Njerez

Nadia, një japoneze në Radio Tirana

Suadela Balliu - Ju flet Tirana! Ju flet këtu Tirana! Dëgjohet përshëndetja radiofonike, sikur jehon nga e shkuara e largët, prej fundit të viteve ’30, kur u themelua edhe i pari radiostacion shqiptar.
Folësja është shtatëmbëdhjetë vjeç dhe flet nga 2018, në studion e radios, ku orkestra simfonike regjistron pjesët muzikore. Sapo ka përfunduari së regjistruari këngën dhe videoklipin “Ju flet Tirana!” , me rastin e festimeve të 80-vjetorit të radios së parë shqip, e cila u themelua nga Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë, më 28 nëntor të vitit 1938, në atëherë ndërtesën e Bashkisë së Tiranës.
Mesazhi i parë qe ai i konteshës hungareze, që u bë mbretëreshë e shqiptarëve. Ky mesazh, pas tetëdhjetë vitesh, i shoqëruar me tinguj muzikorë, vjen nga një japoneze. Të paktën ashtu ngjan në portret.

Nadia Tukiçi


“Kur shkoj në Japoni, ndihem shumë japoneze, por të tan’ që m’shofin e dallojnë menjëherë që nuk jam. Kur jam n’Shqipëri, të gjithë mendojnë se jam japoneze”, thotë duke qeshur Nadia, ndërsa shton se sapo ka marrë letërnjoftimin shqiptar dhe është zyrtarisht nënshtetase e këtij vendi, që e viziton shpesh.
Të drejtat e qytetarisë shqiptare nuk i ka të fituara, por të trashëguara nga lindja. Nadia është e bija e pianistit të njohur Genc Tukiçi, e mbesa e këngëtarit lirik Ibrahim Tukiçit.
“Isha shumë krenare kur pashë rrugën me emrin e gjyshit. Më pëlqeu! Asht’ nji rrugë e vogël mbrapa Ministrisë së Kulturës. Asht’ kujtim i bukur”, rrëfen Nadia me një gegnishte të pastër, sikur të ishte lindur e rritur në Shkodër, njësoj siç e flasin i ati dhe i ungji, David Tukiçi.

Nadia dhe Genc Tukiçi


Me po aq lehtësi flet edhe shqipen standarde, por në biseda me miq, i pëlqen t’i ruajë ngjyresat e dialektit, që i mbajti vesh nga i ati, qysh kur ishte foshnjë.
U rrit me gegnishten dhe tingujt e pianos. Kur ishte foshnjë, rrëfen i ati, e zinte gjumi nën piano, ndërsa ai luante. “Miqtë e mi, më thoshin të merakosur: Ç’bën mor Genc, kështu?! Por mjekja pediatre, më tha: “Miqtë e tu e kanë gabim! Nëse vajza e bën gjumin “top”, asgjë nuk ka për t’u shqetësuar”, kujton Genc Tukiçi.
Tani që është rritur, nuk fle nën piano, por rrëfen se e ka dhomën ngjitur me studion e të atit dhe ia njeh përmendësh pjesët që luan në koncerte e shpeshherë, pavetëdijshëm, nis e i këndon.

Nadia duke vizituar rrugën me emrin e gjyshit "IbrahimTukiçi". 


Edhe Nadia luan në piano dhe prej vitesh ka kënduar në kor. “Por asht’ hera e parë që k’noj vetëm”, thotë, ndërsa rrëfen sesi i ati ia këndoi këngën “Ju flet Tirana!” e më pas e kënduan të dy. E regjistruan dhe ia nisën në Shqipëri Agim Xhekës, folësit të vjetër të Radio Tiranës, i cili shkroi edhe tekstin e këngës. Ishte në fakt ngulmimi i këtij të fundit, që e bëri Genc Tukiçin të ulej e të kompozonte këngën. Ideja fillestare ishte që kënga të vinte në kuadër të festimeve të 80-vjetorit të Radios, më pas Xheka propozoi të ishte këngë pjesëmarrëse në edicionin e 57-të të festivalit të Këngës në RTSh, “por konkurrentët ishin mbyllur në atë kohë”, tregon Genc Tukiçi, duke zbuluar se ndoshta Nadia do të vijë në një nga netët e festivalit si përshëndetëse, me këngën e saj. Edhe drejtori i RTSh-së, Thoma Gëllçi e pëlqeu idenë e kësaj kënge për kremtimet e përvjetorit të tetëdhjetë të Radio Tiranës.


Kështu Nadia dhe Genc Tukiçi udhëtuan nga Parisi drejt Tiranës. Pasi regjistruan këngën dhe videoklipin, që do të shfaqet premierë më 28 nëntor, pasi vizitoi rrugën me emrin e të gjyshit e ka lënë të takohet me shoqet e fëmijërisë, të cilat prej vitesh nuk i ka takuar më. “I mbaj mend të vogla, kaq…”, tregon me duar një gjatësi të një fëmije ndonja gjashtë apo shtatë vjeç Nadia, të cilën po ashtu shoqet e mbajnë mend aq të vogël e jo zonjushën shtatlartë që është bërë tani.
Së shpejti do të kthehen në Paris, ku Nadia do t’u kthehet studimeve. Është në vit të fundit të shkollës së mesme, edhe pse sqaron se sistemi në Francë nuk është i njëjti si në Shqipëri.


Po përgatitet për studimet e larta dhe ndryshe nga i ati, në piano do të luajë, për kënaqësi në kohën e lirë. “Dua të studioj diplomaci”, thotë Nadia, “Asht’ nji shkrimtar francez që më pëlqen shumë. Ai ishte shkrimtar dhe diplomat dhe dua të bëhem pak si ai”.
E ka fjalën për romancierin dhe diplomatin Romain Gary, i lindur në Vilniusin asokohe pjesë e perandorisë ruse, me origjinë hebraike, i cili e zhvilloi karrierën e tij në letërsi, kinematografi dhe diplomaci në Francë. Ndoshta tek ai gjen edhe pak veten në ndërthurjen e kulturave. Nadia Tukiçi është aktualisht qytetare e tre shteteve. Ka lindur në Paris, është japoneze nga e ëma dhe shqiptare nga i ati. I mban të tri pasaportat, por pasi të ketë mbushur tetëmbëdhjetë vjeç do t’i duhet të zgjedhë, duke qenë se rregullat e shtetit japonez, nuk e lejojnë mbajtjen e dyshtetësisë.
Në Japoni ka udhëtuar çdo vit, me të mbyllur shkollën në Paris. Bashkë me të vëllain e vogël, Abrahamin, që mban trashëgiminë e emrit të të gjyshit, Ibrahimit, kanë ndjekur shkollën në Tokio.


“Kur shkoj në Japoni, ndihem shumë japoneze, por të tan’ që m’shofin e dallojnë menjëherë që nuk jam. Kur jam n’Shqipëri, të gjithë mendojnë se jam japoneze”


“Kur kam hy’ në shkollën japoneze në fillim ishte e vështirë, se nuk ishim mësu’ me atë disiplinë. Ishte shumë e rreptë dhe kthehesha nga shkolla me lot”, kujton, ndërsa shton se tani, që nuk i duhet të ndjekë shkollën, koha e qëndrimit në Tokio është reduktuar në një muaj. Aktualisht është i vëllai, që ndjek shkollën japoneze. Nadia kujton se mësimi në Tokio niste në tetë të mëngjesit dhe përfundonte në tre të pasdites. Pastaj kishte një kohë të dedikuar sportit dhe një orë stërvitje përpara se të niste loja.
I ati thotë se në katërqind nxënës në oborrin e shkollës, ku Nadia shkonte dikur në Tokio, ishin vetëm dy që i dalloje që ishin edhe nuk ishin japoneze. “Ishte Nadia dhe një vajzë me nënën italiane. Atje, kjo diferencë dallohet nga larg”, thotë Genc Tukiçi. Ndërsa në Paris, vijon ai, tiparet aziatike, shihen si një plus.


Familjare me të dy kulturat, atë shqiptare dhe atë japoneze, Nadia Tukiçi nuk i gjen të përbashkëta dy vendeve. Të largëta ashtu si janë edhe me distancat gjeografike. Ndryshe mendon i ati, që me shaka e quan veten “baba i japonezes”. “Mendoj se kemi shumë të përbashkëta. Është besa dhe respekti për të tjerët. Mua personalisht, pak nga edukata familjare, por edhe pak se jam shqiptar, më pëlqen t’i shërbej tjetrit, nuk e kam për ulje. Ashtu janë edhe japonezët. Janë shumë të ndjeshëm, vetëm në dukje ngjajnë të ngurtë. Madje dinë të argëtohen dhe festojnë si ne, shqiptarët”, thotë Genc Tukiçi, ndërsa kërkon miratimin e së bijës, nëse ajo çfarë ka vërejtur në qëndrimet e tij në Tokio janë të sakta.
Kanë menduar që bashkëpunimin e tyre të parë muzikor –për Genc Tukiçin ishte e rëndësishme që e bija ta merrte bekimin në Shqipëri – kanë menduar të formojnë një duo, në vokal dhe piano dhe të japin koncert në Japoni. “Mendojmë që këtë këngë ta përkthejmë në japonisht dhe të shkojmë me një cikël këngësh të stilizuara popullore shqiptare”, zbulon pianisti.
Përkthimin do ta bëjë Nadia, e ndihmuar nga e ëma. Genc Tukiçi kujton sesi ato të dyja përkthyen një pjesë të Himnit për Nënë Terezën, shkruar nga muzikanti, në gjuhën angleze.

https://www.youtube.com/watch?v=MRpCgnDkmNM
Nadia dhe Genc Tukiçi duke kënduar "Pranvera filloi me ardhë"


Nadia rrëfen se flet gjashtë gjuhë të huaja. I ati tregon sesi sa herë u duhej të udhëtonin për një kohë të gjatë në një shtet tjetër dhe e regjistronte të bijën në shkollë, ajo përkushtohej aq shumë sa “vinte në shtëpi dhe bënte detyrat”. Kështu bënte kur ishte në Itali, Japoni dhe Shqipëri. Kështu i njohu edhe shoqet, të cilat mezi pret t’i takojë, nga malli dhe kureshtja për të parë sesi kanë ndryshuar.
Mësimi i gjuhëve të huaja i pëlqen po aq sa edhe udhëtimet. Ndaj diplomacia, për një njeri që mban në gjak dy qytetërime dhe është rritur në Parisin multikulturor, nuk duket zgjedhje rastësore.


“Ndihem shqiptare, por nuk e kam atë nocionin militar të patriotizmit”


Do të donte që një ditë të punonte për Kombet e Bashkuara. “Por e di, që nuk shkohet kështu, përnjiher’. Jam gati me shku’ në disa vende para se me shku’ atje. Më pëlqen se është një rrugë që ecën pak nga pak drejt vendeve mâ t’rând’sishme”, thotë ajo.
Por sa shqiptare ndihet Nadia? “Ndihem shqiptare, por nuk e kam atë nocionin militar të patriotizmit”, thotë, ndërsa qesh se megjithëse e dëgjojnë të flasë me shqipen e saj të shtruar e të qartë, shqiptarët këtu e kanë të vështirë ta besojnë kur u thotë “jam shqiptare”.
Thotë se i pëlqen edhe muzika shqiptare, por jo kjo e sotmja. “Më pëlqen muzika e vjetër, këngët patriotike….Globi rrotullohet”, qesh ajo, ndërsa me këtë këngë i ungji, David Tukiçi fitoi Festivalin e Këngës në Radio Televizion, kur ishte vetëm 13 vjeç.
Nuk ka dyshim që si e bija e një pianisti, e nanurisur me tingujt e muzikës klasike që në fëmijërinë e hershme, i ka të parapëlqyera pjesët klasike. Rrëfen se dëgjon edhe muzikën franceze të viteve ’60 –’70.
Kur nuk ka për të mësuar, thotë se shkruan. Hedh në letër ndodhi, përshtypje, shkruan prozë dhe mban ditar. “Vetëm poezi nuk shkruaj, se nuk jam shumë e zonja në të”, thotë duke qeshur. Pas leximeve është edhe sporti, vrapi me të atin, ngjitja në shkëmbinj dhe noti.

Nadia dhe Abraham Tukiçi

Me të atin, Gencin, thotë se flet gjithnjë në gjuhën shqipe, ndërsa me të ëmën në japonisht. “Me vëllain Abrahamin flas në gjuhën frënge, me vëllain e madh Majkun flasim italo-shqip, me motrën tjetër, Matildën, në frëngjisht”, thotë ndërsa u referohet motrës dhe vëllait tjetër, të lindur nga dy martesat e mëparshme të Genc Tukiçit. “Nuk jemi bërë kurrë të katërt bashkë njëherësh, por nëse do ishim bashkë do të flisnim shqip”, thotë e bindur Nadia. “Kur jemi të ulur në një tavolinë, më drejtohen në gjuhë të ndryshme dhe më duket vetja si në lojë ping-pongu, ku unë luaj me një top dhe përballë më vijnë katër topa, në të njëjtën kohë”, shton Genc Tukiçi, duke qeshur.
Nadia e sheh japonishten, po aq të lehtë sa gjuhën shqipe, të paktën në të folur. “Vështirësia është tek gramatika. Edhe unë që e studioj tash prej vitesh, nuk ia njoh të gjitha rregullat”, thotë ajo.
Kësaj here nga Tirana do të largohet me një kujtim të bukur, po aq sa i ka lënë edhe një dhuratë të bukur Radio Tiranës, që më 28 nëntor, në Ditën e Pavarësisë dhe kremtimeve për 550 –vjetorin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të festojë tetëdhjetëvjetorin.
I pari transmetim në Radio Tirana, më 1938-ën, ishte kënga e korit, ku Jorgji Truja dhe Marija Kraja kënduan një pjesë hyrëse, që ndiqej nga timbri i dallueshëm i zërit të Kaliopi Nushit, tek shqiptonte fjalinë “Mirëdita, kjo është Radio Tirana”.
“Mirëmëngjesi Nënë Shqipëri! Mirëmëngjesi shqiptarë, kudo që jeni!”, thotë folësja japoneze në Radio Tirana, ndërsa ia lë vendin tingujve të pianos, që shkrihen në duetin atë e bijë të Tukiçëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë