Art dhe Kulture

Në shtëpinë e At’ Fishtës

"Po des konden përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë". Këto u thanë se qenë fjalët e fundit të At’ Gjergj  Fishtës në frymën e tij të fundit, më 30 dhjetor të vitit 1940, ndërsa u linte porositë rinisë françeskane.  

Por për vite të tëra, edhe pas rrëzimit të regjimit diktatorial që e shpalli “armik të popullit”  e madje ia zhvarrosi eshtrat nga Kisha e Gjuhadolit, shtëpia e tij e lindjes në Fishtë të Zadrimës i qe lënë mëshirës së kohës dhe kushteve të motit.

Deri dje, kur në përkujtim të 149 vjetorit të lindjes, shtëpia e restauruar, u kthye në muze, me synimin dhe shpresën që të shndërrohet në një ndalesë pelegrinazhi shpirtëror.

“Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenit “Homerë të Shqipërisë”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri toskë e tjetri gegë, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima”, u shpreh kryeministri, i pranishëm në ceremoni, shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Restaurimi  erdhi pas problemeve me pronësinë e tokës, ndërsa vite më parë ministrja e atëhershme e Kulturës, Kumbaro, thoshte  se “objekti që shpeshherë cilësohet gabimisht si shtëpia e Gjergj Fishtës është vetëm një banesë me disa pronarë privatë me një histori pronësie goxha të komplikuar, ku At’ Fishta ka kaluar pak muaj fëmijërinë e tij”.

Shtëpia e Fishtës, para restaurimit

Vitin e kaluar, ndërsa kremtohej 148 vjetori i lindjes, ministrja Margariti premtoi restaurimin de e cilësoi shtëpinë e fëmijërisë vetëm një stacion jete të Fishtës dhe të tjerë objekte ndalese do të muzealizoheshin, në atë që ajo e cilësonte si “Itinerari Fishtian”.

Një nga prekjet kryesore, siç premtonte Margariti,  është memoriali në shtëpinë e vërtetë ku ai ka jetuar më gjatë, por që për fat të keq nuk gjendet asgjë “vetëm një kryq dhe një libër”.  Aty, pritet të ndërtohet një shesh e të ngrihet një monument për jetën dhe veprën e Fishtës.

Itinerari fizik e shpirtëror Fishtian do të ketë ndalesa në Kishën  famullitare të  Dom Lleshit “Zoja Nunciatë”, në Lezhë, Kishën  famullitare e Gomsiqes dhe sipas një propozimi, një kënd në godinën ku u mbajt Kongresi i Manastirit, ku  Fishta, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” ligjëroi në mbështetje të një alfabeti latin.

Midis ndërhyrjeve të studiuara është famullia e Troshanit, vendi ku u zbulua në moshën 6-vjeçare talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe shkolla françeskane në Shkodër, aty ku Gjergji mori formimin e tij të parë, do të bënte me dije vetë kryeministri dje. “Një tjetër gjurmë fishtiane është Kuvendi i Troshanit, i inaguruar në vitin 1882, vendi ku Ati kthye në vendlindje si mësimdhënës. Brenda Kuvendi të Troshanit, i shpallur monument kulture shumë vonë, vetëm në vitin 2017, mendohet të krijohet një kënd unik dedikuar Fishtës.

Një tjetër propozim i përket restaurimit dhe muzealizimit të selisë së shoqërisë “Bashkimi”, që bashkoi së bashku me Fishtën edhe personalitete të shkëlqyera si Luigj Gurakuqi, Dom Ndoc Nikaj, Atë Ambroz Marlaska, Franc Baron Nopça, etj.Për ta nderuar mes autorëve të famshëm botërorë, është menduar edhe ngritja e një busti në “Villa Borghese” në Romë.

“At’ Gjergji ishte ëndërrimtar e ishte usta”, e cilësoi kreu i qeverisë,  duke shtuar se “Zoti i Shqiptarëve e begatoi me ndjesitë e dhuntitë më depërtuese në shpirtin shqiptar. Stoicizmi i tij ishte sa diellor aq dhe hënor. Për ne shqiptarët, ai është një zgjidhës nyjesh gordiane, nga ajo e alfabetit dhe paqtimit mes elitës katolike e shtetit modern shqiptar, tek ruajtja e kufijve të jashtëm të këtij vendi e naltësimi në vendin që i takonte një “universitas” gegë në të larmishmen Shqipëri. Sa ishte një Homer shqiptar i thellësive shpirtërore, Gjergj Fishta ishte edhe një Perikli i betejave madhore”, do të shprehej  Rama, duke vijuar me cilësimet ndaj poetit, shkrimtarit e përkthyesit si një trubadur, thënë ndryshe rapsod, i Lahutës së Malcisë.

“Ky frat që kishte bredhur botën e në gjoks mbante dekoratat e shteteve fqinj, ishte një patriot i kulluar dhe një antinacionalist i bekuar; frymëzuesi i më të mirëve të këtij vatani dhe tmerri i mediokërve të çdo sahani”, vijonte kryeministri duke e quajtur Fishtën meshtar të kremtonte

në gjuhën e Horacit e të Shën Jeronimit, e “që në atë rang e nivel ngriti gjuhën e shqiptarëve të maleve, është përnjimend një Juda Makabe i shekullit XX. Heroit të madh biblik judeas që aq shumë e frymëzonte, Gjergj Fishta i përngjan për nga ideali, martiri shpirtëror, përkushtimi ndaj tempullit të Zotit e altarit të atdheut dhe fjala që kocka s'ka po kocka thyen. Ave Reverende Pater ac summe magister, morituri te salutant”, do ta përmbyllte fjalën e tij kryeministri, që citoi edhe njëherë krijesat mitologjike të Lahutës, duke thënë se “U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë!”

Në Fishtën e lindjes, Ati e nisi si një bari i bagëtisë, për t’u shndërruar në bariun shpirtëror të besimtarëve të krishterë. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë dhe nuk nguroi të shfaqte dellin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në Kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Deri më 1899-n Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899  u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të asaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë, ai zbatoi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt, Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908, ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

At' Gjergj Fishta

U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziasëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924-n. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malcisë” më 1937-n.  Atë vit, njohësit dhe studiuesit gjermanë të letërsisë propozuan Gjergj Fishtën për Çmimin Nobel, në Letërsi.

Tre vite më pas, ndërron jetë në Spitalin rajonal të Shkodrë.s, ku ndër fjalët e fundit të amanetit, sicc shkruante Lasgushi, Ati do t’u thoshte vëllezërve françeskanë se  edhe kombi ka të drejtë  për rreth meje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë