Politike

Negociatat dhe kufijtë e Kosovës, asgjë e re nuk pritet nga Berlini

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor mbërritën njëri pas tjetrit në Berlin me dosjet me arritjet dhe zotimet për të vazhduar në rrugën e nisur, në përpjekje për të marrë mbështetjen e Angela Merkelit dhe Emanuel Makronit.

Mes tyre mbërriti edhe delegacioni i Shqipërisë, që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama. Ky është takimi i pestë në kuadër të të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”, nisur në vitin 2014 me nismë të kancelares gjermane, si një shtysë për paqen dhe zhvillimin e rajonit. Tematikat thelbësore janë dy: së pari progresi në plotësimin e kushteve për anëtarësimin në BE dhe së dyti dialogu Kosovë-Serbi.

Në të dyja këto tematika, Shqipëria ka marrë një rol protagonist. Sa i takon progresit në rrugën drejt Bashkimit Europian, hapi i radhës duhet të jetë hapja e negociatave. Vendimi do të merret në qershor, por përvoja e viteve të kaluara ka treguar se në prill jepen sinjalet nëse ai do të jetë pozitiv apo negativ.

Thuajse fiks një vit më parë, Angela Merkel priste në Berlin Edi Ramën. Në konferencën e mbajtur pas takimit, Kancelarja gjermane nuk kishte entuziazmin e Kryeministrit shqiptar sa u takon plotësimit të kushteve për hapjen e negociatave. Dy ishin çështjet kryesore të cekura prej saj dhe që të dyja të lidhura me shtetin e së drejtës, rendin dhe sigurinë. E para ishte reforma në drejtësi dhe veçanërisht përshpejtimi i procesit të vettingut, ndërsa çështja e dytë lidhej me pritshmërinë që një proces i ngjashëm të niste sa më shpejt në radhët e Policisë së Shtetit.

“Më lejoni të them në mënyrë eksplicite se Shqipëria ka nisur projekte të rëndësishme reformash dhe se është bërë përparim. Unë po mendoj për Vettingun e disa qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo gjithashtu forcon sistemin ligjor në tërësi dhe besueshmërinë e tij. Ne e dimë se tani kontrolli duhet të zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm mund ta inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë”, deklaronte ajo.

Tani, dilema është nëse ka patur progres të mjaftueshëm në harkun kohor të 12 muajve? Vettingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve ka ecur, por ritmet me të cilat ka ecur dhe vazhdon të ecë si proces vështirë se lumturon njeri në Berlin.

Sa i takon vettingut në polici ai nuk ka nisur ende. Propozimi i ish-ministrit Fatmir Xhafaj, që më pas u shndërrua në ligj u ndryshua nga Sandër Lleshaj. Mes ndryshimeve, që kalon pak ditë më parë, ishte edhe pika që ndryshonte thelbin e ligjit. Tani, me ligjin e ri vettingun nuk e bën një komision i pavarur, por Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, një organ në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit të Brendshëm.

Ndryshimet u qortuan nga Sindikata e Pavarur e Policisë dhe ekspertë të tjerë, që thanë se vlerësimi nga SHÇBA nuk garantonte një proces të pavarur dhe objektiv. Në Parlament, vetë Fatmir Xhafaj i kritikoi ndryshimet. Ligji kaloi, por ai u kthye për rishqyrtim nga Presidenti Ilir Meta.

Ish-ministri i Brendshem, Fatmir Xhafaj

Këto janë dy pikat kryesore, por ka edhe plot të tjera. Mes tyre është edhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar. Gjermania ka kërkuar përshkallëzim të luftës, sidomos ndaj trafikut të drogës dhe këtë e bëri edhe publikisht Angela Merkel në takimin që pati me Edi Ramën prillin e kaluar.

Në tetor të 2018, në bazë edhe të informacioneve që kishin mbërritur nga autoritetet gjermane, në Shqipëri ndërmerret operacioni i famshëm “Vol-vo 4”. Katër grupe kriminale me shtrirje nga jug në veri të vendit u tha se u shkatërruan. Mes të ndaluarve ishte edhe Astrit Avdyli, që akuzohej si kreu i grupit të Shijakut, që për aktivitet kishte edhe trafikun e lëndëve narkotike në drejtim të Gjermanisë.

Aksioni u përshëndet publikisht nga pala gjermane, megjithëse në media pati disa artikuj që pretendonin për një pakënaqësi të Berlinit zyrtar, pasi autoritetet shqiptare ishin nxituar në aksion, duke shpëtuar drejtuesit e vërtetë të këtyre grupeve.

Aksioni u shfry brenda një muaji. Në nëntor, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda zbuti masat e sigurisë, për një pjesë të madhe të grupit prej 44 personave dhe nga kjo përfituan edhe dy ish-deputetët socialistë, Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Pra, edhe kjo çështje vështirë se mund të cilësohet e plotësuar në Berlin.

Kufijtë, “ndarja” e madhe

Nëse “përplasja” për progresin në realizimin e kushteve për hapjen e negociatave zhvillohet më në hije, ajo për çështjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është shpërfaqur si kurrë ndonjëherë. Ideja u risoll për publikun, këtë herë jo nga Beogradi, por nga Prishtina. Hashim Thaçi foli për këtë temë më shumë se një herë gjatë muajit gusht të vitit të kaluar. Edi Rama, pasi nuk e komentoi për javë me radhë e ka mbështetur këtë ide, por duke mos folur me zellin e Presidentit të Kosovës për këtë çështje.

Megjithatë, pjesë e qëndrimit pro u interpretua edhe largimi i Ditmir Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm dhe emërimit në këtë post si ministër në detyrë të Gent Cakajt. Bushati ishte shprehur kundër ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi dhe pak javë pasi u shkarkua kishte në agjendë një vizitë në Berlin. Vetë e kishte sinjalizuar si mjaft të rëndësishme këtë vizitë. Ai u largua nga detyra dhe vizita nuk u realizua.

Gjermania mbetet aktualisht zëri më bindës dhe më i fuqishëm kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, pas ndryshimit të kursit nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nuk e përjashtojnë si mundësi, por edhe pas zotimit të disa vendeve të tjera të Bashkimit Europian se do të mbështesnin çdo marrëveshje që do të arrijnë të dyja palët.

Kryeministri Edi Rama, duke percjelle Kancelaren Gjermane Angela Merkel, pas forumit te tete ekonomik Gjermani-Shqiperi, te organizuar ne “Tirana Busines Park”, ne Vore.

"Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe i paprekshëm. Kjo duhet të përsëritet gjithnjë, sepse ekzistojnë tendenca që çështje e kufijve të hapet prap. Kjo nuk mund të ndodhë. Duke u nisur nga ky fakt, ne jemi unik që vendeve të Ballkanit Perëndimor t'u jepet perspektiva e integrimeve evropiane"", deklaronte kancelarja gjermane Angela Merkel pas takimit në Berlin me kryeministrin boshnjak në gusht të vitit të kaluar, pikërisht në ditët kur Hashim Thaçi po shqiptonte gjithnjë e më fort idenë e tij.

Qëndrimi i prerë i Gjermanisë nuk mirëpritet në Beograd dhe këtë e ka bërë të qartë disa herë Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Së fundmi, ai tha se nuk ishte në gjendje që të kuptonte se përse e kundërshtonte këtë ide Angela Merkel dhe sinjalizonte se pavarësisht kësaj, në takimin e Berlinit do të shtrojë në tryezë.

“Ne nuk shkojmë nesër në Berlin që të na thonë se Kosova është e pandashme dhe se Serbia duhet ta njohë atë”, deklaroi ai në një intervistë për mediat vendase.

Kritikat ndaj Presidentit të Kosovës për idenë e hedhur prej tij vërshuan që në gusht të vitit të kaluar dhe ato vazhdojnë ende, pavarësisht se Presidenti i Kosovës nuk flet më për ndryshim kufijsh, por për korrigjim të tyre. Për analistët dhe kritikët e idesë, thelbi ishte i njëjtë dhe ai përkthehej në kalimin e veriut, së bashku me Trepçen dhe Liqenin e Ujmanit tek Serbia.

Ndër kritikët e parë të Hashim Thaçit ishte Sali Berisha, që e quajti Presidentin e Kosovës “argat të Beogradit”. Berisha i është rikthyer këtij termi këtë të hënë përmes rrjeteve sociale, ku shënjestron Thaçin dhe Ramën.

“Patatja e nxehtë e Samitit është marrëveshja Kosovë - Serbi. Lidhur me këtë marrëveshje dy janë pengesat madhore të saj. Së pari, marrëveshja e fshehtë për coptimin e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së madhe e arritur nga argatët e Beogradit në Tiranë dhe Prishtinë me patronin e tyre Presidentin serbomadh Vuçiç. Së dyti, shqiptarët e Kosovës përfaqësohen në Samit de facto nga dy delegacione. Delegacioni i argatit të Beogradit, i cili, si peng i këtij të fundit, projektin e Serbisë së Madhe e paraqet si projekt të Prishtinës. Në krah të tij qëndron i palëkundur Zografi bis i Tiranës”, shkruan Berisha.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Kosoves, Hashim Thaci

Ndërkohë, Hashim Thaçi nga Berlini kërkoi përfshirjen në dialogun me Serbinë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kërkesën e bëri në një intervistë dhënë për “Der Spiegel” pak orë para se të takohet me Angela Merkel.

Kosova, “kryetema” e samitit

Ideja e një takimi me liderët e Ballkanin Perëndimor përpara zgjedhjeve europiane lindi nga një bisedë mes kancelares gjermane dhe kreut të shtetit francez gjatë drekës me presidentin kinez Xi Jinping, në Paris më 26 mars.

Ky nuk është thjesht një samit mes Angela Merkel, Emmanuel Macron dhe krerëve të shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe një takim mes lideres më këmbëngulëse për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe presidentit më skpektik të unionit. Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se dhe sipas burimeve diplomatike, ai nuk do të jetë temë bisede.

Megjithatë, edhe pse qëndrimi i Merkel dhe Macron për Ballkanin mund të jetë i ndryshëm për një sërë çështjet, dy liderët kanë një të përbashkët të madhe: Asnjëri prej tyre nuk dëshiron ndryshime kufijsh në Ballkan.

Ndërkohë që liderët e rajonit dhe përfaqësuesit e BE-së u nisën drejt Berlinit, tre politikanë gjermanë, Peter Beyer, Josip Juratovic dhe Manuel Sarrazin shkruan një artikull të përbashkët me titull "Jo ndryshime kufijsh në Ballkan.

I publikuar të hënën nga gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, analiza e tre deputetëve të Bundestagut ngre alarmin për shkatërrimin e trashëgimisë së kancelares Merkel në Ballkan dhe kaosin që e pret rajonin nëse skenarë të tillë cohen deri në fund.

"Ne e refuzojmë këtë propozim, sepse ndryshimet e kufirit sipas vijave etnike janë vizion i rrezikshëm nacionalistësh që e kanë çuar njëherë rajonin në luftën më të përgjakshme të historisë europiane. Propozimi është antikushtetues dhe vendos pikëpyetje mbi multietnicitetin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë mos ndarjen e vendit”, thekson tre zyrtarët e lartë gjermanë. Sipas tyre, ky propozim do të ishte kapitullim para vlerave europiane dhe duhet të hidhet poshtë.

"Ne kemi mësuar, se paqja e vërtetë është e mundur, vetëm me ato shoqëri, që e gjejnë forcën tek pluralizmi, toleranca, mos diskriminimi dhe të drejtat e veçanta për pakicat. Për çështje etnike nuk mund të ketë zgjidhje territoriale. Ky parim mbetet për ne i patundur”, shkruajnë ata.

Tre autorët duket se i mëshojnë qartë qëndrimit të kancelares Merkel në këtë çështje.

"Është merita e Angela Merkelit e cila ishte e vetmja që nga fillimi që doli kundër këtij skenari. Sepse kush vë në pyetje kufijtë, ndez sërish fuçinë e barutit në Ballkan. Ai rrezikon, madje provokon shpërthimin e konflikteve të reja në Bosnje-Hercegovinë”, thuhet në analizën e tre figurave të shquara të politikës gjermane.

Ndërkohë, sipas analistëve të tjerë gjermanë, qëllimi i vetëm i këtij samiti është ndalimi i ndryshimeve të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

"Shqetësimi për një nga rajonet më të paqëndrueshme në Europë ka qënë vazhdimisht pjesë e politikës së jashtme të Merkelit. Që nga fillimi ajo ndoqi një politikë konsekuente në Ballkan, por Berlini e kuptoi vonë, se Vuçic ia doli të bënte për veteFederica Mogherini me idenë e këmbimit të territoreve. Ajo dëshiron që ta kurorëzojë me një projekt të madh mandatin e saj. Por në zyrën e kancelares i tremben të kundërtës: Një ndarje e plotë mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk mund të arrihet. Çdo ndryshim kufijsh do të çonte në një debat të ri për ndryshime të tjera, në akte kërcënuese, armatim, në rastin më të keq edhe në luftë. Merkel punon me durim për të kundërtën…Por a është Merkel aq e fortë, që t'i japë fund debatit për kufijtë?”, pyesin nga ana tjetër analistët e gazetës së njohur gjermane “Die Ëelt”.

Mediat gjermane por edhe ato franceze thonë se samiti mund të jetë vendimtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, pasi sytë e të gjithë të pranishmëve do të jenë nga Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi.

Këshilli gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë është i mendimit se rezultati minimal i takimit të Berlinit duhet të jetë rifillimi i bisedimeve mes dy palëve. Sipas kësaj organizate, marrëveshja për shkëmbimin e territoreve mund t'i përshtatet vetëm Serbisë, e cila ka nevojë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, për t’u anëtarësuar në BE.

Në nga ekspertët e këtij këshilli, Milan Nic thotë se shumica e liderëve në rajon janë ende kundër kësaj ideje dhe i kanë paraqitur ankesat e tyre në Berlin.

"Ata (gjermanët) janë të vetëdijshëm se udhëheqësit politikë rajonalë janë kryesisht kundër ndryshimit të kufijve dhe të gjithë po vinë në Berlin për t'u ankuar," tha ai. "Merkel ishte shumë e kujdesshme, shumë e shqetësuar për të gjithë idenë e ndryshimit të kufijve ose shkëmbimin e territoreve që nga fillimi. Por ajo ishte duke pritur për momentin e duhur për të vepruar ideje, "vuri në dukje Nic.

Eksperti e sheh Francën si "pjesë të zgjidhjes" dhe sipas tij, Merkel po kërkon mbështetjen e Macron për rikthimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës në rrugën e duhur para zgjedhjeve të ardhshme të BE-së në maj.

Sipas raporteve të mediave, Angela Merkel ka përgatitur tanimë një draft-marrëveshje që do t’u vihet përpara në liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Nëse raportet e janë të vërteta, atëherë kancelaria gjermane do të ndalonte ndarjen e Kosovës, në këmbim të krijimit të një “Republike Srpska” në komunat e Veriut.

“Ka një diskutim rreth sovranitetit të dyfishtë. Kosova do të mbajë integritetin territorial të paprekur, ndërsa Serbia do të gëzojë një lloj sovraniteti mbi serbët në Kosovë dhe kishat ortodokse serbe “, shkruan “Der Standart”. Marrëveshja e re nuk përfshin shkëmbimin e tokës, por nuk do të jetë në favor të Kosovës. Më shumë gjasa do të propozohet që Serbia të ushtrojë një lloj sovraniteti në territore të caktuara të Kosovës” thekson gazeta.

Megjithatë, Igor Novakovic, përfaqësues i Këshillit për Qeverisjen Demokratike në Serbi, nuk beson se planet e Gjermanisë dhe Francës bazohen në njohuri realiste.“Edhe pse në parim çdo ide e cila është konstruktive mund të jetë e vlefshme për procesin, unë dyshoj se në këtë nivel mosbesimi dhe tensioni politik, sovraniteti i dyfishte do të ishte i papranueshëm nga Prishtina”, thotë ai.

Perspektiva e zgjerimit.

Kjo është thjesht një mbledhje joformale, por kancelarja gjermane dhe presidenti francez duket se duan t'i japin fund edhe debateve e muajve të fundit për zgjerimin e unionit. Gjithashtu në diskutim janë ndihma financiare më e fortë për rajonin.

Lajmi i parë rreth takimit u dha disa javë më parë nga mediat serbe. Që atëherë, politikanët në rajon kanë dalë me deklarata rreth asaj që presin nga samiti. Sidoqoftë, në Berlin dhe rrethet diplomatike gjermane ka mbizotëruar heshtja.

"Takimi duhet të jetë një lloj udhëzimi orientues për disa nga politikanët e Ballkanit Perëndimor", tha analisti politik Dushan Reljiç për “Spiegel”. “Frika e një precedenti nga ndryshimet e reja kufitare në Ballkanin Perëndimor ishte shumë e madhe në Gjermani”, shton ai.

Në Bruksel nuk presin ndonjë vendim konkret për sa i përket zgjerimit, pasi kriza e brendshme e BE-së përthith pothuajse të gjithë energjinë për këtë proces. Duke folur në një intervistë , një ditë para samitit në Berlin, komisioneri Johannes Hahn paralajmëroi për pasoja të rënda nëse vendet e anëtare nuk miratojnë hapje e negociatave më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë verë. Sipas tij BE-ja nuk duhet të luajë me kohën.

“Shtyrja dhe mosnjohja e progresit objektiv të vendeve kandidate mund të ketë pasoja dramatike për të dyja vendet në fjalë dhe rajonin në tërësi”, tha Hahn. “Vetëm politikat e besueshme do të kenë sukses në nxitjen e procesit reformues të Ballkanit Perëndimor dhe ruajtjen e ndikimit tonë në rajon. Shtetet Anëtare vetë përcaktuan qershorin si datë për vendimin për negociatat e pranimit me të dy vendet”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, për ekspertët, hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duket gjithnjë e më e vështirë. Naim Rashiti, drejtori i Institutit Ballkanik për Politika Zhvillimore, thotë se “takimi në Berlin më 29 Prill, i liderëve të BE-se, Gjermanisë e Francës me vendet e Ballkanit ka për qëllim t’i japë një shtytje të fuqishme miratimit të negociatave me Shkupin, fillimin e negociatave për Tiranën, edhe pse kjo është gjithnjë e më e vështirë, vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rinisjen e dialogut Beograd-Prishtinë”.

“Duke shfrytëzuar prezencën e presidentin francez, Gjermani po lobon sidomos për tri pikat e para, sepse Franca është ende kundër. Ky takim do të jetë kyç për këto tri çështje, mund të jetë takim i lajmeve të mira, por edhe shumë të këqija”, thotë njohësi i politikave ballkanike.

Nga ana tjetër, mediat gjermane paralajmërojnë se shumica e krerëve politikë në Ballkanin Perëndimor nuk do të duan të presin që Brukseli të zgjidhë krizën e brendshme. “Kjo krizë do të ketë edhe më shumë pasoja nëse marrin parasysh faktin se Rusia, Kina, Turqia dhe vendet arabe kanë ofruar miliarda dollarë në investime, pa kërkuar reformat demokratike. Kjo duhet të jetë tema qendre e samitit me krerët e qeverive në Ballkan”, shkruan “Spiegel Online”

Mediat franceze thonë se diskutimet pritet të përqëndrohen tek marrëdhëniet ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve. Gazeta “Currieur de Balkans”, shkruan se mes procesit të Brexit, zgjerimi europian duket më i largët se kurrë.

“Ashtu si për shumë çështje të tjera, edhe kur bie fjala tek zgjerimi, qendrimi i Angela Merkelit dhe Emmanuel Macron nuk është i njëjtë”, thekson gazeta.

Samiti i organizuar do të jetë i pari pas nga kritikave të pazakonshme të shprehura nga Emmanuel Macron kundër zgjerimit të unionin. Ky samit është gjithashtu një mundësi për Parisin që të ri-angazhohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor pasi presidenca franceze njoftoi të dielën se Macron do të vizitojë Beogradin këtë vit. Sipas Parisit, ky "samit informal", synon të dëgjojë liderët e Ballkanit Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë