Treg

Na mbyti qumështi i huaj… Importet e bulmetit u rritën me 23% në 7 muaj prej krizës në blegtori

Nga Gazeta ‘Si’ - Në raftet e supermarketeve markat e huaja të qumështit dhe bulmetit po konkurrojnë në sasi dhe në çmime prodhimet shqiptare.

Ndryshe nga importet e ushqimeve të tjera të cilat për shtatëmujorin kishin mbetur në të njëjtat kuota, importet e bulmetit gjatë kësaj periudhe u rritën me 23%, referuar të dhënave të INSTAT.

Sasia e importeve për periudhën janar-korrik ishte 19 mijë tonë nga 16 mijë që raportohej në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, ku produktet kryesore të importuara ishin qumështi, djathi, gjalpi përfshi edhe vezët e mjaltin.

Deri vitin e shkuar qeveria refuzonte të pranonte që blegtoria kishte nisur ‘rënien e lirë’ dhe numri i krerëve kishtë rënë, ndërsa në fillim të këtij viti, ministrja e bujqësisë, Frida Krifca pohoi se prodhimi i qumështit kishte rënë me 5%.

Përballë kësaj situate, industria e përpunimit të qumështit, zgjidhjen e ka gjetur tek fermerët e rajonit të cilët kanë propozuar që në vend të lëndës së parë, në Shqipëri të sjellin produktin final i cili shitet deri në 40 lekë më lirë se qumështi vendas.

“Qumështi në Shqipëri është shtrenjtuar me rreth 40%. Largimi i fermerëve dhe rënia e numrit të krerëve të bagëtive dhe kostot e larta për krerë vitin e fundit janë shkaqet kryesore që kanë dërguar në këtë rritje çmimesh. Në vitin 2021 krerët shënuan rënie vjetore rreth 7%, ndërsa në vitin 2022 rreth 13%.

Vetëm për të justifikuar koston e ushqimit, një lopë duhet të prodhojë të paktën 28-30 litra qumësht në ditë, por ndërkohë bizneset e fermave përballen me kosto të tjera të fuqisë punëtore, transportit etj. Fermat e vogla kanë fitime edhe më të ulëta”, tha përpara disa kohësh eksperti Ervin Resuli për Gazetasi.al ndërsa shtoi se të gjithë kostot për krerë janë rritur deri në 50%.

Për rrjedhojë, konsumatorët shqiptarë prej kohësh janë duke u përballuar me çmime të larta të prodhimeve blegtorale.

Pas rritjes me 15% në 2022-shin, kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit dhe bulmetit brenda këtij viti kanë rritur në mënyrë të organizuar me të paktën me 5 herë çmimet në rreth 55 artikuj të qumështit të gjalpit, djathit, kosit etj.

Rritja më e fundit u paralajmërua në shkurt për djathin ku çmimet ndjenë një rritje deri në 37%.

Shkak ishte sërish mungesa e qumështit vendas.

Burime nga kompanitë thanë për Gazetasi.al që edhe ajo pak sasi qumësht që marrin nga fermerët është përdorur për t’u bërë kos dhe nuk kanë mundur që të rezervojnë sasitë e nevojshme për djathin i cili gjithashtu do 6 muaj që të stazhonohet.

Edhe sipas Eurostat, Shqipëria renditet në mesin e 14 vendeve me çmimet më të larta të produkteve të bulmetit në vitin 2022, me rreth 11% me të larta se mesatarja e BE-së. 

Gjithashtu Eurostat theksoi se vendi ynë mbledh dhe përpunon shumë pak qumësht.

Në të dhënat vjetore mbi prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij gjatë 2022-shit, Eurostat theksoi se vendi ynë arrin të mbledhë mesatarisht 100-120 mijë ton qumësht në vit.

Në raport me popullsinë, Shqipëria me kapacitetet aktuale arrin të prodhojë mesatarisht 41 kg në vit për qytetar qumësht të papërpunuar.

Irlanda, Danimarka, Holanda dhe Estonia renditen të para në listë lidhur me qumështin e prodhuar për qytetar në vit, me shifra që arrijnë deri në gati 1900 kg për frymë në vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë