Politike

Nga përballja frontale, te bojkoti! Si u “zbut” Lulzim Basha

Sinjalet që klasa politike në Shqipëri po hynte në një tjetër stinë krizash që do të kërkonte ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për ta zgjidhur u dhanë që në vjeshtën e kaluar, kur opozita vijoi bojkotin e punimeve të Parlamentit. Por, askush nuk ishte në gjendje që të parashikonte nivelin e përshkallëzimit të saj.

Bojkoti u thye në dhjetor të 2018, atëherë kur protesta e studentëve, e nisur si një lëvizje kundër tarifave të larta ishte në kulmin e saj. Opozita justifikoi rikthimin në Kuvend në kufijtë kohorë të djegies së mandateve me përpjekjen për të ngritur zërin e studentëve në seancë.

“Ne do të jemi në Parlament edhe për ata studentë që Edi Rama tallet dhe i manipulon. Edi Rama nuk është as doktor shkencash dhe as piktor, por është një Kryeministër i lidhur me krimin! Është një kryeministër që vjedh paratë e studentëve për xhepat e tij”, deklaronte në atë kohë Monika Kryemadhi.

Brenda Partisë Demokratike ishte ndezur debati për djegien e mandateve dhe Lulzim Basha ishte nën presionin e rrymës radikale për marrjen e këtij vendimi dhe presionit të pjesës tjetër brenda partisë, por edhe të aleatëve më të vegjël që e cilësonin si të nxituar një hap kaq ekstrem.

“Jemi gati që t’i djegim mandatet dhe ta fusim vendim në krizë totale, por duhet të shikojmë së çfarë do sjellë kjo gjë. Nuk është çështja a i djegim apo jo, por a i shërbejmë kauzën tonë që kemi nisur. Instrument për të ndikuar në ndaljen e të keqes, për të ndalur ligje korruptive si ai i Teatrit, instrument për të përmirësuar jetën e qytetarëve, opozita në Parlament nuk ka”, deklaronte Lulzim Basha në ato ditë.

Protestën e studentëve u përpoqën ta kontrollojnë partitë politike përmes forumeve të tyre rinore, por fraksionizimi i saj e bënte këtë një mision thuajse të pamundur. Ndaj, protesta u mbyll pa dialog mes tyre dhe Edi Ramës, por me ofertën e Kryeministrit me “Paktin për Universitetin”. Pakti plotësonte një pjesë të mira të kërkesave të të rinjve, sidomos sa i takon uljes së tarifave.

Më 16 shkurt, Partia Demokratike dhe aleatët thërrasin një protestë kombëtare para Kryeministrisë. Protesta ishte epilogu i një turi takimesh që Lulzim Basha ndërmori në ditët pararendëse në një pjesë të madhe të vendit. Në këtë tur ashpërsoi tonet ndaj Edi Ramës dhe retorika e përzgjedhur sinjalizonte një protestë të dhunshme.

“Zgjedhjet janë asgjësuar. Një gjë nuk e ka kuptuar Edi Rama. Kujtojani në 16 shkurt se zot i vendit, pronar i institucioneve nuk mund të jetë kurrë një njeri. Sovrani i institucioneve është populli, janë qytetarët, ndaj ju ftoj qytetarë dhe qytetare, të gjithë së bashku më 16 shkurt t’i japim fund këtij grushti shteti nga kriminelët që e kanë marrë shtetin dhe institucionet peng”, deklaronte Basha nga Mirdita më 9 shkurt.

Sinjalet nuk “mashtruan”. Protesta e opozitës u shoqërua me akte të forta dhune në hyrjen kryesore të Kryeministrisë. Garda e Republikës përdori për herë të parë gazin lotsjellës, sa herë që turma i afrohej kësaj dere. Një pjesë e xhamave u thyen në tensionin e përplasjet që zgjatën disa orë me një bilanc prej disa personash të lënduar, si në radhët e protestuesve, ashtu edhe në radhët e policisë.

Pjesëmarrja në këtë protestë të parë kombëtare konsiderohej edhe si “përgjigja” që do t’i jepte fund mëdyshjes së Bashës për vendimmarrjen ekstreme të djegies së mandateve. Në orët që pasuan protestën, Lulzim Basha u shpreh i kënaqur nga masiviteti i saj, që sipas tij ishte i mjaftueshëm për vendimmarrjen ekstreme.

“Duke iu falënderuar për besimin e demonstruar, ju siguroj se unë e kam dëgjuar dhe kuptuar shumë qartë mesazhin tuaj me pjesëmarrjen dhe bashkimin në protestën më të madhe që ka pasur ndonjëherë vendi. Mesazhi juaj është i qartë. Kështu nuk vazhdohet më, kupa është mbushur dhe është derdhur, thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar. Ne nuk do vazhdojmë të jemi fasadë e një Parlamenti të dalë nga zgjedhje që i ka diktuar krimi i organizuar”, deklaronte ai.

Thirrjet e ndërkombëtarëve për zbutje të tensioneve dhe zhvillimin e debatit politik nëpër institucione ranë në vesh të shurdhër. Forumet drejtuese të Partisë Demokratike vendosën djegien e mandateve, vendim që u ndoq më vonë edhe nga LSI dhe partitë e tjera anëtare të koalicionit opozitar. Më 21 shkurt Basha thirri një tjetër tubim para Parlamentit. Simbolikisht deputetët që kishin firmosur lënien në bllok të mandatit të ligjvënësit deklaronin para mbështetësve se me këtë akt po i rikthenin mandatin e tyre popullit dhe se nuk mund të qëndronin në një sallë me Parlamentin e dalë nga krimi dhe e cilësonin këtë parlament ilegjitim.

Por për mazhorancën, ambasadat e huaja në Tiranë dhe zërat ndërkombëtarë në Bruksel e Uashington, Parlamenti ishte dhe mbetet legjitim dhe problematikat zgjedhore të 2017 nuk justifikonin vendimin ekstrem të opozitës.

Pavarësisht kësaj, Lulzim Basha dhe aleatët vazhduan me planin e tyre. Edi Rama nisi ta interpretojë këtë si frikë nga humbja e zgjedhjeve më 30 qershor dhe nga reforma në drejtësi. Në prill, Basha përsëriste vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund kauzës për zgjedhje parlamentare të parakohshme dhe se me Edi Ramën Kryeministër Partia Demokratike e aleatët e saj jo vetëm që nuk do të hynin në zgjedhjet e 30 qershorit, por do t’i pengonin ato me çdo mjet.

Basha siguronte mbështetësit se ndryshe nga 2017, ku nga thirrjet për mosbindje civile, thyrje xhamash dhe shpim gomash u ul me Edi Ramën në tryezë, këtë herë nuk do të kishte “pazare”.

“Nuk do të ketë më pazare të radhës. Tani e them me zërin tim në emër të të gjithë opozitës dhe partive të koalicionit, nga LSI-ja e deri tek partia e fundit, nuk do ketë pazare politike e marrëveshje tavolinash, kushti i vetëm është qeveria tranzitore pa Edi Ramën. I them sot atij, që sot e tutje nuk jeni më shteti, por antishteti, ju nuk jeni ligji, jeni antiligji, ju nuk jeni drejtësia, por padrejtësia, që sot e tutje, ligji është sovrani i derdhur në shesh”, deklaronte Basha.

Kreu i PD deklaronte se Edi Rama ka rënë, e po ashtu edhe Monika Kryemadhi. Por, Rama qëndronte dhe pas vetes duket se kishte edhe ndërkombëtarët. Dy misione të Bashkimit Europian dështuan që të rikthenin opozitën në institucione dhe u larguan në drejtim të Brukselit duke drejtuar gishtin e fajtorit nga opozita.

“Ne e bëmë të qartë, se ne i kuptojmë argumentet e Bashës, por edhe sikur opozita të ketë tërësisht të drejtë për akuzat, bojkotimi i Kuvendit nuk është zgjidhje e problemit. U befasova, u çudita shumë, por edhe u zhgënjeva shumë nga kryetarja e LSI-së, pasi ajo tha në fund të takimit që e kanë marrë vendimin dhe në rast se ne nuk e kuptojmë ky nuk është problemi i tyre. Ky është një mesazh i qartë dhe besoj se ata në Bruksel që marrin vendime dhe shqiptarët duhet të kuptojnë se në cilën anë gjendet secili”, deklaronte tashme ish-eurodeputeti, Knut Fleckenstein.

Rikthim në institucione dhe ndëshkim të aktorëve të dhunës kërkonin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shqipëria ka një qeveri legjitime me të cilën ne bashkëpunojmë. Nuk jam këtu për të negociuar një platformë me palët. Të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe duhet të punojnë fortë për to dhe procesin politik. Opozita duhet të gjejë një mënyrë për të marrë pjesë në zgjedhje. Inkurajoj të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhjet e qershorit”, deklaronte zv.ndihmës Sekretari i Shtetit në Zyrën për Europën dhe Euroazinë, Matthew Palmer gjatë vizitës në Tiranë në muajin prill.

Megjithatë, Basha dhe aleatët e tij vazhduan përpara. Sa më shumë afronte 30 qershori, aq më e ashpër bëhej retorika e tij kundër procesit. Rama nga ana tjetër e ftonte publikish për dialog. Ftesat u refuzuan njëra pas tjetrës dhe Rama hyri thuajse i vetëm në fushatë elektorale.

Nisja e fushatës prej Kryeministrit pasoi përshkallëzimin e gjuhës së Bashës. Me arsyetimin se po i hidhte ujë zjarrit të ndezur, Ilir Meta futet në lojë përmes nxjerrjes së një dekreti që anulonte 30 qershorin si datë zgjedhjes. Vendimi i Presidentit e gjeti Edi Ramën në një takim elektoral në Berat. Këtu paralajmëroi për herë të parë se dekreti nuk do të zbatohej dhe se me anë të tij, Presidenti kishte shkelur edhe njëherë tjetër rëndë Kushtetutën e vendit.

Socialistët nisën punën për t’iu kundërvënë dekretit Presidencial, duke kaluar në Kuvend një rezolutë që kërkonte nga institucionet vazhdimin e punës përgatitore për zgjedhjet e 30 qershorit dhe më pas nisjen e procedurave për të shkarkuar Ilir Metën.

Lulzim Basha e cilësoi dekretin e Presidentit si fitore të qëndresës së opozitës ndaj qeverisë së krimit dhe sipas tij tani as ligjërisht nuk mund të zhvilloheshin zgjedhje më 30 qershor. Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi zbatimin e dekretit të Presidentit dhe vazhdoi përpara me shpërndarjen e materialeve zgjedhore.

Këtu nis përballja e madhe. Në bashkitë e kontrolluara nga opozita protesta të dhunshme që kulmuan në Burrel, Tropojë dhe Shkodër u organizuan kundër Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve dhe materialeve zgjedhore, duke i djegur dhe shkatërruar ato.

Basha thirri një protestë tjetër më 21 qershor. Protesta pasonte publikimet e radhës së “Bild” për dosjen “184”. Ndërkombëtarë përsëritën thirrjet kundër dhunës, për vetëpërmbajtje dhe respektim të së drejtës për të protestuar paqësisht. Protestës i parapriu qarkullimi i një informacioni se selia e PD dhe ajo e LSI-së ishte vizituar më 20 qershor nga përfaqësues të ambasadave me peshë në Tiranë.

Nëse ka patur vërtet vizita të tilla dhe se çfarë është diskutuar në to nuk dihet, por ajo që dihet është se 21 qershori ishte një protestë krejtësisht paqësore dhe me një ndryshim thelbësor të retorikës nga ana e drejtuesve të opozitës. Duke akuzuar Edi Ramën për skenare dhune, si Basha ashtu edhe Kryemadhi bënë thirrje kundër dhunës. Protesta përfundoi pa asnjë incident.

Ilir Meta nga ana tjetër këto ditë e ka pranuar tërthorazi se dekreti që ai e nxorri me shpresën se do të detyronte palët të dialogonin dhe të qetësonte krizën, në të vërtetë e ka ndezur më shumë atë. Edhe vetë Presidenti është bërë palë me opozitën në këtë krizë, teksa në daljen e fundit e konsideroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve zgjatim të Partisë Socialiste dhe se po shkelte ligjin duke mos respektuar dekretin. Ai paralajmëroi se shkelësit do të përballen me ligjin, se zgjedhjet nuk do të njihen dhe se nga Presidenca jo vetëm nuk do të largohej, por prej andej do të niste “luftën” për ringritjen e Republikës.

Në të njëjtën ditë që Meta sulmonte të gjithë ata që i kanë dalë kundër dekretit, në media nisi qarkullimi i një qarkoreje të brendshme të Partisë Demokratike. Qarkorja nuk mbante as firmë dhe as vulë, por përmbajtja e saj ishte e ashpër.

Në të u kërkohet degëve, që nën shembullin e ndjekur në Shkodër, të përshkallëzoheshin tensionet në çdo cep të vendit, sidomos pas datës 27 qershor. Pas këtij informacioni në zyrën e Bashës zbarkoi zv.ambasadorja amerikane, Leyla Moses-Ones dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca. Se cili ka qenë mesazhi i tyre në drejtim të Bashës nuk dihet, por nga deklarata e bërë më pas nga kreu i PD-së dhe nga deklaratat e mëhershme të vetë përfaqësuesve ndërkombëtarë, ai nuk ka qenë mbështetës.

“Mënyra më e mirë për të përshpejtuar rënien e Edi Ramës, është braktisja e tij, e kriminelëve, klientëve, shërbëtorëve të tij. Braktisini oligarkët e tij! Braktisini mediat e tij! Braktisini shërbëtorët e tij publikë! Refuzojeni Edi Ramën! Refuzojini biznesmenët e tij grabitqarë! Refuzojini kriminelët që ai mban pranë! Refuzojini ata moralisht! Refuzojini shpirtërisht! Mbi të gjitha, braktiseni Edi Ramën politikisht!”, ishte mesazhi i Bashës.

Basha mohoi ekzistencën e qarkores, ndërsa në mesazhin e përcjellë një dallim thelbësor, ku nga thirrjet për përballje në çdo bashki, KZAZ dhe QV kalohet tek thirrjet për bojkot dhe braktisje të procesit.

Pse u tërhoq Lulzim Basha nga retorika dhe aksioni i ashpër? Çfarë e detyroi atë që të kalojë nga thirrjet për përballje me atë që e cilëson bandë të Edi Ramës në pushtet, tek thirrjet për bojkot paqësor dhe sidomos shmangie të episodeve të dhunës? Këtyre pyetjeve do t’u japë përgjigje koha, pikërisht ajo që i mungon Lulzim Bashës, që me aksionin e ndërmarrë po lë 61 bashkitë në dorë të Edi Ramës, në pritje të një zgjidhjeje pas zgjedhjeve. Ndërkaq edhe pse nuk merr pjesë në zgejdhjet e 30 qershorit dhe me gjuhë të moderuar dhe thirrje për bojkot, basha priti sot në zyrë shefen e Misionit të OSBE ODHIR, Odry Glover.

Zgjidhja do të vijë, pavarësisht se sa kohë do të kërkojë. Ajo mund të jetë produkt i një dialogu të vullnetshëm, apo të detyruar mes mes palëve, ose mund të mbërrijë edhe pa dialog fare. Pyetja është se me çfarë çmimi do të pagohet kjo zgjidhje nga qytetarët?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë