Politike

Bllokimi i zgjedhjeve nga PD dhe thirrja e intelektualëve për bojkot të 30 qershorit

Opozita po angazhon të gjitha strukturat e saj për të bllokuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Me titullin “Porosi urgjente” për kryetarët e bashkive, Partia Demokratike ka shpërndarë një qarkore (pa firmë dhe vulë) ku i kërkon që të hartohet një plan i detajuar për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, që nga bllokimi i KZAZ-ve, ditën e votimit, si dhe nënkupton dhe atë Qendrave të Numërimit të Votave.

PD kërkon si kundërpërgjigje protesta në çdo miting elektoral ku zhvillon kryeministri Edi Rama, duke i kujtuar atyre edhe përballjen më të fundit të qytetit të Shkodrës.  “Të gjitha Degët të njoftojnë Bashkitë dhe Policinë, që në datat 27-qershor-2 korrik 2019, në të gjithë territorin e bashkisë, do të organizohen tubime në mbrojtje të kushtetutës dhe demokracisë. Detyrimi është vetëm për njoftim. Nuk pritet leje. Vendet e zhvillimit të tubimit të jenë të gjitha rrugët e qytetit dhe fshatrat, duke specifikuar veçanërisht lagjet apo zonat ku janë të vendosura KZAZ, GNV dhe qendrat e votimit. Orari i tubimit të jetë: Pa ndërprerje”, thuhet në pikën 2 të kësaj qarkoreje.

Faksimile e dokunentit ku pretendohet se degët e PD janë udhëzuar për bllokimin e zgjedhjeve

Një tjetër kërkesë është edhe mos lejimi i kryerjes së procesit të votimit më 30 qershor, duke i kërkuar hartimin e planit sipas specifikave të degës. “Kjo duhet të arrihet, ose përpara datës 30 qershor nëpërmjet bllokimi të KZAZ në shpërndarjen/ dëmtimin e materialeve, ose pa dhunë në qendrat e votimit me një metodë që shmang përplasjen fizike. Është e pranueshme që të ketë përballje me policinë,  por jo akte të forta dhune, dëmtime, djegie godinash apo persona të lënduar. Kurrsesi persona të lënduar. Interesi i Edi Ramës është që të bëjmë dhunë dhe të lëndojmë njerëz, prandaj duhet shmangur kjo me çdo kusht. Ligjërisht pas dekretit të presidentit është Edi Rama në paligjshmëri dhe jo opozita. Të shmanget me çdo kusht përballja me militantët e PS dhe të mos biem pre e asnjë provokimi të tyre”, thuhet më tej në këtë udhëzim.

Partia Demokratike kërkon gjithashtu ngritjen e grupeve që të pamundësojë votimet. “Të ngrihet grup pune që pamundësojnë votimet. Të hartohet modeli më i zbatueshëm sipas degëve dhe mundësive që ka çdo degë. Aty ku PD-ja dhe aleatët kanë bashkinë, plani të hartohet dhe zbatohet në koordinim me kryetarin dhe strukturat e bashkisë. Është e domosdoshme të koordinojmë me të gjithë partitë aleate.

Gjithashtu PD, sipas dokumentit të publikuar nga mediat online, kërkon ngritjen e grupit të punës që ka për qëllim që të evidentojë çdo shkelje që qeveria po kryen, duke përfshirë sipas tyre, presion administratës për të dalë në votime, përdorim të administratës në fushata, veprimet e paligjshme të policisë, blerje e votuesve dhe të tjerë. “Të caktohen nga dy persona që monitorojnë çdo qendër votimi”, thuhet në pikën gjashtë të këtij udhëzimi.

Ndërkaq sot PD-ja e Kukësit ka lajmëruar një protestë për shkak se në këtë qytet pritet të zhvillojë një miting elektoral kryeministri Edi Rama. PD-ja e këtij qyteti ka shpallur se protesta do të zgjasë mbi tetë orë, duke u bërë kështu zbatimi i parë në teren i qarkores. “Ora e fillimit të 14:00, ora e përfundmit 22:00. Intinerari Sheshi “Skënderbej” Kukës-Rruga “Ditura” Aeroporti Shtiqen e kthim”, thuhet shkresën zyrtare të paraqitura nga dega e PD-së në Polici. Gjithashtu theksohet se qëllimi i tubimit është: Mbrojtja e demokracisë, shtetit ligjor dhe shkëputja e lidhjes mes politikës dhe krimit si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshme, që siguron punësim dhe mirëqenie për shqiptarët, si dhe luftë kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

Faksimile e shkresës së PD-së dërguar Policisë së Kukësit

Për të shmangur këtë përballje me opozitarët mësohet se kryesocialisti Rama ka zhvendosur mitingun elektoral në aeroportin e Kukësit.

Ndërsa kryetarët e bashkive dukshëm  deklarohen për bllokim zgjedhjesh, madje ka nga ata të zgjedhur të PD-së që nuk ngurrojnë që të shprehen publikisht se do bëjnë edhe burgun vetëm që të mos të ketë zgjedhje më 30 qershor. E tillë ishte edhe deklarata e kryetarit të bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i cili theksoi se përballja do të jetë me policinë dhe jo me njerëzit. “Në datën 30 unë dua të futem në burg. Nuk do të lejoj zgjedhje në Mallakastër sepse do të zbatoj ligjin. Do të zbatoj dekretin e Presidentit. Le të vijnë të më fusin në burg. E kam për nder të bëj burg për të ruajtur demokracinë. Për të mos lejuar të kthehet diktatura në këtë vend. Dhe unë vij nga një familje që na kanë futur në burg madje na kanë pushkatuar për diktaturën”, tha Kapllanaj.

Kryetari i bashkisë së Mallkastrës, Kapllanaj

Ambasadorët e SHBA dhe BE në selinë e PD-së, Basha e mohon qarkoren

Qarkorja e dalë në media, duke se ka shqetësuar ndërkombëtarët. Pesë ditë përpara zgjedhjeve të 30 qershorit, Lulzim Basha pati një takim në selinë e PD-së, me ambasadoren në detyrë të SHBA-ve, Leyla Moses One. Takimi mes tyre ka zgjatur për rreth një orë dhe në dalje kryedemokrati Basha nuk ka folur për natyrën e bisedës, por se procesi zgjedhor i 30 qershorit dhe situata aktuale, kriza politike ka qenë në fokusin e bisedimeve.

Pas këtij takimi, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u pyet nga gazetarët në lidhje me udhëzimin apo qarkoren e publikuar në media, i cili e mohoi në mënyrë kategorike një dokument të tillë. I pyetur nëse ka kërkuar nga të zgjedhurit në pushtetin lokal që të krijojnë incidente në 30 qershor, kreu i PD tha se ky është një mashtrim.

“Ku e keni marrë këtë informacion. Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës. Mashtrim total dhe shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij. S’ka zgjedhje më 30 qershor. E para nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut, por nuk ka zgjedhje. S’ka rëndësi çfarë mendon kryeministri, rëndësi ka që është një standard ndërkombëtar, europian. Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të lejohen. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen. Sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë që 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Çdo hap i Edi Ramës, fushata, mitingje elektorale janë të paligjshme. Ndërkohë që aleanca qytetare me opozitën në krye është e vendosur të mbrojë demokracinë, rendin kushtetues. Konfirmimi është i qartë dhe i printuar e zezë mbi të bardhë në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, është data kur Edi Rama do përpiqet t’i kthejë shqiptarët në zgjedhjet monopartiake”, deklaroi Basha për mediat.

Për sa i përket kësaj qarkoreje pati një reagim nga ana e zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale, i kujtoi dhunuesve të zgjedhjeve se i pret burgu dhe izolimi.

https://www.instagram.com/p/BzH6Jmqnd9v/

“Ne socialistët do jemi kudo! Por e keqja s’u vjen nga ne! Përballjes me ligjin ruajuni! Prej saj vjen burgu dhe pas tij izolimi i përjetshëm! Lexova me vëmendje këtë Qarkoren e Partisë Demokratike që më herët e kisha lexuar në avujt e rakisë së një politikani e para tij në tymin e thithur të një aktori! Si thoni, “të shmanget me çdo kush përballja me militantet e PS”? Kështu? Si vijoni, “është e pranueshme që të ketë përballje me policinë”? Kështu? Si e mbyllni, “të ngrihet grup pune që të pamundësojë votimet”? Kështu? Shikoni, ne socialistët do jemi kudo, kudo në 30 QERSHOR. Jo për ju, fare, fare! Nga ne nuk u vjen e keqja, imagjinoni ju paguheni nga shteti dhe sulmoni kolonat baze të shtetit që ju paguan! Ne do jemi aty për  Të Drejtën e Votës! Është kushtetuese kjo, është e drejtë e fituar dhe nuk e tjetërson dot kërkush. Ju, jo e jo!”, reagon Braçe.

Intelektualët apel për bojkot

Personalitete dhe intelektualë të ndryshëm i janë bashkuar fushatës “#Edheunë” që po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale. Nisma është e Bujar Kaperxhiut, i cili fton të gjithë shqiptarët e intelektualët t’i bashkohen për të bërë thirrje për të mos votuar më 30 qershor. Ata deklarojnë hapur se nuk do të shkojnë të votojnë më 30 qershor. Asaj i janë bashkuar intelektualët si Besnik Mustafaj, shkrimtarja Flutura Açka, aktori Neritan Liçaj, analistët Agron Gjekmarkaj, Fatos Lubonja dhe Mark Marku,etj. Ata në postimet e tyre bëjnë thirrje që të bojkotojnë procesin e votimit më 30 qershor.

“#Edhe unë nuk do të votoj. Sepse refuzoj të bëhem dorëzanë e rikthimit të diktaturës, sepse e refuzoj një regjim që i ndau, i përtalli, i vodhi shqiptarët, sepse refuzoj një sekt mavi që luan me të kuqen e flamurit tonë kur e ndjen neverinë tonë ndaj bojës së tij, sepse nuk ka burg që më mban më brenda para së drejtës sime, sepse Lirinë nuk na e dhuroi asnjë regjim, klikë a loser, por e fituam vetë, sepse ne, "stoku antik i Europës", siç shkruante më 1914 Arthur Moore, ne europianët e substancës së saj, nuk ka forcë që na vë më gardhe e tela me gjemba, sepse të votosh këtë regjim, voton fundin e Lirisë tënde”, shkruan shkrimtarja Açka.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10216969068891069&set=pcb.10216969031210127&type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë