Sociale

Rihapen pikat kufitare me Greqinë, radhë kilometrike e kamionëve në Kapshticë

Gazeta Si - Doganat greke kanë përfunduar grevën e saj dy ditore në pikat kufitare me Shqipërinë dhe që prej orës 05:30 ka nisur puna në Pikën Kufitare të Kapshticës.

Megjithatë duket se në orët në vijim do të ketë një fluks të shtuar të lëvizjeve, pasi në anën shqiptare është një radhë kilometrike me kamionë.

Radha ka arritur deri në 3 kilometra, ndërsa një nga drejtuesit shprehet se pret aty që prej orës 03:00 të mëngjesit. Këto vonesa shkaktohen nga fluksi i lartë, por edhe kryerja e procedurës së skanimit për çdo mjet transporti.

Ndërsa sa i përket lëvizjeve të mjeteve të vogla drejt Greqisë ajo është normale dhe nuk ka fluks. Njëjtë ka filluar puna edhe në Doganën e Kakavijës. Prej orës 7:00 të mëngjesit atje shihet një rritje e fluksit të lëvizjes kryesisht e kamionëve të transportit të mallrave në të dyja anët e kufirit.

Prej datës 2 prill si shkak i grevës në palën greke në doganën e Kakavijës ishte bllokuar lëvizja e autoveturave, autobusëve dhe kamionëve të mallrave ndërsa kanë lëvizur një numër i pakët këmbësorësh pa bagazhe.

Për 48 orë u pezullua plotësisht qarkullimi përveç emergjencave shëndetësore dhe këmbësorëve pa bagazhe. Sipas policisë gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 348 në hyrje dhe 248 në dalje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë