Politike

PS fton opozitën e re për reformën zgjedhore, te PD tjetër rrjedhje

Partia Socialiste paralajmëron ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pa Partinë Demokratike. Për ta ndërmarrë këtë hap socialistët po mendojnë ta ftojnë “opozitën e re” që ndodhet në Parlament. Një gjë e tillë është vendosur në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS-së, ku u tha që të propozojë në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore deputetët e rinj të opozitës.
Gjithashtu hapi tjetër që PS-ja pritet të marrë në Parlament është shtyrja e afatit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore me tre muaj.

Damian Gjiknuri, deputeti i PS-së, i caktuar si sekretar i PS-së për Çështjet Zgjedhore do të jetë bashkëkryetar i komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ish-ministri do t’ia zërë vendin Blerina Gjylametit.

Një lëvizje e guximshme kjo e mazhorancës, duke pasur në konsideratë se të gjitha ndryshimet ligjore të Kodit Zgjedhor, si pjesë e reformës zgjedhore janë kryer mbi bazën e një pakti politik ndërmjet dy partive të mëdha PS dhe PD.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor është një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave. Për këtë ndërkombëtarët, pavarësisht mungesës së PD-së në Parlament po tentojnë që të shtyjnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nisur nga fakti se një pjesë e deputetëve të rinj të opozitës plotësojnë kuorumin e nevojshëm për të arritur 84 votat.

Vetë Gjiknuri disa ditë më parë pati një takim me ambasadoren e Republikës së Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz.
“Bashkëbiseduam rreth përpjekjeve të vazhdueshme të Partisë Socialiste për të çuar përpara reformën zgjedhore, me konsensus sa më të gjerë politik dhe në konsultim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare që monitorojnë standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, do të shkruante Gjiknuri në Facebook.

Gjiknuri gjatë takimit me ambasadoren gjermane


Gjithashtu ambasadorja gjermane përpara takimit me Gjiknurin zhvilloi edhe një bisedë me deputeten demokrate Rudina Hajdari.

Kryeministri Edi Rama pati deklaruar në Parlament se është i gatshëm të miratojë ndryshimet në Kodin Penal dhe në Kodin Zgjedhor sa i përket çështjes së zgjedhjeve, duke ia plotësuar kushtin PD-së, edhe pse ndodhet jashtë Parlamentit. Ai ka bërë të ditur se mjafton që këto ndryshime ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar votash t’i votojnë deputetët e rinj të opozitës, duke nënkuptuar që PD dhe LSI të japin miratimin parimisht.

Por përpara kësaj lëvizjeje, kryeministri Edi Rama në seancën e 28 marsit deklaroi gjithashtu se opozitës mund t’i jepte edhe të drejtën e vetos. “Nuk kemi ngut ne të kalojmë reformën zgjedhore akoma, patjetër që zonjat e zotërinjtë që janë këtej (opozita e re) nuk i kemi sjellë ne, por lista e firmosur nga artisti Lulzim Basha dhe doktoresha. Në komisionin zgjedhor do të gjejmë rrugën që të ketë një derë edhe për ata, jo këtu (ne Kuvend), por një derë në tryezë. Jemi gati që atyre (PD-LSI), sidoqoftë, meqë kanë vulat e partive, t'u njohim të drejtës e vulës dhe vetos po të duan, por nuk do të presim gjatë, aq sa është e arsyeshme, pasi nuk e lëmë veten në dorë të gjykimeve subjektive në qershor se ata nuk duan të vijnë. Ata nuk i duan negociatat dhe mendojnë se duke bërë këtë mund të pengojnë negociatat. Mund të ndikojnë, por duke menduar se do e kenë më kollaj të marrin pushtetin është dëshpërim. E mira e tyre është të hyjnë në zgjedhje. Zgjedhjet do të bëhen”, deklaroi Rama.

Ndërsa kjo lëvizje taktike e mazhorancës, mund të lidhet edhe me faktin e shmangies së komisionerëve partiakë në KZAZ dhe KQV, duke shmangur kështu edhe ndonjë bojkot të partive të opozitës, PD dhe LSI nga pjesëmarrja në komisionet zgjedhore.
Gjithsesi vendimmarrja për ndryshimet e Kodit të ri Zgjedhor do të përcaktojnë nëse ato të jenë të vlefshme për këto zgjedhje lokale, apo do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nuk kanë munguar as thirrjet e ndërkombëtareve që Parlamenti të vijojë me reformat dhe në mënyrë të veçantë, të miratojë reformën zgjedhore.

Të mërkuën seancë dhe protestë, PD-së i ikën një kandidat

Grupi parlamentar i PS-së ka vendosur që seancën parlamentare ta zhvendosë të mërkurën, duke lënë të enjten bosh. Ndërsa vendimi i shpallur nga mazhoranca për ndryshimin e seancës solli dhe reagimin e opozitës, e cila paralajmëroi mbajtjen e protestës së radhës përpara Parlamentit. Burimet brenda selisë blu bëjnë me dije se opozita do të protestojë sërish para Kuvendit të mërkurën në 9.30.

Degët e Tiranës dhe disa qytete përreth janë njoftuar që të jenë në gatishmëri për protestën.
Ndërkaq opozita e ndodhur jashtë Parlamentit, ka ndërmarrë aktin e paprecedent atë të dorëzimit të mandateve të deputetëve.
Përveç 3 deputetëve, Rudina Hajdari, Myslym Murrizi të PD-së dhe Lefter Koka i LSI-së, të gjithë të tjerët iu përgjigjen thirrjes së dorëzimit të mandateve.
Prej javësh KQZ është në procesin e zëvendësimit të vakancave, e cila po has në vështirësi për gjetjen e emrave nga listat shumemërore PD e LSI. Por nga radhët e tyre kanë dalë kandidatë që kanë pranuar marrjen e mandatit. Deri më tani janë 11 nga LSI që janë deputetë. Ndërsa nga PD janë 6 të rinj.
Ndërsa mësohet se një tjetër opozitar tradhtoi vendimin e partisë duke mos refuzuar marrjen e mandatin. Halil Jakimi është kandidati në listën e PD-së për qarkun e Dibrës, që ka pranuar marrjen e mandatit të deputetit, duke dorëzuar pranë KQZ formularin e dekriminalizimit.

Halil Jakimi dhe kryetari i PD, Lulzim Basha


Ai është sekretari i degës së PD-së për Bulqizën dhe pritet të marrë mandatin e Xhemal Gjunkshit. PD në Dibër kishte dy mandate deputeti. Ndërsa Korab Lita i PD pritet të jetë deputeti tjetër. Ai do të marrë mandatin e deputetit Dashamir Shehit. Nga radhët e LSI-së Ambra Borova pritet të betohet në seancën e së mërkurës. Parlament shkon kështu në 101 deputetë.

Deputetët e rinj

LSI
Ylli Shehu
Enver Rroshi
Aurora Mara
Edmond Rrushi
Elda Hoti
Edlira Hyseni
Ediola Braha
Ralf Gjoni
Nimet Musaj
Enada Kapllani
Ambra Borova ( betohet seancën e ardhshme)

PD
Majlinda Halilaj
Alban Zeneli
Ligoraq Karamelo
Lefter Maliqi
Adriatik Alimadhi
Arben Elezi
Korab Lita
Halil Jakimi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë