Politike

Palmer: Nuk jam këtu për krizën! Qeveria është legjitime, opozita të hyjë në zgjedhje

Kauza e Partisë Demokratike dhe e pjesës tjetër të opozitës që ka dalë në rrugë e sheshe duke e cilësuar qeverinë e Edi Ramës ilegjitime dhe të dalë nga zgjedhje të blera me paratë e krimit, mori një goditje të fortë nga ndërkombëtarët.

Zv.ndihmës Sekretari i Shtetit në Zyrën për Europën dhe Euroazinë, Matthew Palmer deklaroi katër ditë para protestës së radhës kombëtare të thirrur nga Lulzim Basha dhe aleatët e tij se qeveria ishte legjitime, e rrjedhimisht për SHBA zgjedhjet e 2017 ishin të lira e të ndershme.

“Shqipëria ka një qeveri legjitime me të cilën ne bashkëpunojmë. Ajo është një vend aleat dhe do të ketë mbështetjen tonë. Jam besimplotë se kjo Qeveri do të çojë vendin përpara dhe do të vazhdojë me zbatimin e reformave, si ajo në drejtësi”, tha ai në bashkëbisedimin me gazetarët në ditën e dytë të vizitës në Tiranë.

Palmer tha se nuk kishte udhëtuar mijëra kilometra nga Uashingtoni për në Tiranë me një formulë për të zgjidhur krizën politike shqiptare, madje as që ishte synim i vizitës së tij. Opozita e kishte të qartë këtë, nisur nga atmosfera në radhët e saj para kësaj vizite, ku mungonte entuziazmi. Pak ishin pritshmëritë se zyrtari i DASH do t’i afrohej linjës së Partisë Demokratike, por ndoshta nuk pritej as një deklaratë e drejtpërdrejtë kundër aksionit të saj ekstrem.

“Nuk jam këtu për të negociuar një platformë me palët. Të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe duhet të punojnë fortë për to dhe procesin politik. Opozita duhet të gjejë një mënyrë për të marrë pjesë në zgjedhje. Inkurajoj të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhjet e qershorit”, citohet Palmer.

Pjesëmarrjen ose jo në zgjedhje, Palmer e sheh si të drejtë ekskluzive të opozitës, duke përjashtuar Qeverinë, ndërsa sa i takon qëndrimit që do të mbajë Uashingtoni deklaron se SHBA do të njohë zgjedhjet dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me të zgjedhurit.

“Nuk është detyrë e qeverisë që të bindë opozitën që të hyjë në zgjedhje. Është përgjegjësi e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Ajo duhet të ndajë vizionin e saj me mbështetësit dhe të punojë fort. Vetëm në këtë mënyrë mundet të fitojë në arenën politike. Ne do të njohim zgjedhjet dhe do të bashkëpunojmë me të zgjedhurit”, u shpreh zv.ndihmës Sekretari i DASh.

Zv.ndihmës Sekretari i Shteti foli edhe për çështjen e lobimit të PD në Kongresin amerikan. Ai thotë se nuk ka asgjë anormale përsa kohë ky lobim realizohet brenda rregullave, por shtoi se dyshimet se PD ka lobuar kundër emërimit në Shqipëri të ambasadores Kethrin Ann Kavalec, e cila nuk kaloi në Kongres, është nën hetim, pa dhënë detaje të mëtejshme. Sa për ambasadorin e ri, Palmer beson se së shpejti do të mbërrijë një emër.

Zyrtari amerikan tërthorazi rrëzoi influencën ruse në Shqipëri. “Shqipëria është një objektiv mjaft i vështirë për Rusinë”, tha ai, duke shtuar më pas edhe dallimet mes a gjendës së Uashingtonit dhe asaj të Moskës në rajon.

“Amerika kërkon një bashkëpunim mes vendeve dhe transparencë, ndërsa Rusia kërkon kaos dhe një situatë jo bashkëpunuese, ndërsa ne duam të ardhme për vendin”, u shpreh Palmer.

Shtetet e Bashkuara rishprehin mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi. Palmer thotë se do të pranohet çdo pakt që bien dakord palët, por kërkoi që çështja e kufijve të mos jetë as thelbi i këtij pakti.

Palmer u takua rreth orës 14:00 me Lulzim Bashën. Kreu i Partisë Demokratike përshkroi shkurtimisht në rrjetet sociale tematikat e bisedës.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1115618764530302982

“Diskutim i hapur dhe konstruktiv me Matthew Palmer mbi situatën në Shqipëri: mungesën e Gjykatës Kushtetuese, mungesën e Gjykatës së Lartë, pandëshkueshmërinë, krimin, korrupsionin dhe krizën politike. Zotim i përbashkët për demokracinë, zbatimin e ligjit dhe mirëqeverisjen, si e vetmja rrugë që garanton stabilitet dhe anëtarëson Shqipërinë në BE”, shkruan Basha.

Menjëherë pas takimit me Bashën, Matthew Palmer u takua me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në foton e shpërndarë nga LSI në fund të këtij takimi vihet re se në tryezë Kryemadhi shoqërohet nga Klajda Gjosha dhe Petrit Vasili.

Monika Kryemadhi foli para gazetarëve në fund të takimit. Tha se nuk ishte e autorizuar që të flasë për takimin, por një tablo të përgjithshme të klimës së tryezës e dha.

“Z. Palmer shprehu opsionet e veta nga këndvështrimet e tij. Ne shprehëm opsionet tona nga këndvështrimet tona. Sigurisht që përputhen për sa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit, për të gjithë problemet e tjera, por është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për ti dhënë fund tranzicionit shqiptar. Shqipëria e ka vendin në BE. Z. Palmer nuk kishte ardhur për t’i dhënë zgjidhje për sa i përket konfliktit. Mos harroni që hallet tona do t’i zgjidhim ne shqiptarët vetëm me njëri-tjetrin”, deklaroi Kryemadhi.

Për një bashkëbisedim të frytshëm foli një ditë më parë edhe Edi Rama, por për të tjera tema nga ato që përshkroi Lulzim Basha.

https://twitter.com/ediramaal/status/1115292003330347008

“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Mathew Palmer”, shkroi Rama në Twitter.

Ndërkohë, për krizën ka folur edhe ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo. Ai thotë se sherri në Tiranë rrezikon vendimin për negociatat në qershor në Bruksel dhe u bën thirrje palëve që të bëjnë nga një hap pas e të dialogojnë.

“Mesazhi im për politikanët është i dyfishtë. Nga një anë që protestat të vazhdojnë, por të jenë gjithmonë paqësore. Mesazhi i dytë, vlen për të gjitha, e ndoshta më shumë për shumicën, që të bëjnë një hap drejt dialogut. Sepse Qeveria ka një përgjegjësi më të plotë për atë që ndodh në vend dhe pasiguria dhe tensioni politik nuk është në të mirë as të saj”, tha Cutillo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë