Libra

Ndahet nga jeta në moshën 51-vjeçare Michela Murgia, shkrimtarja që jetoi me sëmundjen përmes rrjeteve sociale

Shkrimtarja Michela Murgia vdiq në Romë në moshën 51-vjeçare: ajo ishte e sëmurë prej disa kohësh dhe kishte treguar muajt e fundit se vuante nga karcinoma e qelizave renale të fazës së katërt.

Ajo kishte zgjedhur ta tregonte historinë e saj të sëmundjes përmes rrjeteve sociale, duke i hedhur përjetimet e saj edhe në librin e saj të fundit, “Tre ciotole”.

“Rituali per un anno di crisi”, publikuar nga Mondadori në pranverë, prezantuar nga autorja në maj në Panairin e Librit të Torinos është ende në vendet e para të top-listave të librave më të shitur.

E lindur në Cabras të Sardenjës, në vitin 1972, Michela Murgia, përpara se t’i përkushtohej te shkruarit, ka bërë shumë punë të tjera, si ajo e mësueses për fenë në shkolla apo edhe menaxhere e një termocentrali. Militante e “Azione Cattolica”, ajo konceptoi një shfaqje teatrale të shfaqur në Loreto në përfundim të pelegrinazhit të Azione Cattolica në 2004, ku mori pjesë Papa Gjon Pali II. Në ato vite ajo shkroi për Sardenjën e saj në një blog, Il Mio Sinis, dhe në vitin 2007 u përfshi në mesin e shkrimtarëve të grumbulluar në antologjinë “Cartas de logu: scrittori sardi allo specchio”.

Edhe “Il mondo deve sapere” (botimi i parë 2006) ka lindur si blog, ku autorja ka rrëfyer një nga eksperiencat e saj rinore të punës, si operatore në një call center.

Libri frymëzoi shfaqjen me të njëjtin emër (nga David Emmer, me Teresa Saponangelo) dhe skenarin për filmin “Your Whole Life Ahead of You” nga Paolo Virzì.

Suksesi letrar i saj erdhi vitin e ardhshëm, në 2009. Romani Accabadora (roman i cili është edhe i përkthyer në shqip nga Beti Njuma) fiton çmimin Dessì, Super Mondello dhe çmimin Campiello.

Vitet në vijim, duke alternuar mes esesh si “Ave Mary” (2019) dhe romaneve si Chirù (2015) dhe broshurave si “Istruzioni per diventare fashisti” dhe “Stai zitta e altre nove frasi che non vogliamo sentire più” zëri i Murgia përforcohet nga një popullaritet në rritje në rrjetet sociale, dhe nëpërmjet podcast-it.

Për të arritur tek eseja e vitit 2022 “God Save the Queer” e trajtuar si vizion alternativ ndaj patriarkalizmit, u bë qendra në fazën e fundit të jetës së shkrimtares, e cila vendosi që, pasi zbuloi seriozitetin e gjendjes së saj shëndetësore, të bënte të njohur “familjen e saj queer”, d.m.th. njerëz, miq dhe “fëmijë shpirti”, të cilët përfaqësonin rrethin e njerëzve të saj më të dashur dhe me të cilët ajo kishte zgjedhur të ndante jetën në shtëpinë e saj në periferi të Romës.

Në këtë periudhë, ajo u martua me Lorenzo Terenzin, aktor, regjisor, autor dhe muzikant, me të cilin u njoh në vitin 2017 falë një shfaqjeje teatrale ku ajo ishte protagoniste dhe ai punonte si regjisor; Njoftimi i martesës është dhënë nga vetë Murgia 15 korrikun e kaluar me një video të postuar në rrjetet e saj sociale, në të cilën i ftonte njerëzit të mos e uronin, pasi ishte e vetmja mënyrë “për të garantuar të drejtat e njëri-tjetrit” dhe e përcaktonte martesën civile “një instrument patriarkal dhe të kufizuar” duke shtuar se “riti që do të donim nuk ekziston ende”.

E shtruar në spital disa ditë më vonë, ajo shkroi në Instagram: “Kujtdo që më pyet si jam, i jap përgjigjen që dha Cesare de Michelis. ‘Mund të përmirësohem, por nuk mund të jem më ‘mirë’”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë