Njerez

Ne shqiptarët mësuam të mos kemi turp te psikologu

Nga Sorgena Leka - Para se të binte pandemia, Gazetasi.al ka shkruar se shqiptarët besojnë më shumë te fallxhoret sesa ekspertët e shëndetit mendor, kjo për shkak të ndrojtjes që kishin apo edhe për faktin se ekzistonte një kulturë që tek ekspertët e shëndetit mendor shkon dikush që ka probleme të mëdha mendore.

Pandemia ktheu gjithë pllakën duke bërë që njerëzit jo vetëm të mos kishin më frikë dhe turp, por të kërkonin më shumë këshillat e ekspertëve mendorë.

Pandemia na mësoi të jetojmë me ankthin, ta kalojmë atë duke shkuar tek ekspertë si psikologët dhe të kuptojmë rëndësinë e shëndetit, si mendor ashtu edhe fizik.

Gjithashtu, pandemia vuri në dukje disa probleme që kanë qenë prezente por u shtuan gjatë dy viteve, probleme si siguria në internet.

Viti 2020, i cili u shoqërua edhe me një prej ngjarjeve më të papritura për të gjithë botën, pandeminë Covid-19, solli një tablo të ndryshme nga vitet e tjerë, përsa i përket përdorimit të internetit në Shqipëri. Fillimviti detyroi të gjithë vendin të futet në karantinë, gjë që solli fokusin kryesor të të gjithë fëmijëve, të rinjve por edhe të gjithë të tjerëve drejt të vetmes rrugë të lidhjes me njerëzit, përdorimin e internetit.

Mbyllja e detyruar e fëmijëve dhe të rinjve dhe vendosja e tyre përballë një interneti ende të pasigurt, krijoi përgjatë vitit 2020 edhe një risi për të gjithë ekspertët e sistemit të mbrojtjes së tyre nga grabitqarët seksualë online, atë të rritjes galopante të faqeve pornografike dhe përdorimit pa kriter të platformave gjigande të internetit.

Gjetja më kritike në një raport nga CRCA është rritja me një shifër shumë të madhe, të 600 fishuar, të raportimeve për pornografi me të mitur. 6273 faqe, foto, video, materiale me përmbajtje të papërshtatshme pornografike janë shfaqur dhe mbyllur brenda harkut kohor të vitit 2020.

“Të rinjtë e grupmoshës mbi 18 vjeç, atë vit kanë qenë risi përsa i përket numrit të madh të raportimeve krahasuar me një vit më parë. 31% e rasteve kanë qenë mbi moshën 18 vjeç. Pandemia shumëfishoi raportimet e internetit të pasigurt”, shkruhet në raport. 

Gjithashtu, pandemia solli një sërë problemesh mendore dhe emocionale. Grupmosha më e prekur nga probleme dhe sëmundje të shëndetit mendor është ajo aktive, nga 20-50 vjeç.  Ndërkohë, situata nga pandemia, sipas specialistëve, u përjetua më keq nga të rinjtë e moshës 20-30 vjeç.

Sipas psikiatres Arjana Rreli ka qenë normale që grupmosha aktive, 20-50 vjeç të jetë më e prekur nga probleme të shëndetit mendor, pasi “kjo është grupmosha që merr më tepër përgjegjësi dhe përjeton pasiguri, konflikte në vendin e punës etj”.

Megjithatë, ajo nënvizon se vitet e fundit është vënë re një shtim i madh i rasteve me ankth edhe te adoleshentët. Sipas psikiatres, kjo grupmoshë është mosha më e rrezikuar, jo vetëm përsa i takon përdorimit të substancave të ndryshme, por edhe sepse adoleshentët në shumë raste hasen me problematika të mëdha brenda familjes shqiptare.

“Pa dashur, familja i transferon konfliktet e saj dhe bën që adoleshentët të preken më tepër emocionalisht”.

Por, pavarësisht se prindërit transmetuan ankthet dhe pasiguritë e tyre tek fëmijët, gjatë pandemisë prindërit shqiptarë gjithashtu mësuan rëndësinë e psikologut, sidomos për fëmijët.

Ekspertët e shëndetit mendor kanë pohuar më herët për Gazetasi.al se këto dy vitet e fundit ka pasur një rritje të kërkesave për terapi “dhe duket se gjithçka i pati fillesat në pandemi”.

Psikologe Migena Kurushi dhe Aljona Jonuzi treguan se u shtuan rastet e prindërve që kërkonin terapi dhe këshilla prindërimi, sidomos për adoleshentët dhe sipas psikologeve, kjo erdhi për shkak se prindërit kaluan më shumë kohë me fëmijët e tyre dhe kështu evidentuan problemet që tashmë kishin qenë aty.

Ndërkohë, një e mirë që solli pandemia ishte edhe ndërgjegjësimi përsa i përket shëndetit fizik.

Trajnerë të ndryshëm treguan për Gazetasi.al se në vitin e parë të pandemisë u shtuan anëtarësimet krahasuar me vitet e kaluara.

Sapo u hapën palestrat, njerëzit u interesuan më shumë për të ditur rreth kurseve, orëve dhe çdo gjë që lidhej me palestrën. Interes pati edhe nga njerëz me moshë të cilët prej pandemisë, kuptuan rëndësinë e shëndetit fizik dhe iu futën punës.

Ajo që trajnerët kanë vënë re është se klientët e rinj janë persona që kanë probleme me shëndetin, janë mbipeshë dhe që gjithmonë kanë pasur nevojë të bëjnë palestër, por nuk e kanë nisur kurrë.

“Më kanë thënë se kurrë nuk kanë nisur palestrën sepse nuk kanë pasur vullnet. Me ardhjen e pandemisë, u detyruan të vijnë në palestër dhe të kërkojnë ndihmën tonë” ka thënë për Gazetasi.al Astrit Dogjani, trajner personal.

Në palestrën e tij, Evolve Gym, ai ka pasur klientë me moshë që kanë dëgjuar për të mirat që sjellin ushtrimet dhe donin të kujdeseshin sa më shumë për trupin e tyre duke qenë se ishin më të rrezikuarit nga pandemia sipas studimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë