Treg

Shqipëria prodhimin më të ulët të qumështit për frymë. A po shkon industria drejt falimentimit?

Nga Gazeta 'Si' - Edhe pse Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, ajo mbledh dhe përpunon shumë pak qumësht.

Sipas Eurostat, në të dhënat vjetore mbi prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij, vendi ynë arrin të mbledhë mesatarisht 100-120 mijë ton qumësht në vit.

LEXO EDHE:
- Kriza e bulmetit, nënproduktet e qumështit do të shtrenjtohen sërish, rritje deri në 11%
- Pse është shtrenjtuar kaq shumë edhe gjalpi
- Qytetarët të “terrorizuar” nga rritja e çmimeve të bulmetit
- Rama: Eksportet bujqësore u rritën. Thonë 'ra numri i krerëve'. Gomerët e prodhojnë qumështin? (Por ç'thonë ekspertët dhe INSTAT)

Në raport me popullsinë, Shqipëria me kapacitetet aktuale arrin të prodhojë mesatarisht 41 kg në vit për qytetar qumësht të papërpunuar. Irlanda, Danimarka, Holanda dhe Estonia renditen të para në listë lidhur me qumështin e prodhuar për qytetar në vit, me shifra që arrijnë deri në gati 1900 kg për frymë në vit.

Rendimenti mesatar i qumështit për lopë në BE arriti në 7.682 kg në vitin 2021 ndërkohë që çmimi i prodhimit të qumështit në BE u rrit ndjeshëm me rreth 7.4% krahasuar me vitin 2020.

Ndër nënproduktet e tjera u prodhuan 2.3 milion ton gjalpë nga 44.4 milion ton qumësht i plotë; 10.4 milion ton djathë nga 61.4 milion ton qumësht i plotë dhe 16.4 milion ton qumësht i skremuar.

Sipas Eurostat, Gjermania prodhon sasinë më të lartë të qumështit, gjalpit, kosit dhe djathit krahasuar me çdo shtet tjetër anëtar.

Për 2021-shin Shqipëria ka prodhuar 114 mijë ton qumësht të papërpunuar.

Sektori i qumështit në Shqipëri, në rrezik të lartë për faliment

Që industria e përpunimit të qumështit është në ditë të vështira, e pohon për Gazetasi.al edhe Donjaldo Hoxha, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit.

Donjaldo Hoxha thotë se kjo vjen nga rënia e numrit të krerëve të bagëtive

“Rritja e kostove të blegtorëve për bazën ushqimore të kafshëve, ka bërë që shumë prej tyre të mos kishin mundësi për të përballuar kostot e shtuara për të mbajtur kafshët e tyre.

Kjo ka sjellë normalisht rënie të numrit të krerëve të kafshëve të mbarështrura për qumësht, e cila është konfirmuar edhe nga vetë statistikat zyrtare të INSTAT.

Si rrjedhojë kjo sjell ulje të sasisë së prodhuar të qumështit, që është në dispozicion të përpunuesve shqiptar.

Së fundmi, duhet të përmendim se çmimi i lartë i shitjes së qumështit nga fermerët, ka sjellë rënie të fuqisë blerëse tek konsumatorët, prandaj duhet të merren masa dhe të ketë ndërhyrje”, thotë Hoxha për Gazetasi.al, duke shtuar se në të kundërt produkti vendas nuk do të jetë i preferuar në raport me produktet e importit nga konsumatori final në raftet e supermarketeve.

Rënia e numrit të krerëve sipas INSTAT

Ndër masat që qeveria duhet të marrë për të ndërhyrë, Hoxha përmend së pari për Gazetasi.al mbështetjen direkte me 10 lekë për litër qumësht të dorëzuar nga blegtorët në pika të licencuara grumbullimi ose përpunimi.

“Gjithashtu heqjen e akcizës së gazit në 6 lekë/litër për industrinë e përpunimit të qumështit. Në të gjithë rajonin industria përpunuese është e përjashtuar nga akciza e gazit dhe i njëjti model duhet të implementohet edhe në vendin tonë.

Luftë kundër informalitetit në sektorin e përpunimit si dhe skema mbështetëse subvencioni për blegtorinë të ngjashme me të rajonit, konkretisht:

1-Mbështetje direkte 10 000 lekë për çdo krerë lopë PA LIMIT të numrit të krerëve.

2- Mbështetje direkte 2 500 lekë për çdo krerë dele/dhi PA LIMIT të numrit të krerëve.

3-Mbështetje direkte 4 500 lekë për krerë lopë PA LIMIT nëse e dërgon në thertore të licencuar.

4-Mbështetje direkte 800 lekë për krerë dele/dhi PA LIMIT nëse e dërgon në thertore të licencuar.

5- Mbështetje direkte 20 000 lekë /ha PA LIMIT për tokë të mbjellë nga fermat dhe blegtorët në funksion të blegtorisë me misër, etj (plus 10 000 lekë nëse përdoret farë e certifikuar)”, vijon Hoxha për Gazetasi.al.

Ai përfundon duke thënë se industria është në rrezik serioz falimentimi dhe është shumë e domosdoshme ndërhyrja e qeverisë për ta nxjerrë atë nga spiralja e krizës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë