Treg

Në fund të 2022-shit u rrit papunësia dhe të dekurajuarit për punë

Nga Gazeta 'SI' - Në tremujorin e fundit të 2022-shit, papunësia u rrit lehtë në Shqipëri, nga 10.6 në 10.8%, në raport tremujorësh. Sipas grupmoshave, rritja e papunësisë në tremujorin e katërt u ndikua sidomos nga grupmoshat e reja (15-29 vjeç), ku papunësia u rrit në 21.5%, nga 20.5% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Rritja e papunësisë nga tremujori i tretë në atë të katërt është ndikuar nga ajo e burrave, ndërsa për gratë ka rënë më tej.

Rritje nga tremujori III në tremujorin IV ka shënuar edhe treguesi i forcës punërore të dekurajuar, 9.3%. Por në raport vjetor ka shënuar ulje nga niveli 11.7% i tremujorit të fundit 2021.

Në raport vjetor, papunësia ka rezultuar në rënie, kur në të njëjtën periudhë të 2021-shit, rezultonte 11.4%. Nga viti në vit, papunësia paraqitet në rënie si për burrat, ashtue dhe për gratë. Ndërkohë, me bazë tremujore.

Nga ana tjetër, shkalla e punësimit ka vijuar rritjen edhe në raport tremujorësh edhe vjetor. Shkalla e punësimit për popullsinë aktive në punë,15-64 vjeç, arriti në nivelin e ri rekord 66.5%, nga 65.4% që ishte në tremujorin e mëparshëm dhe 62.1% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Punësimi ka vijuar të rritet si për të rinjtë, ashtu edhe për grupmoshën 30-64 vjeç

Shërbimet kanë pasur kontributin kryesor në rritjen e punësimit në Shqipëri, me 6.3%nrritje vjetore. Ndjekur nga bujqësia me 3.8% dhe industri 0.5%.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur dhe një rritje të shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës, që arriti në pothuajse 75% nga 73.4% që ishte një tremujor më parë dhe 70.4% në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Ky tregues mat raportin e forcës së punës, kundrejt popullsisë në moshë të vlefshme për punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë