Keshilla

Ndaloni së krahasuari veten me të tjerët në mediat sociale

Media sociale e ka bërë më të lehtë se kurrë krahasimin e vetvetes me njerëzit përreth nesh. Nuk është se e bëjmë me qëllim pasi të gjithë kemi lexuar në lidhje me ndikimin e dëmshëm që kultura mund të ketë në shëndetin tonë mendor dhe vetëvlerësimin. Por, pa marrë parasysh sa herë i themi vetes të ndalemi, është shumë e lehtë të rikthehemi në zakone të këqija sepse, kur më parë njerëzit me të cilët rrinim vite më parë do të ishin zhdukur në një kujtesë të largët, tani jeta dhe arritjet e tyre janë aty që ne t'i shohim 24 orë në ditë.
Sipas ekspertëve, ideja e krahasimit është rritur në mënyrë të shpejtë gjatë dekadës së fundit dhe po kontribuon në rritje të problemeve të shëndetit mendor, duke përfshirë ankthin dhe depresionin.
"Si njerëz, ne jemi programuar të mendojmë se jeta e dikujt tjetër mund të jetë më e mirë se jeta jonë", shpjegon Jo Love, një psikologe e shëndetit mendor.
Sindroma 'grass is greener' është mjaft e njohur në botë dhe lidhet me faktin se shumë njerëz nuk janë kurrë të kënaqur me atë që kanë dhe presin gjithmonë më shumë.
Kjo sindromë ka qenë shumë e pranishme në jetën tonë dhe është akoma më shumë tani që rrjetet sociale ndikojnë më shumë.
"Tani jetojmë në një 'kulturë krahasimi' që do të thotë se jemi vazhdimisht, si me vetëdije ashtu dhe pavetëdije duke krahasuar jetën tonë me arritjet dhe lumturinë që miqtë tanë dhe njerëz të panjohur tregojnë në rrjetet sociale." thotë Jo.

Imazh ilustrues

Sipas një hulumtimi të Jo, ndikimi i kulturës së krahasimit në jetën tonë është tepër i madh. Kur ajo pyeti 114 gra se çfarë ndikon më shumë tek ato kur krahasojnë veten me të tjerët, 59% thanë se njerëzit që e bëjnë jetën "të duket e lehtë" janë veçanërisht të dëmshëm dhe 44% thanë se të shikuarit sesi të tjerët bëjnë pushimet dhe kalojnë aventura të ndryshme, kishin një ndikim mbi to.

Çfarë mund të bëjmë për ta ndryshuar këtë?

Të gjithë do të dëshironim të liroheshim nga 'detyrimi' ynë për të krahasuar por ndonjëherë kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet. Tani për tani, ne duhet të përqendrohemi në fillimin e zbutjes së kulturës së krahasimit dhe për ta bërë këtë duhet të ndjekim disa këshilla të ekspertëve.

Pranojeni krahasimin

Hapi i parë për të mposhtur kulturën e krahasimit është pranimi se krahasimi është një pjesë e natyrës njerëzore dhe është në rregull nëse e shihni veten duke rënë në grackën e krahasimit.
"Mos e urreni veten kur filloni të bëni krahasime pasi kjo rrit më shumë pasiguritë tuaja." tha Jo.
Ajo tha se në vend të kësaj, pranojeni krahasimin por me qëllim që t'i jepni vetes shtysë për të bërë më shumë dhe për të arritur më shumë.

Nëse mendoni se fotografitë që shikoni nuk janë plotësisht e vërteta, filloni të krahasoni jetën e vërtetë të personit në fjalë me jetën tuaj.
"Kur të ndjeni dëshirën për të krahasuar, kini parasysh të krahasoni mollët me mollët", thotë Jo.
Ne priremi të krahasojmë dobësitë tona me pikat e forta të të tjerëve pra brendësinë tonë me paraqitjen e jashtme të të tjerëve çka është e gabuar dhe nuk bën mirë.

Imazh ilustrues

Gjithashtu mënyra se si ne përdorim mediat sociale është tepër e rëndësishme prandaj sigurohuni që interneti nuk po përkeqëson nevojën për tu krahasuar.
"Kur bëhet fjalë për mediat sociale, ekziston një numër në rritje i studimeve që tregojnë se në fund të fundit mënyra se si i përdorim mediat sociale, jo sa kohë kalojmë në to, ka ndikimin më të madh në mënyrën se si na bën të ndihemi", thekson Jo.
Jo thotë se e rëndësishme është të kuptoni se të gjithë kemi gjëra të ndryshme që na ndodhin dhe jeta është një proces i çrregullt, shumëplanësh dhe askush nuk po shkon në të njëjtën rrugë dhe krahasimi i vetes me të tjerët që kanë një jetë krejtësisht ndryshe nuk po i bën askujt mirë.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, mos harroni se është në rregull t’iu nënshtrohemi impulseve tona herë pas here dhe duke e bërë këtë në të vërtetë mund të na ndihmojë të çlirohemi.
"Njerëzit lirohen kur pranojnë se në një moment janë ndjerë ziliqarë. Duke e pranuar këtë, ngadalë fillon mendja të çlirohet nga kjo ndjenjë." tha Jo.
Burimi: Stylist. Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë