Politike

Basha: Nuk ka më pazare me Ramën. Ligjin e ka në dorë sovrani!

Pasi i është bashkuar protestës së opozitës pas orës 18:30, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë fjalën i pari. Ai ka përsëritur se nuk do të ketë as kompromis dhe as pazar të radhës për një marrëveshje të mundshme politike me kryeministrin Rama.

“Nuk do ketë më pazare të radhës, tani e them me zërin tim në emër të të gjithë opozitës dhe partive të koalicionit, nga LSI-ja e deri tek partia e fundit, nuk do ketë pazare politike e marrëveshje tavolinash, kushti i vetëm është qeveria tranzitore pa Edi Ramën”.

Kryedemokrati nënvizoi se vendi nuk mund ta mbahet peng as nga Rama e as nga oligarkët e tij. “Kjo është një qeveri që asnjë ditë të vetme nuk mendoi për shqiptarët, se ata punojnë për kriminelët e armiqtë e popullit shqiptar. Opozita jonë është koalicioni i mazhoranës absolute. Ne, Partia Demokratike, e dimë fare mirë se ky mandat i shumicës së grabitur të dhunuar, kërkon nevojën e një rotacioni politik, - tha Basha. – Kjo proteste, një rizgjimi kombëtar, i një aspirate që kemi sakrifikuar shumë, por që sot është dita të mos bëjmë më kompromise, kurë më, asgjë më pak se zgjedhje të lira e të ndershme, asgjë më pak se drejtësi që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët hajdutë, kurrë më e asgjë më pak, se ekonomi që hap vende pune për shqiptarët”.

Basha shtoi se Rama është një kufomë politike dhe se është koha të themelohet bashkëjetesa demokratike e vlerave europiane.

“Kjo qeveri është kërcënimi numër një për çdo demokraci për lirinë e çdo shqiptari, me Ramën nuk ka shtet, zhvillim, shëndetësi, por krim, korrupsion e dhunim të të drejtave. Ndaj i them sot atij, që sot e tutje nuk jeni më shteti, por antishteti, ju nuk jeni ligji, jeni antiligji, ju nuk jeni drejtësia, por padrejtësia, që sot e tutje, ligji është sovrani i derdhur në shesh”.

Kryemadhi: Qeveria ka rënë, nuk ka më kthim pas!

Protestës së opozitës i është bashkuar edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila pavarësisht nga moti me shi, ka deklaruar se asgjë nuk e ndal popullin para një të keqeje të madhe, siç e cilësoi ajo kryeministrin Rama.

Ajo i bëri thirrje këtij të fundit të largohet sa më parë dhe të mos e zgjatë qëndrimin në pushtet.

“Qeveria në ikje e një kryeministrit të ikur, tregon vuajtjen, sa më shumë e zgjat aq më keq për të.Çdo kryeministër i këtij vendi duhet të bëjë vizitën psikomendore, se vendi s’mund të mbetet peng i maktheve të tyre, - tha Kryemadhi. -  Nuk ka më kthim, ka vetëm një drejtim, Shqipërisë do i kthehet legjitimiteti i duhur, ta pastrojmë këtë mentalitet, që politikanët mendojnë vetëm për veten e tyre. Djegia e mandateve ishte interes publik, për t’i thënë shqiptarëve që janë ata që duhet të marrin fatin e tyre në dorë”.

Kryemadhi shpjegoi se gjatë vizitës së tij para pak ditësh, zyrtari i DASH-it, Palmer ndau të njëjtin qëndrim me opozitën.

“Zoti Palmer ndau të njëjtin mendim me opozitën sa i përket raportit të departamentit të shtetit Në çdo vend të botës, kapja e shtetit nga krimi është shumë e rëndë. Dhe Palmer tha se axhenda ime nuk ka të planifikuar zgjidhjen e krizës. Unë mendoj se hallet e shqiptarëve nuk i zgjidhin të huajt, por janë vetë shqiptarët. Të huajt janë pika orientuese e jona për ta çuar vendin në BE”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë