Treg

Çmimet e kripura të djathit – Një krizë e paralajmëruar

Nga Gazeta 'Si'- Rënia e prodhimit të qumështit me 5% sipas ministres së bujqësisë Frida Krifca, i vuri në vështirësi baxhot dhe krijoi jo vetëm pengesat për gjetjen e tij por edhe përballi konsumatorët me rritjen e çmimeve.

Pas rritjes me 15% vitin e shkuar, kompanitë e përpunimit të qumështit lajmëruan të gjitha pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur që nga 15 shkurti i këtij viti, furnizimet e reja me djathë do të kishin çmime deri në 37% më të larta.

Pas këtij lajmërimi Autoriteti i Konkurrencës njoftoi monitorim të tregut të bulmetit dhe vendosjes së gjobës deri në 10% të xhiros vjetore.

Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në disa supermarkete në Tiranë, konstatoi se rreth 1 kg djathë i bardhë deleje, shiten rreth 1300 lekë nga 800 që ishte në muajin e parë të vitit.

E njëjta situatë paraqitet edhe me djathin kaçkavall i cili nga 1100 lekë tashmë tregtohet 1400.

Disa nga shitësit thonë për Gazetasi.al se janë hasur me ankesa nga klientët të cilët po heqin dorë nga blerja e tyre.

“Në fillim u shtrenjtua shumë qumështi dhe kosi ndërsa tani djathi. Shumë prej tyre pasi kanë parë çmimet në kasë i kanë kthyer mbrapsht. Nuk po i blejnë më si më parë sidomos të moshuarit”, tha njëra nga kasieret në supermarket.

Më tej, jo pak pa ironi, duke shtuar se edhe ajo vetë e kishte të vështirë të përballonte jetesën tha: “Në këto kushte me të vërtetë që duhet të hamë sapunin për djathë.”

Burime nga kompanitë thonë se kjo rritje është aplikuar për shkak të shtrenjtimit të çmimit të qumështit me rreth 40%.

Sipas tyre, është afërmendsh të ketë krizë dhe nevojë për djathë kur prej kohësh industritë e qumështit kanë bërë thirrje për falimente.

Ata thonë që edhe ajo pak sasi qumësht që marrin nga fermerët është përdorur për t’u bërë kos dhe nuk kanë mundur që të rezervojnë sasitë e nevojshme për djathin i cili gjithashtu do 6 muaj që të stazhonohet.

Ndërsa sipas blegtorëve dhe ekspertëve të bujqësisë  largimi i fermerëve dhe rënia e numrit të krerëve të bagëtive dhe kostot e larta për krerë vitin e fundit janë shkaqet kryesore që kanë dërguar në këtë rritje çmimesh.

Përpara disa kohësh, eksperti i bujqësisë Ervin Resuli shpjegoi për Gazetasi.al se të gjithë kostot për krerë janë rritur deri në 50%.

“Vetëm për të justifikuar koston e ushqimit, një lopë duhet të prodhojë të paktën 28-30 litra qumësht në ditë, por ndërkohë bizneset e fermave përballen me kosto të tjera të fuqisë punëtore, transportit etj. Fermat e vogla kanë fitime edhe më të ulëta nga qumështi me 50-60 lekë”, tha ai.

Sipas Resulit kostot për bagëti janë rritur deri në 50%

Një litër qumësht lope shitet me 75 lekë aktualisht nga fermat e mëdha, ndërsa nga fermerët e vegjël me më pak se 15 krerë jo më shumë se 55 lekë. Ndërsa qumështi i deles në fermat e mëdha shihet me 110 lekë për litër dhe në të voglat jo më shumë se 80 lekë.

Përpara kësaj rritje, kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit dhe bulmetit brenda këtij viti kanë rritur në mënyrë të organizuar me të paktën me 4 herë çmimet në rreth 55 artikuj të qumështit të gjalpit, djathit, kosit etj.

INSTAT raportoi se në muajin dhjetor të vitit 2022, çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të bulmetit ishin rreth 25% më të larta se në dhjetorin e vitit më parë.

Bulmeti mbetet grupi me rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë