Politike

Hajdari në krye të deputetëve të PD-së: Nuk bojkotojmë zgjedhjet

Në cilësinë e kryetares së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Rudina Hajdari u shpreh nga foltorja e Kuvendit kundër bojkotit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke paralajmëruar se do të ketë një tentativë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të përfaqësuar demokratët.
“Nuk jemi dakord për bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sado e korruptuar të jetë mazhoranca, nuk duam të bojkotojmë zgjedhjet, përfshi 30 qershorin. Do bëjmë ç’të jetë e mundur të mos i lëmë demokratët pa alternativë, ftoj çdolloj partie opozitare ta rikonsiderojë vendimin për t’i bojkotuar. Ne do të bëjmë çdo gjë, edhe pse kemi kohën në disfavor për të shpalosur alternativën tonë”, u shpreh Hajdari.
Më tej, Hajdari shtoi se kërkesa e grupit që ajo përfaqëson është ulja dhe gjetja e një zgjidhjeje për ndryshimin e sistemit, me qëllim që përfaqësimi të vijë nga populli.

Grupi parlamentar demokrat:
Rudina Hajdari - kryetare
Myslim Murrizi
Korab Litra
Arben Elezi
Arlind Çaçani
Halit Jakimi
Alban Zeneli

Deputetët nga listat e LSI-së e kanë quajtur grupin e formuar ‘Të Pavarur’, i cili do të drejtohet nga Nimet Musai.

Grupi i deputetëve të pavarur:
Nimet Musai - kryetar
Edlira Hyseni
Enver Roshi
Ralf Gjoni
Ediola Braha
Ylli Shehu
Aurora Mara

Soreca: Shpresojmë që opozita të marrë pjesë në zgjedhje

Pas krijimit të grupeve të reja parlamentare sot në Kuvend, vjen edhe një reagim nga ambasadori i BE në Shqipëri, Luigji Soreca.
Ai deklaroi se duhet që opozita e re parlamentare të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa tha se është koha për dialog jo vetëm brenda opozitës, por edhe me qeverinë në mënyrë që të ketë pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
“Ne shpresojmë që opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Ne kërkojmë që opozita të jetë prezente. Tani është koha për dialog. Opozita duhet të flasë jo vetëm me palët e veta, por edhe me qeverinë në mënyrë që të kemi pjesëmarrje”, tha Soreca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë