Sociale

Nga 8 vatra zjarresh në Veri të vendit vetëm një nën kontroll

Vijon të jetë e vështirë situata e zjarreve në vend ku aktualisht më shqetësuese paraqitet zona e veriut me të paktën tetë vatra mes qarqeve Kukës e Lezhë.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi pasditen e së martës se bashkë me ushtarë nga Kosova po mundohen të vënë nën kontroll flakët në zonat malore. Deri më tani kanë mundur të vënë nën kontroll vetëm një nga vatrat, ndërsa theksohet se në asnjë prej zonave nuk rrezikohen banesa.

Zjarret në qarqet Kukës dhe Lezhë:

    1. Qafa e Kumbullës, Kalimash nën kontroll
    2. Laku i Thive, Mirditë, aktive
    3. Maja e Runës, Malzi, aktive
    4. Laku i Mollës, Mollëkuqe, aktive,
    5. Thirrë, Mirditë, nën kontroll,
    6. Munellë, Fan, Mirditë, aktive
    7. Domgjon, Fan, Mirditë, aktive
    8. Patalej, Kolsh, Lezhë, aktive

“Terreni i pjerrët dhe shkëmbor ndërlikon punën […] por nuk ka rrezik për banesa. […] Pjesa në anë të tunelit është nën kontroll, ndërsa pjesa tjetër e malit vijon të ketë prani flakësh,” – tha ministria.

Zjarrfikëse nga Kukësi, Shkodra dhe Kosova u nisën mbrëmjen e djeshme në tunelin e “Rrugës së Kombit”, pasi në zonat përreth u paraqit situatë e vështirë nga zjarret. Nga mëngjesi i së martës në zonë është dërguar edhe një helikopter.

Aktualisht tuneli është i kalueshëm, megjithatë ekspertët i druhen pasdites dhe mbrëmjes ku era shton dhe riaktivizon vatrat.

Zjarre ka pasur edhe në zona të tjera të vendit.

Në qarkun Vlorë vijon të jetë problem zjarri në Dukat. Më parë kjo vatër qe vënë nën kontroll, por është shtuar nga era e fortë.

Në qarkun Korçë vatrat në fshatrat Krushovë (Korçë), Gjonomadh (Korçë), Leshnjë (Korçë), Guri i Nikës (Pogradec), janë vënë nën kontroll.

Autoritetet kanë shtuar vëmendjen edhe në Malin e Tomorit ku në zonën shkëmbore mbi “Teqenë e Kulmakut”, fshati Ujanik, ka pasur zjarr por që është shuar.

Në qarqet Gjirokastër, Fier, Dibër, Tiranë, Elbasan dhe Shkodër situata paraqitet pa probleme.

Mbi 475 vatra zjarri janë regjistruar gjatë muajit të fundit në Shqipëri sipas Global Forest Watch (GFW), që monitoron situatën e pyjeve në botë përmes pamjeve satelitore.

Policia tha sot se të paktën 33 persona dyshohen të jenë përgjegjës për zjarrvënie të qëllimshme ku 15 prej tyre janë arrestuar, 2 janë shpallur në kërkim dhe 16 të tjerë janë vënë nën hetim.

GFW thotë se në 20 vitet e fundit Shqipëria ka humbur mbi 40 mijë hektarë sipërfaqe të gjelbër, ose 6.2% e totalit që kishte deri në vitin 2000. Arsyet kryesore kanë qenë prerja pa kriter dhe zjarret e pakontrolluara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë