Bamir Topit, të gjithë të tjerët janë rikthyer në Partinë Demokratike, pas dështimit për t’u shndërruar në faktor elektoral me partitë që themeluan.

A do t’ja dalë mbanë Rudina Hajdari që tek “e treta e vërteta” të provojë të kundërtën? Koha do ta vërtetojë dhe testi i parë për këtë është 30 qershori, ku “avantazh” deri më tani është bojkoti i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë