Politike

A do ta drejtojë opozitën e re, Rudina Hajdari?

Djegia e mandateve të deputetëve të opozitës ka shkaktuar një situatë të pazakontë në arenën politike shqiptare. Ndërkombëtarët po kritikojnë ashpër aktin ekstrem të opozitës, madje ata kanë bërë thirrje që Parlamenti të plotësohet me kandidatët e listës shumëemërore, duke u bërë thirrje që të refuzojnë apelin e partive, PD dhe LSI për refuzimin e mandateve. Ndërkohë që ditët e fundit po vihet një re se një pjesë e kandidatëve në listat shumemërore po pranojnë të bëhen deputetë nga radhët e opozitës. Deri më tani numri i atyre që po cilësohen si opozita e re në Parlament po shkon në 12 deputetë, gjasat kanë arsye që numri të rritet.
Në Parlament nga radhët e Partisë Demokratike vetëm dy deputetë nuk pranuan që të dorëzojnë mandatin. Ata janë Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi. Nga LSI-ja i vetmi që nuk pranoi urdhrin e partisë ishte Lefter Koka.
Vendimi për mos djegien e mandatit nga ana e Rudina Hajdarit, vajzës së liderit të dhjetorit ’90, Azem Hajdari, ka ngjallur interes te ndërkombëtarët, të cilët kontestojnë fuqishëm aktin e opozitës. Ata duket se po ndërmarrin hapa që opozita të ketë një zë të sajin zyrtar në Parlament. Dhe spiranca e shpresës për këtë duket pikërisht deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, e cila pati deklaruar se vendimin e mori pas konsultimeve mes partnerët ndërkombëtare si SHBA dhe të vendeve anëtare të BE-së.
Kohët e fundit, Hajdari është vënë në qendër të vëmendjes nga ana e ndërkombëtarëve. Kujtojmë këtu se disa ditë më parë, përpara se ajo ta shfaqte publikisht vendimin për të mos djegur mandatin, u shfaq në krah të ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca. Ndërsa sot, Hajdari pati një takim me ambasadoren e Gjermanisë në vendin tonë, Sussane Shutz.
Vetë demokratja e ka postuar në Facebook këtë takim dhe thekson se ndërkombëtarët ishin tejet të shqetësuar nga situata që është krijuar në Shqipëri.

Deputetja Hajdari gjatë takimit me ambasadoren gjermane


“Miqtë tanë evropianë dhe gjermanë janë tepër të shqetësuar për krizën politiko-institucionale në vend ashtu sikurse është i shqetësuar çdo qytetar shqiptar. BE kërkon me të drejtë përgjegjshmëri të lartë dhe integritet nga politikanët shqiptarë, nga qeveria dhe opozita. Është e papranueshme që politika në tërësi të vazhdojë me modelin e vjetër që nuk përfaqëson aspak qytetarët shqiptarë, aspiratat, qëllimet dhe vlerat e tyre. Dorëzimi në bllok i mandateve nga ana e opozitës nuk është zgjidhje, ashtu siç nuk është aspak zgjidhje arroganca qeveritare. Sjellja e politikës shqiptare sot është modeli më i keq i mundshëm që po u ofrojmë qytetarëve shqiptarë dhe sidomos të rinjve”, shkruan Hajdari në Facebook.
Më pas ajo paralajmëron dhe një aksion të mundshëm politik që mund të sjellë zhvillime për mënyrën e përfaqësimit të opozitës në Parlament.
“Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të presim që ky ngërç i paprecedent politiko-institucional të zgjidhet vetë. Situata mund të agravojë kur aktorët nuk vlerësojnë siç duhet rrethanat. Të gjithë aktorët kanë detyrimin që të reagojnë sa më parë për të orientuar një zgjidhje politike të gjithë pranueshme për krizën e paprecedentë në cilën gjendet sot Shqipëria, për një zgjidhje që siguron në radhë të parë interesin qytetar dhe kombëtar, pa ceduar demokracinë me qëllim që të ndikojmë pozitivisht të ardhmen e Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në BE”, thekson Hajdari në postimin e saj.
PD ndërkohë ka paralajmëruar se nuk bëhet fjalë për opozitë të re apo të vjetër, pasi ka vetëm një dhe ajo është jashtë Parlamentit. Ndërsa kanë paralajmëruar përjashtimin e Hajdarit dhe të Murrizit nga partia.
Në Parlament aktualisht janë katër deputetë të PD-së, Rudina Hajdari, Myslym Murrizi, Ligoraq Karamelo dhe Lefter Maliqi. Pjesa tjetër e opozitarë i përkasin deputetëve të LSI-së.

https://www.facebook.com/rudinahajdari/photos/a.500450410299449/967353026942516/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë