Pastrimi i parave dhe hyrja e kapitalit me burim kriminal në ekonominë shqiptare po ndikojnë në konkurrencën mes bizneseve dhe tregun e pasurive të paluajtshme sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cila lidh pastrimin e parave me vështirësitë e biznesit, zhvlerësimin e euros dhe pamundësinë e të rinjve për të blerë një banesë.
Sipas saj, ndërsa sipërmarrjet përballen me taksa, kosto dhe pasiguri, kapitali me burim kriminal hyn në të njëjtin treg pa të njëjtat kufizime ekonomike.
“Biznesi që paguan taksat konkurron me kapitalin që kërkon të pastrohet”, shprehet ajo.
Tabaku argumenton se një sipërmarrës i ligjshëm duhet të paguajë kredinë, interesat dhe punonjësit, ndërsa kapitali që synon pastrimin e parave mund të pranojë edhe humbje për të siguruar një pasuri që duket e ligjshme. Sipas saj, kjo pabarazi prek çmimin e tokës, qiratë, apartamentet dhe kushtet në të cilat operojnë bizneset.
“Për familjen, apartamenti është shtëpia ku do të jetojë. Për kapitalin kriminal, ai mund të jetë mjeti, por është edhe rruga ku fshihet pasuria kriminale”, deklaron deputetja.
Një tjetër shqetësim që ajo ngre është zhvlerësimi i euros dhe ndikimi te familjet që marrin të ardhura nga emigracioni dhe te eksportuesit që paguajnë një pjesë të konsiderueshme të kostove në lekë. Tabaku kundërshton paraqitjen e forcimit të lekut si tregues të mjaftueshëm të suksesit ekonomik, duke kërkuar që vlerësimi të mbështetet te prodhimi, produktiviteti dhe mirëqenia.
Deputetja akuzon qeverinë për një “ortakëri të pandershme” me krimin dhe e konsideron kontrollin e burimit të investimeve përgjegjësi të institucioneve shtetërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje