Arsim

“Nga higjiena, te mungesa e mësuesve. Drafti i MASR për hapjen e shkollave është një utopi!”

Ekspertë të arsimit vijojnë ta shohin me shumë kritika udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për rihapjen e shkollave në vend. Madje sipas tyre, ky draft i përgatitur me rregullat se si do të rikthehen fëmijët dhe të rinjtë në shkolla, është një utopi. Duke nisur që nga çështjet e higjienës, mungesa e klasave, diferencimi i nxënësve, mungesa e mësuesve dhe deri tek mbingarkesa e këtyre të fundit; ata bëjnë thirrje se duhet që sa më shpejt të korrigjohen të gjitha detajet.
Ekspertja e Arsimit, Nora Malaj i tha Gazetës “Si” se udhëzimi "me letra" është në rregull, por me vepra i pamundur.
“TË HAPEN APO TË MOS HAPEN SHKOLLAT??!! Nga mënyra sesi është shkruar dhe hartuar udhëzimi, të lë shumë mënyra të errëta dhe jo të qarta. Në leximin e parë të krijohet një shije jo e mirë nga mënyra se si është hartuar udhëzimi. Në situatën që po kalojmë jo çdokush mund të bëjë një UDHËZIM, aq më shumë, jo çdokush ka autoritetin ta firmosë atë, kur bëhet fjalë për gjendjen e jashtëzakonshme dhe për fatin e fëmijëve dhe të rinjve, duke mos harruar që viti që u mbyll kishte shumë mangësi dhe nevoja për t’i zëvendësuar është mëse emergjente,” i thotë Malaj Gazetës “Si”.
Në realitet - vijon Malaj - draftprojekti është një utopi sepse një tjetër problem është edhe mënyra se si nxënësit do të qëndrojnë në klasë. Sipas saj, kjo mund të realizohet në fshat, por jo për qytetet e mëdha si Tirana.
Edhe për profesorin Fatmir Vejsiu, ky draftprojekt përbën një problem shumë të madh. Sipas tij, nëse mësimi zhvillohet për 45 minuta në turnin e parë, nxënësit do të mësojnë normalisht. Por për turnin e dytë mësuesit do të jenë të lodhur. Vejsiu shprehet se ata që nuk kanë dhënë mësim ndonjëherë (ka shumë të tillë) nuk e dinë se sa “mban” mësuesi.

Nora Malaj

“Jo më kot normat e mësueve, jo vetëm tek ne, variojnë nga 20-24 orë/javë. Mbi këtë numër orësh, cilësia e mësimit nuk mund të jetë ajo e pritshmja. Nëse marrim në konsideratë skenarin e zhvillimit të mësimit me turne dhe nënturne, me një kohë që varion nga 30 deri në 25 minuta, as që bëhet fjalë për cilësi. Në udhëzim nuk bëhet fjalë për ndryshim të programeve, pra bëhet fjalë për programet e miratuara nga MASR. Këto programe, kur janë hartuar kanë marrë në konsideratë minutazhin, pra 45 minuta për një orë mësimi. Po të marrim në konsideratë dy skenarët e mësipërm, bëhet i mundur diferencimi i nxënësve. Të gjithë këta nxënës, në një periudhë të caktuar, do t'u nënshtrohen provimeve kombëtare (klasa V, e IX dhe matura). Siç dihet, testet janë të njëllojta për të gjithë, pra do kemi teste të nivelit konform kërkesave të programit ose ulje e nivelit. Në të dyja rastet, efikasiteti i mësimit, pra i përvetësimit të njohurive që parashikojnë programet, është jo ai që kërkohet,” shprehet eksperti për Gazetën “Si”.
Për ekspertët problem mbetet edhe numri i klasave dhe ndarja e mësuesve. Sipas tyre, nuk kemi aq mësues sa duhet për të mos cenuar cilësinë e procesit mësimor. Sipas ekspertes Malaj nuk kemi as para dhe as mësues, madje askund, por sipas saj "udhëzuesit nuk e dinë këtë".
Në vëzhgimin që ka kryer profesor Vejsiu mbi draftprojektin thotë se është bërë edhe një përllogaritje jo e duhur edhe për mësuesit. Sipas tij udhëzuesit kanë llogaritur ngarkesën me minuta dhe jo me njësi mësimore. Në udhëzim thuhet se mësuesit MUND të paguhen 7 orë në javë si një orë mbi normë, ndërkohë që profesor Vejsiu e shikon të padrejtë këtë fakt dhe se mësuesit duhet patjetër të paguhen 28 orë në muaj, pasi kjo lloj përllogaritje do t’i demotivojë mësuesit.

“Problemi tjetër i udhëzimit është lëvizja e nxënësve. Udhëzimi kërkon përdorimin e maskave në to dhe nuk thotë asnjë fjalë për distancimin fizik. Udhëzuesit duhet të kërkojnë që në mjetet e transportit të ruhet distancimi, i cili për transportin e dedikuar do ketë kosto shtesë. Kush dhe si do te realizohet kjo? Kush i paguan kostot dhe si do të jetë mënyra e procedimit? Po për nxënësit me aftesi të kufizuar, si do procedohet? Një mori pyetjesh dhe paqartesish shfaqe në këtë udhëzim,” i thotë Malaj Gazetës “Si”.
Një detaji rëndësishëm që vë në pah profesor Vejsiu është fakti se në shtor krahas ndryshimit të kushteve atmosferike, kemi edhe fenomenin e zvoglimit të ditës, përkundrejt natës., e në këto kushte nuk do të bëhet dot mësim pasi i ftohti do të jetë i papërballueshëm nga nxënësit dhe mësuesit pasi sic shpjegon edhe profesori jo të gjitha shkollat janë në rrugën e Durrësit. Ekspertët janë të shqetësuar për cilësinë e mësimit, por që sipas tyre do të rritet edhe mundësia e infektimit.

Fatmir Vejsiu

Nga vëzhgimet që kanë kryer ekspertët, duket se draftprojektit të Ministrisë së Arsimit i mungojnë shumë elementë të rëndësishëm, e një ndër to që është tepër e rëndësishme është edhe ana psikologjike e nxënësve.
Më herët Ministrja e Arsimit Besa Shahini, ka deklaruar në rrjetin social Facebook se është dyfishuar numri i punojësve socialë dhe psikologëve në shkolla, por sipas ekspertit Vejsiu në draftprojekt nuk shihet ndonjë përpjekje për këtë çështje.
“Mbase ngarkesa psikologjike e prindërve do të ndikojë negativisht edhe tek fëmijët e tyre. Dihet që niveli i nxënësve është i shtresëzuar. Ka shumë nxënës që janë të motivuar dhe në kushtet në të cilat po punojnë, nuk arrijnë atë që pretendojnë. Mos harrojmë se fillimi i këtij viti shkollor është pas mbylljes në mënyrën më të keqe të vitit paraardhës, e cila nuk është se nuk ka ndikuar negativisht në psikologjinë e prindërve dhe nxënësve,” shton më tej eksperti Vejsiu.
Diçka tjetër shqetësuesë për ekspertët është se në udhëzim përshkruhet fakti se kërkohet edhe uji i ngrohtë, sapunit të lëngët, pastrimit dhe dezinfektimit të mjediseve disa herë në ditë, por në shkolla mungojë shumë kushtet higjeno-sanitare.
“Do të doja të ishte një udhëzim që realisht udhëzon, ndërtuar mbi realitetin që dhemb, por fatkeqësisht kemi një dokument që thjesht Ministria e Padijes ka bërë për të qenë në “rregull” dhe shumë larg asaj që mësuesve, prindërve dhe fëmijëve u duhet. Dhe sllogani se “jeta e fëmijëve tanë duhet të jetë e sigurtë" vetëm këtu nuk gjen vend! E në fund ngelet shprehja: “Nga padija Zoti Mësues!”, shprehet Malaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë