Ngjarje

Një kondom për hipokrizitë seksuale të shqiptarëve

Suadela Balliu - Nuk mund t’i shpëtoja indinjatës, kur në tavolinë u hodh si gjetje,  titulli “Vajza qepuni, po vijnë emigrantët!”  Ishte viti 2012 dhe kolegu Vladimir Karaj kishte punuar për ditë me radhë mbi një artikull për revistën “Mapo”, që trajtonte procedurën e  himenoplatias, njohur ndryshe si rivirgjërimi. Më shumë sesa ndërhyrja e lehtë mjekësore që merrte një kohëzgjatje pesë deri në dhjetë minuta në konsultoren e një mjeku obstetër-gjinekolog, theksi vihej gjetkë: tek kinse mashtrimi i këtyre vajzave të reja me  një ‘patentë virgjërie’ për emigrantët shqiptarë, të cilët ktheheshin kryesisht gjatë muajve të verës, jo vetëm për t’u çmallur me familjarët, por edhe për të gjetur një nuse, që i plotësonte standardet patriarkale,  të marrjes së një malli me garancinë se ishte i paprekur.  Megjithëse artikulli, i trajtuar gjerësisht me intervista mjekësh specialistë, që kishin asistuar dhjetëra raste të tilla, e vinte theksin tek reminishencat patriarkale që çonin në sjellje hipokrite të një shoqërie që edhe pse jeton në shekullin e 21-të, pretendonte që ca gjëra t’i ruante si në mesjetë, si grua më bënte të ndihesha e fyer. Gratë në Shqipëri merrnin vlerë vetëm nga paprekshmëria e një zone private, thellësisht intime, ndërsa këta burra që kishin jetuar në shoqëri perëndimore – të integruar apo margjinalizuar – që mund të kishin pasur jetë aktive seksuale, me një apo disa partnerë, na ktheheshin në vendin e tyre, si të bënin një udhëtim pas në kohë, në arkaizëm.

Foto e vjetër e një çifti shqiptar, në ditë Pazari, Tiranë

Megjithë argumentet dhe përpjekjet e  kryeredaktorit të revistës së përmuajshme dhe të vetë autorit të shkrimit për të më bindur se ky fenomen ishte i vërtetë,  nuk mund ta shihja veçse si poshtëruese. Jo artikullin që adresonte një problematikë, në dukje në rritje, i shkruar me profesionalizëm dhe i shteruar në të gjitha këndet e vështrimit, sesa për  mënyrën sesi shoqëria na shihte ne, grave. Megjithëse flisnin mjekë të Spitaleve Obstetrike apo edhe vetë drejtoresha e  maternitetit “Koço Gliozheni” , Rubena Moisiu , e cila pohonte se kishte fluks të vajzave që kërkonin t’i nënshtroheshin ndërhyrjes  së “rivirgjërimit” , gjatë muajve të korrikut dhe gushtit, procedura që mjekët e përkufizonin si “as të ligjshme e as të paligjshme”, për shkak se zgjaste fare pak minuta, as nuk regjistrohej.  Kjo bënte që të krijohej një perceptim sikur vajzat, në masë  i nënshtroheshin kësaj ndërhyrjeje që krijonte iluzionin se u garantonte martesën, pa pasur në fakt shifra apo të dhëna të sakta.

Revista Mapo, korrik 2012

Në po të njëjtën kohë, një tjetër fenomen, i lidhur me marrëdhëniet seksuale, ishte ngritur. Një anketim i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik  në disa gjimnaze të Tiranës, rezultatet tregonin për të rinj që kryesonin marrëdhënie në moshën 15 -vjeçare, por kishte edhe nga ata, edhe pse me përqindje të vogël që kishin kryer marrëdhënie seksuale edhe nën moshën 13- vjeçare dhe fakti më tronditës është se kishte edhe nga ata që kishin pranuar se kishin kryer marrëdhënie edhe nën moshën 11- vjeçare. Ky fenomen i marrëdhënieve seksuale që nisnin kaq herët mes adoleshentëve shqiptarë vazhdon të flitet me vite, ku theksi i institucioneve, siç është edhe Instituti i Shëndetit Publik është tek pasoja që vijnë pas kësaj sjelljeje, siç janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shtatzënitë e padëshiruara apo edhe abortet.

Isha ende studente, teksa përgatisja një emision radiofonik mbi abortet, kur një mami, më rrëfente sesi një vajzë trembëdhjetë vjeçare sapo kishte abortuar, e shoqëruar nga e ëma, e cila nuk mund ta rrokte sesi vogëlushja e saj, kishte kryer marrëdhënie e për më tepër kishte mbetur shtatzënë. Ishte viti 2002. Por shumë vite më pas, një anketim i kryer së fundi nga Instituti i Shëndetit Publik dhe ai i Statistikave  (INSTAT), sjellin  një panoramë krejt të ndryshme nga ai që publiku i gjerë kishte perceptuar prej kohësh, ku virgjëria kthehet në një barsoletë “qepjesh”, ndërsa adoleshentët e viteve të para, që sapo kanë cikur pubertetin nuk argëtohen më me lodra, por eksplorojnë seksualitetin e tyre ( nuk dihet nëse me moshatarë apo me më të rritur se vetja).

“Kam parë fëmijë, që nuk u arrinte koka tek banaku e që më kërkonin prezervativë”, më thoshte një farmaciste disa kohë më parë, teksa parashtronte problematikën e drogave  ( po këta fëmijë blinin edhe antidepresantë të familjes së barbituratëve, që një kohë shiteshin pa recetë mjekësore)   dhe të seksit tek moshat e vogla. Në Tiranë, 24 përqind e meshkujve dhe femrave, mbi 15 vjeç  e deri në 49 (moshë ndoshta e menduar si kufiri i jetës aktive seksuale?!) , nuk kishin kryer asnjëherë seks. Shifrat bëheshin edhe më domethënëse në rrethe të tjera si Shkodra, Kukësi, Dibra apo Elbasani, me deri në 36 përqind, në rastin e Shkodrës.

Më shumë sesa habia që shqiptarët nuk bëjnë seks ( që është zgjedhje personale e kujtdo, nëse është për zgjedhje dhe jo pamundësi) është një tablo, me ngjyra krejt të ndryshme nga ajo që na ishte pikturuar deri tani. A është e njëjta Shqipëri, ku megjithë hipokrizinë e ruajtjes së ca ritualeve arkaike të patriarkalizmit, njerëzit kanë jetë aktive seksuale apo është Shqipëria e dalë prej një shekulli tjetër? Jo se kryerja e marrëdhënieve seksuale, pa qenë i detyruar të bashkohesh në martesë për këtë, tregon emancipim, por të paktën flet për lirinë dhe frerët në duart e individit, grua a burrë, për trupin dhe dëshirat e veta seksuale.

Flitet për zonat urbane apo për ato rurale? Nga të dhënat e anketimit, të cilat revista ekonomike “Monitor” i adresoi  si fenomeni i “bombës demografike me sahat”, ngjashëm me atë që revista “The Economist”  parashtronte mbi një studim, ku 30 përqind e japonezëve në moshë madhore, zgjidhnin të mos angazhoheshin në marrëdhënie seksuale, fenomen që çonte në ulje drastike të popullsisë, dilte se diferenca mes atyre që kishin deklaruar se nuk kishin kryer kurrë marrëdhënie seksuale, me vendbanim në zona rurale dhe urbane, të ishte pa ndonjë dallim të madh. Madje, në rastin e femrave, dilte se 24 përqind e atyre që kishin deklaruar se nuk ishin angazhuar në raporte të tilla banonin në zona urbane dhe 23,  përqind në zona rurale. Tek meshkujt, 21 përqind e të virgjërve (lexo: ata që nuk kanë kryer ende marrëdhënie seksuale në jetën e tyre prej të rriturish) ishin me banim në zona urbane dhe 24.4 përqind nga zonat rurale.

Madje as niveli i arsimimit nuk ishte tregues dallimesh të mëdha. Vajzat me arsim universitar apo pasuniversitar deklaronin në 28 përqind të rasteve se nuk kishin kryer kurrë raport seksual, ato me arsim të mesëm në 33 përqind, në kontrast nga ato me arsim fillor e nëntëvjeçar me 18 dhe 11 përqind të rasteve, përkatësisht. Tek meshkujt raporti qëndronte pak më ndryshe. Përqindjen më të lartë e mbanin ata me arsim dytësor, në 29 përqind të rasteve, ata me arsim të ulët në 27 përqind, kurse ata me diplomë universitare deklaronin në 15 përqind të rasteve,  se nuk kishin kryer asnjëherë marrëdhënie. As të ardhurat duket se nuk ndikonin në një korrelacion të drejtpërdrejtë me përvojat seksuale. Deklarimi i atyre me të ardhura nga më të ulëta tek ata me të ardhurat më të larta, lëvizte nga 25 përqind në rastin e parë tek 23 përqind në rastin e dytë, tek gratë dhe vajzat e anketuara.

Ndryshe në rastin e meshkujve, ku ata me të ardhura të ulëta, prireshin të ishin më shumë, 27 përqind e të anketuarve, ndërsa ata me të ardhura të larta, shënonin një shifër prej 15 përqind të të anketuarve. Ajo që vihej re në kampionin prej 16 mijë familjesh, nga mosha 15 deri 49 vjeç,  shifrat më të larta të njerëzve që nuk kishin kryer asnjëherë marrëdhënie, shënoheshin në grupmoshat  15-19 vjeç dhe 20 -24 vjeç dhe siç çon logjika, tek kategoria e të pamartuarve asnjëherë.  Me lëvizjet demografike dhe emigracionin në rritje, kuptohet në disa zona si në rastin e Kukësit, ku 28 përqind e grave dhe vajzave deklarojnë se nuk kanë kryer asnjëherë marrëdhënie seksuale,  duke qenë se popullsia mashkullore emigron në shumicë dërrmuese , po ashtu si edhe Dibra, dy qytete që kanë edhe përqendrimin më të madh të emigrantëve në Angli, por çudit se në Dibër janë 34 përqind të meshkujve që nuk kanë kryer asnjëherë marrëdhënie seksuale. Por a ka korrelacion të drejtpërdrejtë të abstinencës seksuale të shqiptarëve, në masën mesatare prej 24 përqind, me uljen e ndjeshme të popullsisë, ku të dhënat demografike tregojnë se  lindjet janë ulur ndjeshëm me 25 përqind?  Jo të gjithë ata që janë aktivë seksualisht do të thotë se zgjedhin të riprodhohen dhe shumë  të rritur, të bashkuar në martesë për arsye nga më të ndryshmet zgjedhin planifikimin familjar, që i çon të kenë më pak fëmijë se fjala vjen, prindërit e tyre, tridhjetë apo dyzet vjet të shkuar. 

Foto e marrë nga nje editorial mode i revistës "Living"

A janë të besueshme këto shifra  të reja – pa hedhur dyshim në seriozitetin e  një institucioni zyrtar si Instituti i Statistikave ? A janë shqiptarët  të pasinqertë edhe përballë një flete, që nuk të kërkon të identifikohesh apo në rast se anketimi është kryer në familje, një vajzë apo një djalë do të kishte ngërç të shprehej para prindërve, se ka kryer marrëdhënie seksuale, duke zgjedhur t’i bjerë shkurt, me një “jo”? E me gjithë këtë tablo, që e bën Shqipërinë në çerekun e saj – nëse i referohemi trendit, edhe pse tematika është specifike dhe intime – aseksuale, tre përqind e burrave të grupmoshës 15 deri 49 vjeç, kanë pohuar se paguajnë për seksin, në një vend ku prostitucioni nuk është i rregulluar me ligj. Një vend i vogël, që në historinë e re të tranzicionit, me eksperimentimin e lirive, mes tyre edhe ato seksuale (jo se Komunizmi kishte kufizime lirie për individët në ushtrimin e së drejtës së tyre natyrore për aktivitet seksual dhe riprodhim), prodhon herë pas here statistika dhe perceptime që bien ndesh me njëra- tjetrën, duke na hutuar të kuptojmë se në cilën Shqipëri po jetojmë.

Atë të vajzave që kanë jetë seksuale dhe u nënshtrohen ndërhyrjeve për t’u shtirur si të virgjra për djemtë emigrantë, në kërkim të grave të tilla –që  u konfirmojnë egon mashkullore dhe eliminojnë garën mes meshkujve, siç mund të qe në rastin e matriarkatit, ku ishte femra që zgjidhte partnerin me të dhënat më të mira për t’u çiftuar, ose për të sheshuar pasiguritë e brendshme të personalitetit, në një botë me një konkurrencë  gjithnjë e më të egër – apo atë të shqiptarëve dhe shqiptareve që në një përqindje të konsiderueshme qëndrojnë larg dimensionit të marrëdhënieve seksuale, për zgjedhje apo pamundësi? Mbase ky studim tregon edhe njëherë që nuk e kemi kapërcyer ende presionin e të dukurit përballë opinionit të shoqërisë për të qenë njëherë e mirë të vërtetë me veten. Kjo çon pashmangshëm në rastet mizore e çnjerëzore ku prindër, vëllezër apo bashkëshortë vrasin vajza dhe gra, për hir të ‘opinionit’. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë