Politike

Hajdari: Do të bëj hapa të sigurtë larg politikës së vjetër

Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, nga foltorja e Kuvendit u shpreh e sigurt se është në politikë për të bërë hapa të sigurt larg politikës së vjetër, siç tha ajo dhe se askush nuk mund ta gjykonte për vendimet e marra.
“Askush nuk mund ta gjykojë vendimin tim, do bëj hapa të sigurt larg politikës së vjetër. Në ditët dhe muajt që do vijnë, do kem propozime konkrete për ta kthyer vendin në normalitet. Unë dua të sjell një frymë të re parlamentare që do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë këtij tranzicioni”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, ajo ka akuzuar hapur qeverinë, që sipas saj, erdhi në pushtet nga vota e 23% e shqiptarëve dhe që sot nuk do t’ia dijë më as për mbështetësit e saj.
“Të mos lejojmë që të bëhemi shembull i rrezikshëm në sytë e botës. Një qeveri që vazhdon të mos pranojë me arrogancë gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve, mosluftimi i krimi të organizuar, vrasjet në qendrat e qyteteve, abuzimi me fëmijët, papunësia, largimi masiv i qytetarëve, janë epidemi shkatërruese për vendin. Kjo qeveri e dalë nga fitore gjysmake e votuar nga 23% e shqiptarëve nuk do t’ia dijë më as për mbështetësit e saj. Keqpërdorimi i fondeve publike dhe nëpërkëmbja e dinjitetit njerëzor ka shkatërruar besimin e çdokujt. Unë ashtu si çdo deputet që është këtu, jam përgjegjëse para zgjedhësve të mi, që më kanë votuar, por edhe atyre që nuk më kanë votuar”, u shpreh Hajdari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë