Politike

Opozita shpëton mandatet, thyen bojkotin për studentët e Vettingun

Opozita do të jetë e pranishme në seancat e fundit parlamentare, duke i dhënë fund bojkotit disa mujor, që daton që muajin korrik të këtij viti.
Vendimin për dhënien fund ndaj bojkotit, kryedemokrati Lulzim Basha ia ka komunikuar aleatëve të tij në takimin e zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike. Rikthimi i shpëton opozitarët, të cilët duhet të ishin prezent në seancë brenda këtij sesioni, pasi në të kundërt do t’u digjeshin mandatet.   

Por ky vendim i PD-së duket se është kondicionuar nga një sërë faktorësh, pasi edhe brenda demokratëve ka pasur zëra për djegie të mandateve, apo dhe përballje në Parlament. Çështja tjetër ka qenë edhe për faktin se PD-ja ishte përballë presionit të aleatëve, të cilët kanë deklaruar haptazi se nuk kishin pse ta kishin ta ndërmarrin një veprim kaq ekstrem. Ky ka qenë qëndrimi i prerë i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, por edhe i aleatëve të tjerë minorë si Fatmir Mediu i PR-së apo dhe Dashamir Shehi i LZHK-së.
Një ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha kishte deklaruar se nuk ishte marrë vendimi për djegien e mandateve. “A jam i gatshëm për të djegur mandatet? Po, pa dyshim! A është kjo gjëja që duhet të bëjmë? Ti themi gjërat hapur; në këtë moment opozita nuk ka praktikisht asnjë instrument për të vepruar brenda Parlamentit, në kuptimin institucional. Jemi gati që t’i djegim mandatet dhe ta fusim vendim në krizë totale, por duhet të shikojmë së çfarë do sjell kjo gjë. Nuk është çështja a i djegim apo jo, por a i shërbejmë kauzën tonë që kemi nisur. Pra, Parlamenti është shndërruar thjeshtë në një tribunë politike ku edhe aty fjalën nuk na e japin, por kemi arritur me mjete të ndryshme që të bëjmë aktin tonë të vetëdijësimit, pasi opozita ka detyrimin e vetëdijësimit të qytetarëve. Pra, tribunë politike mbetet. Instrument për të ndikuar në ndaljen e të keqes, për të ndalur ligje korruptive si ai i Teatrit, instrument për të përmirësuar jetën e qytetarëve, opozita në Parlament nuk ka”, deklaroi Basha gjatë një interviste televizive.
Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi pas tryezës me aleatët deklaroi se “Ne do të jemi në Parlament për ata studentët që Edi Rama tallet dhe i manipulon. Nuk i ka bërë ditët Edi Rama sepse nuk është aq i zoti, sepse nuk është as doktor shkencash dhe as piktor, por është një kryeministër i lidhur me krimin, është një kryeministër që vjedh paratë e studentëve për xhepat e tij”.   

Në mbledhjen që zgjati rreth dy orë mori pjesë Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Agron Duka, Dashamir Shehi. Pas këtij qëndrimi, opozita mori pjesë në konferencën e kryetarëve të thirrur nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili ka paraqitur ka paraqitur agjendën për zhvillimin e dy seancave, ku janë parashikuar një sërë çështjesh si dekreti i presidentit për kthimin e buxhetit, votimi për kreun e KLSH-së ku si kandidaturë është emri i Vitore Tushajt, apo anëtarët e rinj për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe nismën e opozitës për Vettingun në Politikë.

Demokratët kanë kërkuar që dekreti i Presidentit për ligjin e Buxhetit të realizohet me debat, por një gjë e tillë nuk është pranuar nga mazhoranca. Beteja më e ashpër akoma pritet të jetë edhe ajo për nismën e opozitës për Vettingun në Politikë. Pas mbërritjes së Opinionit të Komisionit të Venecias, socialistët janë kundër kësaj nismeje, ndërsa demokratët duan ta kalojnë këtë ndryshim kushtetues.

Kthimi i opozitës në Parlament përveç përplasjes brenda aleatëve, për djegien ose jo të mandateve, mund të komentohet edhe me faktin se ndërkombëtarët kanë kërkuar prej kohësh që t’i jepet fund bojkotit, pasi dialogu dhe debati zhvillohen brenda mureve të institucionit që konsiderohet si Tempulli i Demokracisë.

Apeli i ndërkombëtarëve fokusohet se miratimi i reformës zgjedhore, si një nga kushtet e procesit të integrimit evropian. Apeli i ndërkombëtarëve fokusohet se miratimi i reformës zgjedhore, si një nga kushtet e procesit të integrimit evropian.

Kryetari grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi se “kemi futur në rendin e ditës ndryshimn e Kodit Zgjedhor me qëllim që ta miratojmë me konsensus nismën”.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor kërkon një shumicë të cilësuar të votave dhe se për këtë duhet një konsensus politik mes PS-së dhe opozitës. Palët janë akoma larg një konsensusi të tillë, edhe pse si rregull ligji duhet të miratohet gjashtë muaj përpara zgjedhjeve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë