Ngjarje

Në 17-vjetorin e Lumturimit, art në shtëpinë e familjes së Nënë Terezës

Kur Anjezë Gonxhe Bojaxhiu i mbushi 18 vjeç e njihej si motra Terezë, u largua nga shtëpia e prindërve për t’u bashkuar me Motrat e Loretos, në në Rathfarnham të Irlandë, ku do të mësonte gjuhën angleze për t’u bërë misionare, familja e saj do të largohej nga Shkupi.

Nëna  Dranja, motra Agja dhe vëllai Lazeri  u shpërngulën në Tiranë, për të banuar në rrugën Hajdar Hidi,  pranë katedrales katolike në rrugën e Kavajës.

Ndonëse shtëpia ende sot e kësaj dite mbahet në këmbë, por e shpërfillur, ku në murin e lyer me gëlqere të bardhë, vetëm një pllakë lë të kuptosh  mbi banorët e asaj shtëpie, ndërsa vetë shenjtorja e vizitoi kryeqytetin shqiptar për herë të parë më 1989-n.

Krejt ndryshe nga shtëpia e Shkupit, e kthyer në Muze që pret deri 100 mijë vizitorë, sipas Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut, ajo e Tiranës ku ndoshta shumë pak e dinë se familja e Nënë Terezës ka jetuar aty, është lënë në harresë.Por prej pak ditësh, fasada e shtëpisë përdhese dhe e gjithë rrugica po merr jetë nga projekti i murales  “Laps në duart e Zotit”, ashtu si gruaja e madhe humaniste e quante veten.

Albana Kozeli, Edlir Kasoruho

Albana Kozeli , menaxhere e festivalit MuralFest dhe koordinatore në Bashkinë  e Tiranës dhe piktor Edlir Kasoruho po i japin jetë rrugicës, duke vënë në pah shtëpinë e familjes Bojaxhiu përmes shprehjeve të famshme të shenjtores, e cila më 19 tetor të 17 viteve më parë u lumturua në Vatikan, nga Papa Gjon Pali II.

Duart e rrudhura të mbledhura në lutje dhe rruzaren në gishtërinj ishte ajo që piktori vendosi të hedhë mbi muret e vjetra, ndërsa banorët edhe pa portretin e saj e diktonin shpejt se bëhet fjalë për Nënën Terezë të Kalkutës, Anjezë Gonxhen shqiptare dhe shenjtoren e të gjithë botës së krishterë katolike.

“Me anë të gjakut, unë jam shqiptare. Nga nënshtetësia, një indiane. Me anë të besimit, unë jam një murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës. Sa i përket zemrës time, unë i përkas plotësisht zemrës së Jezusit”, thoshte shenjtorja, e cila në të gjithë botën kremtohet më 4 shtator, e shenjtëruar nga Papa Françesku, më 2016-n.

Piktura të thjeshta, pa shumë ngjyra, ashtu siç ishte e thjeshtë dhe e përunjur jeta e Nënë Terezës, në shërbim të më të dobëtëve dhe nevojtarëve, ndërsa rrugica duket sikur rrjedh në një lumë ku dominon e kaltra dhe e bardha, ngjyrat e veshjes së murgeshës. Sari i thjeshtë indian, veshja karakteristike që mbajti Nënë Tereza, tanimë veshje e Misionareve të Bamirësisë në të gjithë botën, duket i derdhur në një rrugicë që megjithëse fare pranë Kishës Katolike, është me një popullsi në shumicë myslimane.

Vëllai i gjakut i Anjezës, Lazri emigroi drejt Italisë,  ku krijoi dhe familjen e tij për të mos e takuar më nënë dhe motrën Age, pasi regjimi i Hoxhës i mbylli kufijtë më 1945-n.Në vitin 1963 dy gratë e familjes Bojaxhiu u zhvendosën në një tjetër apartament pranë Fakultetit Juridik në Tiranë., ku jetuan për dhjetë vite derisa ndërruan jetë.

Nëna e saj Drane vdiq më 1972-shin  dhe një vit më vonë ndërron jetë dhe motra e Nënë Terezës, Age Bojaxhiu në moshën 70 vjeçare, në vitin 1973. Varret e tyre janë ende te Varrezat e Sharrës në Tiranë. Prej 1934-s kur vendosën të linin Shkupin, familja e Nënë Terezës  jetuan për 40 vite në Tiranë, në një varfëri dhe izolim pa asnjë ndihmë  nga shteti, që pak vite para se ato të mbyllnin sytë kishte shpallur shtetin e parë ateist në botë, duke shkatërruar objektet e kultit dhe ndaluar praktikën e çdo feje.

Më 1974-n,  Nënë Terezës iu refuzua viza nga Republika Popullore e Shqipërisë, për të vizituar varret.Më  1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare.

“Zot më bëj kanal të paqes tënde, që aty k u ka urrejtje, të mund të sjell dashuri, aty ku ka gabim, të mund të sjell shpirtin e faljes., aty ku ka grindje, të mund të sjell harmoninë, aty është gabimi të sjell të vërtetën, ku ka dyshim të mund të sjell besim, ku ka dëshpërim, të mund të sjell shpresë, ku ka hije, të mund të sjell dritë, ku ka trishtim të mund të sjell gëzimin”, më këtë lutje të Shën Françeskut të Azizit lutej Nënë Tereza ndërsa merrte Nobelin e Paqes.

Më 1989-n, kur më në fund Nënë Terezës iu dha viza për të vizituar atdheun, shtëpia në rrugën e Kavajës ishte e para që ajo vizitoi, ndërsa megjithëse vizita qe private krerët e shtetit ende komunist, që ishin përpjekur prej vitit 1967 të çrrënjosnin fenë u takuan të buzëqeshur me gruan e vogël, që kishte përhapur mirësinë e saj të madhe në të gjithë botën.

“Nuk kam qenë më parë në Shqipëri ku kanë jetuar e punuar nëna, motra e vëllai. Gjithashtu, nuk kam pasur mundësi të vija kur ata ishin gjallë, por tani m’u bë si një dhuratë e bukur mundësia për të ardhur e për të vizituar varret e nënës e të motrës. U gëzova shumë kur pashë sa bukur e sa shumë kujdes është treguar. I jam shumë mirënjohëse Maries, e cila i ka kushtuar kujdes e dashuri familjes time. Vizitova edhe vendin ku ato kanë jetuar, gjë që më kënaqi shumë”, shprehej në një intervistë të 1989-s Nënë Tereza, e cila thoshte se do të kish dashur t’i kishte parë të ëmën dhe të motrën sa ishin gjallë, por për 60 vite ia kushtoi jetën misioneve humanitare, në Indi.

“Por jam e sigurt se një ditë kur të shkoj në parajsë, do të kem mundësi t’i takoj të gjithë bashkë”, thoshte ajo, e cila u nda nga kjo botë më 5 shtator të vitit 1997, për t’u kanonizuar  si shenjtore e krishterë vite më pas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë