Ngjarje

Në 1 vit kemi dalë krejt cullak / Të dhënat personale, pagat, targat e deri tek paratë në bankë (faji mbetet i jashtëm)   

Nga Gazeta Si -Në kulmin e pandemisë te 2020 -ës atëherë kur shumëkush nuk dinte shumëçka mbi Covid-19 në grupe të zgjeruara WhatsApp-i u përhap me shpejtësinë e erës një listë me informacionet personale të pacientëve me Covid-19.

Fillimisht nga Drejtoria Rajonale e Durrësit, më pas e Krujës, duke përfunduar me disa zona të caktuara të Tiranës.

Tabelat që qarkullonin në publik për të prekurit nga Covid-19 përmbanin emrin, moshën dhe mbi të gjitha adresën e shtëpisë, aq sa në rrethe grupesh shpërtheu një histeri etiketimesh për ata që mund të rezultonin banorë afër njëri tjetrit.

Lista e publikuar kaloi në heshtje, halli atë kohë ishte më e i madh aq sa njerëzit i jepnin rëndësi edhe detajeve më qesharake siç ishte video e shpërndarë pa pushim e Edi Ramës se si duhet të lanim duart në histori të tilla.

Të dhënat nuk u mbrojtën as nga konfidencialiteti mjekësor dhe marrëdhënia mjek-pacient, dhe as nga ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. Por ky nuk ishte rasti i fundit. Pandemia u zbeh por jo problemi  

Në prill të një viti më pas (2021) doli sheshit informacioni për 910 mijë votues, shoqëruar me numrat e tyre të telefonit, me kartat e identitetit, adresat e shtëpive dhe vendin e punës. Mes tyre ishte edhe emri i ish-kreut të SPAK, Arben Kraja. Në listë figuronte numri i tij i telefonit, vendlindja, qendra ku votonte, numri i ID, si edhe vendi ku punonte. Gishti u drejtua nga e-Albania dhe patronazhistët e PS-së të cilët u akuzuan se kishin bashkëpunuar në shkelje të ligjit me njëra tjetrën për interesa elektorale në favor të PS-së.

Fillimisht pati një kakofoni qëndrimesh nga zyrtare të PS-së, më pas Rama e dënoi aktin duke fajësuar opozitën dhe siguroi se ndërveprimet me e-Albania nuk ishin prekur.

Pak ditë para zgjedhjeve, Rama do ta trajtonte problematikën si një situatë normale. Ai etiketoi veten si “patronazhisti më i gjatë” duke mbrojtur në këtë rast ata që kishin mbledhur të dhënat në emër të PS dhe i valëviti ish-Presidentit Ilir Meta (që ishte ankuar për cenimin e të dhënave personale) kartën e tij të identitetit.

Në një grup me të rinj në një takim elektoral, Rama beri publike të dhënat e kartës së tij identitetit duke thënë se ai numër nuk i duhej askujt.

Por në një situatë të mëvonshme kur plasën paditë për inceneratorët rezultoi nga hetimet se si disa karta identiteti pa dijeninë e atyre që e posedonin ishin shfrytëzuar nga disa persona të tjerë për të pastruar para në shumë të mëdha.

Brenda një harku kohor jo fort të largët ia behu databaza me të dhënat e qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, shoqëruar me kartat e tyre të identitetit, pozicionin e punës dhe rrogën përkatëse. Prokuroria e Tiranës nisi një verifikim në lidhje me publikimin e të dhënave personale, paga dhe ID të rreth 630 mijë qytetarëve të ndryshëm ndërsa Financat nxituan te sqaronin se nuk kishte ndodhur asnjë eksport nga ana e tyre, porse lista ishte marrë manualisht në emrin e një ish-punonjëse të tatimeve që kishte dalë ne pension.

As sot nuk dihet se çfarë është bërë me ato hetime, por jehona e pagave te njeri tjetrit ende diskutohet për tavolina.

Rama fillimisht dënoi aktin, më pas tha se me publikimin po luftohej evazioni dhe e mbylli kapakun kur këmbënguli se ngjarje të tilla kishin ndodhur edhe në vende të tjera si Angli dhe Francë, dhe se aty nuk ishin fajësuar autoritetet shtetërore.

Për të kaluar tek muajt e fundit të vitit të kaluar ku përmes një sulmi kibernetik një pjesë e madhe e shërbimeve online në e-Albania u bllokuan dhe njerëzit u detyruan t’i ktheheshin shërbimeve manuale.  Kryeministri Rama tha se sulmi klibernetik në platformat qeveritare online kishte ardhur nga e njëjta dorë që ka bërë sulmet vitin e fundit në shumë vende evropiane, duke fajësuar Iranin. Sipas tij, reagimi ishte i shpejtë dhe të gjitha faqet dolën të paprekura.

E njëjta garanci u dha edhe për hakerimin e sistemit TIMS ku u bllokua sistemi në të gjitha pikat kufitare të vendit.

Rama përsëriti frazën se Shqipëria nuk kishte humbur asnjë të dhënë serioze, falë investimeve që ishin bërë në këtë fushë.

Por sistemi nuk figuroi aq i sigurt sa kohë që dolën të dhënat personale dhe komunikimet zyrtare të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit Gledis Nano, ish-kreut të SHISH Helidon Bendo, atij aktual Oltjan Kanushi. Të dhëna të tjera u publikuan si patentat, targat, pagat deri edhe lista e punonjësve të SHISH.

Grupi i identifikuar si “Homeland Justice”, publikoi skedën me hyrje daljet e vetë kryeministrit Rama.

Viti ndërroi por jo shpartallimi i të dhënave. Këtë fillim janari “Homeland Justice” publikoi të tjera dokumente.

Në grupin e krijuar në “Telegram” dolën dokumente të reja të personave që kanë llogari bankare në një nga bankat kryesore private në vend.

Lista me inicialet e emrave dhe llogaritë u publikuan të hënën në mbrëmje pas një lajmërimi të mëhershëm se kishin hakeruar serverat e një banke. Vetë  banka kishte njoftuar paraprakisht se të gjitha llogaritë e të dhënat e klientëve kishin mbetur të paprekura dhe se ishte cenuar vetëm një sistem periferik.

Në harkun kohor të dy vjetëve vetëm publikimi i depozitave bankare kishte mbetur pa dalë.

Çdo shqiptari sot i dihet karta e identitetit, numri i telefonit, adresa e shtëpisë adresa e punës targa e makinës (kush ka).

Me rrezikun e publikimit edhe të depozitave bankare e dhëna më sensitive, këtij populli nuk i mbetet asgjë pa nxjerrë. Faji mbetet gjithnjë i jashtëm sa kohë që nuk ka asnjë të dënuar me vendim të formës së prerë për veprimet apo mos veprimet e autoriteteve përgjegjëse brenda vendit për të gjitha skandalet e publikuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë