Para

Në fund të 2023 shqiptarët morën më pak kredi për banesa. U rrit ajo për konsum

Nga Gazeta 'SI' - Në gjysmën e dytë të vitit 2023, bankat dhanë më pak kredi për individët, me një rënie 1.2 pikë përqindje nga gjysma e parë e vitit.

Banka e Shqipërisë raporton se rënia e ritmit rritës ka ndodhur për shkak të rënies së kërkesës për kredi për banesa, me 3 p.p, por ajo për konsum është rritur me 10.6%.

BSH thotë se arsyeja e stepjes së individëve për kredi ishte norma e interesit dhe shtrenjtimi i kostos së jetesës. Edhe pse bankat lehtësuan kushtet dhe rritën konkurrencën, kreditimi në këtë segment nuk u stimulua.

Financimi i individëve ka qenë më së shumti në lekë, me rritje 13.4%, ndërkohë që rritja e kredisë në valutë është ngadalësuar me 10 p.p në rreth 10%.

E njëjta tendencë është vërejtur dhe në kredinë e bizneseve, të cilat që nga goditja e kursit të këmbimit, kanë vijuar të mbyllin para kohe një pjesë të kredive në euro – dhe i kanë zëvendësuar ato me kredi në lekë. Kreditë në lekë kanë dhe norma më të ulëta interesi.  

Kredia për bizneset ka qenë më i luhatshëm thotë BSH, pasi ato shfaqin likuiditet të bollshëm. Gjithsesi kërkesa është në rritje nga bizneset e turizmit dhe shërbimeve, kryesisht të vogla dhe të mëdha.

Portofoli i kredisë për biznesin e vogël u rrit me 6.8% në tremujorin e fundit, ose dy herë më shumë se rritja e shënuar në tremujorin e tretë. Ndërkohë kredia për biznesin e madh, mbasi kaloi në stagnacion në tremujorin paraardhës, është rigjallëruar në 3.4% në fund të vitit.

Financimi për sektorin e industrisë ka vazhduar të tkurret edhe në gjashtëmujorin e dytë, me rreth 5% vit mbi vit, normë kjo më e ulët se tkurrja me rreth 7% e shënuar në pjesën e parë të vitit.

Financimi i sektorëve të bujqësisë, të ndërtimit dhe të tregtisë ka shfaqur norma më të ngadalta rritjeje krahasuar me gjashtëmujorin e parë në 4.8%, 5.2% dhe 5% përkatësisht. Këto zhvillime janë në linjë me kontributin e këtyre sektorëve në rritjen e aktivitetit ekonomik në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë