Politike

Me çfarë menuje politike u gostitën në Prishtinë

Mbrëmja e së dielës ka bërë bashkë në një tavolinë udhëheqësit e Kosovës dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në një kohë kur Kosova po përballet me presion të pashembullt nga SHBA-ja dhe Serbia për heqjen e taksës.

Pak para nisjes në SHBA, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ftuar për një darkë në shtëpinë e tij të re, në periferi të Prishtinës kryeministrin Rama dhe udhëheqësit e koalicionit qeveritar të Kosovës, kryeministrin Ramush Haradinaj; kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.

Takimi në shtëpinë e kreut të Kosovës vjen në një moment kyc për Prishtinën zyrtare, të cilës po i mbaron afati i vendosur nga SHBA-ja për heqjen e tarifës ndaj Serbisë. Edhe pse kanë pozuar të buzëqeshur, mbledhja e krerëve të Kosovës dhe “mysafirit” nga Tirana vjen pas përplasjeve të vazhdueshme mes Haradinaj dhe Thacit, por edhe mes debateve të koalicionit qeveritar, të cilat rrezikojnë të rrëzojnë qeverinë e Kosovës.

Dinamikat dhe diskutimet gjatë këtij takimi duket të kenë qenë të shumta, pasi pak para se të nisej për në SHBA presidenti Thaçi ka shkuar sërish në zyrën e kryeministrit Haradinaj. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj njoftoi se ka mbajtur një takim me presidentin ë vazhdën e konsultimeve për agjendën shtetërore, pak para nisjes në Uashington.

Prania e Ramës në darkë duket se ka shërbyer si ndërmjetësim mes qëndrimeve diametralisht të kundërta mes Thaçit dhe Haradinajt. Por fakti që pas darkës, sot në mëngjes, vetëm pak minuta përpara se t’i hipte avionit, Thaçi i ka shkuar përsëri në zyrë Haradinajt, duket se flet se nuk është arritur ndonjë dakordësi e madhe. Në këtë aspekt, vizita e mëngjesit më shumë duket se ka domëthënien “hë, a ndërrove mendje gjatë natës?”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeminitri Edi Rama

Haradinaj është kthyer në pengesën më të madhe jo vetëm të heqjes së taksës, por edhe vazhdimit të dialogut me Serbinë, pasi ka dalë kundër përfshirjes së shkëmbimit të territoreve në këto bisedime. Krerët shqiptarë duket të mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta për këtë çështje, pasi Rama dhe Thaçi kërkojnë me ngulm vazhdimin e bisedimeve, ndërsa Haradinaj i druhet tezës së shkëmbimit të territoreve.

Ekspertët thonë se vendosja e kësaj takse thjesht sa ka vonuar ndryshimin e kufijve, pasi sapo qeveria Haradinaj të tërheqë këtë vendim, kufijve do të jenë sërish kryefjala e bisedimeve.

Ambasada Amerikane në SHBA i kishte lënë kohë deri sot Prishtinës zyrtare për pezullimin e taksës, por presionet duket e kanë zmbrapsur Qeverinë e Kosovës për këtë çështje.

Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj deklaroi për mediat se nuk ka marrë asnjë indikacion për heqjen e taksës. “Ne kemi një qëndrim zyrtar dhe unë si shef i stafit të kryeministrit nuk e kam asnjë indikacion ose bazë tjetër që tregon se ka ndonjë ndryshim përket taksës”, ka thënë ai.

Kosova ka marrë tashmë sinjale të qarta nga Uashingtoni se nëse taksa nuk mund të hiqet menjëherë, duhet që minimumi të pezullohet për t’i rihapur rrugën bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas burimeve, gjatë takimit me Thaçin në presidencë, Haradinaj ka kërkuar që se taksa do të pezullohet pasi të marrë garanci të fuqishme nga SHBA-të se ndarja apo korrigjimi i kufijve nuk do ta jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë. Ai ishte takimi i disatë që Haradinaj dhe Thaçi kanë zhvilluar këtë javë pas presionit të vazhdueshëm të SHBA-së për heqjen e kësaj takse.

Të enjten, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton, telefonoi si presidentin Hashim Thaçi ashtu edhe kryeministrit Edi Rama për t’u siguruar që Prishtina do ecë në rrugën drejt bisedimeve.

Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri Edi Rama njofton nëpërmjet një postimi në Twitter se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e presidentit amerikan, Donald Trump. Sipas Ramës në fokus të bisedës ka qenë Shqipëria dhe arritja e një marrëveshje paqeje midis Kosovës dhe Serbisë. Bolton e ka falënderuar Ramën për qëndrimet e vazhdueshme të Shqipërisë.
“Bisedë me Shtëpisë së Bardhë. Në fokus Shqipëria, rajoni dhe objektivi strategjik për një marrëveshje paqeje mes Kosovës e Serbisë, që të mbyllë konfliktin historik. Këshilltari për Sigurinë J.Bolton, më falenderoi në emër të Presidentit për qëndrimet konsekuente të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Ndërkohë, Thaçi deklaroi se i kishte konfirmuar zotit Bolton gatishmërinë e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje me Beogradin zyrtar. Përmes një postimi në Twitter presidenti ka njoftuar që Kosova do të angazhohet 100% në dialogun për marrëveshje gjithëpërfshirëse, me synim integrimin e plotë në NATO, BE dhe OKB.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë