Muzike

Muzika greke ndez Tiranën, Glykeria këndoi edhe shqip

“Mirë se erdhët”... përshëndeti në shqip diva e muzikës greke Glykeria publikun e Tiranës sapo u ngjit në skenë, ndërkohë që në sfond ishin tingujt e muzikës greke miksuar me atë shqiptare nën drejtimin e muzikantit elbasanas, Dasho Kurti.

Glykeria, një ndër këngëtaret më të suksesshme në historinë e këngës popullore, u ngjit mbrëmjen e 15 shtatorit në skenën e Amfiteatrit të Liqenit, në një natyrë të paqtë, por që kësaj here gumëzhinte nga adhuruesit e saj që kishin mbushur shkallaret e Amfiteatrit.

Veshur me të bardha, këngëtarja e famshme u rikthye në shqipëri pas 10 vitesh dhe elektrizoi të pranishmit duke përtërirë muzikën që ka në shpirt me zërin e saj melodioz.

Që në nisje të koncertit tingujt e muzikës popullore greke ndezën Amfiteatrin te Kodrat e Liqenit dhe të kujtonin ahengjet e dikurshme ku me detajet e saj më të imëta, ajo solli “aromë” fqinjësie të mirë te publiku kryeqytetas.

Si asnjëherë më parë në një koncert me muzikë greke në kryeqytetin shqiptar, këngëtarja këndoi edhe shqip.

“Moj e bukura More”, një prej këngëve më të popullarizuara, që konsiderohet edhe si simbol i rëndësishëm i arbëreshëve erdhi nga zëri i saj në gjuhën tonë, këngë e cila ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit duke kënduar bashkë me të.

Ajo fali sërish momente emocionuese me këngën popullore “25 gërsheta” ku spikatej zëri i saj unik. Ndërkohë që artisti shqiptar, Dasho Kurti, i cili gjendej në skenë në të djathtë të saj, e shoqëroi këngëtaren teksa ajo këndonte “25 gërsheta t’i numërova pa fjeta”.

Në koncert nuk munguan as elementë të Shqipërisë së Jugut, në violinë, kitarë dhe fizarmonikë dhe publiku u bë njësh me të gjatë gjithë performancës së saj.

Gjatë koncertit ajo solli në kryeqytetin shqiptar edhe këngët e saj më të famshme në greqisht si “Sagapo giati eisai orea”, “Mekri na vroume ourano, “Giftopula sto Hamam, Gonia gonia”.

Zëri unik dhe performanca elektrizuese e bënë këngëtaren të veçantë gjatë gjithë mbrëmjes, por ndjehej edhe dashamirësia e saj për vendin tonë dhe bashkëveprimi me publikun, ku herë pas here mundohej t’i përshëndeste artdashësit edhe në shqip.

Në fund të koncertit, Dasho Kurti, fizarmonicisti shqiptar që i dallohet dukshëm emocioni, ndihet i përmbushur.

“Ishte një emocion i veçantë për mua. Unë ia arrita qëllimit, shpresoj që publiku të jetë kënaqur”, thotë ai për Gazetasi.al.

Ai nuk ngurron të tregojë edhe përshtypjet e këngëtares greke për vendin tonë.

“Ngeli shumë e kënaqur dhe nga Bashkia dhe nga njerëzit. Ishte surprizë e madhe për të gjithë”, vijon ai.

Mbrëmë në Amfiteatrin e Liqenit, Greqia dhe Shqipëria komunikuan me të njëjtën gjuhë, me një gjuhë që e kuptojnë të gjithë, gjuhën e muzikës, gjuhën e të bukurës, gjuhën e dashurisë dhe të këngës...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë