Gazeta Si – Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen “AKSHI”, do të dalë këtë të mërkurë në një gjykatë franceze, e cila do të shqyrtojë kërkesën e drejtësisë shqiptare me qëllim ekstradimin, pasi ndaj tij është lëshuar masa “arrest me burg” nga Prokuroria e Posaçme.
I shpalluri në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit të Ergys Agasit në zhvatjen e miliona eurove nga AKSHI, është arrestuar pasditen e të shtunës në Francë, ku u kap duke pilotuar një avion të vogël mbi termocentralin bërthamor Penly Në Seine-Maritime.
Situata ka alarmuar autoritetet franceze dhe ato evropiane, pasi termocentrali Penly është gjithashtu vendi i ndërtimit të EPR-2 të ardhshëm, një çift reaktorësh bërthamorë të gjeneratës së ardhshme, për të cilët ka një interes në nivel botëror. Ai kishte zbritur nën lartësinë minimale të lejuar në këtë zonë të konsideruar të sigurisë së lartë.
Fluturimi i dyshimitë
Beqiraj teksa fluturonte në një lartësi prej 1200 metrash, papritmas uli lartësinë nën limitin ligjor për vendet e rëndësisë së tillë. Menjëherë forcat ajrore franceze dërguan një avion për të shoqëruar drejt aeroportit Albert dhe sapo zbriti në pistë ai u arrestua menjëherë.
Gjatë arrestimit të tij, iu gjetën tre AirTag të fshehura të cilët janë tre gjurmues të vegjël GPS. Mediat franceze shkruajnë se ky detaj çon hetimin drejt teorisë që piloti mund të ketë vepruar nën presion nga dikush që porositi fluturimin dhe se mund të bëhet fjalë për një rast spiunazhi.
Kur është ndaluar nga Forcat franceze Ajrore, Beqiraj gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se ulja e lartësisë kishte qenë e paqëllimshme, për shkak se në ato momente teksa po drejtonte avionin, ishte duke biseduar me nënën e tij në telefon. Ndaj tij u vendos një gjobë prej 7 mijë eurosh për fluturim të paligjshëm mbi termocentral.
Por, përgjigjet e tij krijuan dyshime të policia e për këtë arsye, pasi u komunikua me palën shqiptare, u vendos arrestimi, për shkak se rezultoi se bëhej fjalë për të shumëkërkuarin Ermal Beqiraj.
Akuzat dhe pasuritë
Beqiraj, 44 vjeç, zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet nga SPAK se ka përfituar tenderë dhjetëra miliona eurove pas kërcenimeve që kishte bërë ndaj një shoqërie të përfshirë gjithashtu në tendera.
Beqiraj e Ergys Agasi dyshohet se morën peng biznesmenin Gerond Meçe për t’i kërkuar këtij të fundit të dorëhiqej nga ankimimet që kishte bërë mbi tenderat e AKSHI-t.
Të dy biznesmenët e shpallur në kërkim dyshohet se vepruan si grup kriminal duke bashkëpunuar me drejtoreshën Mirlinda Karçanaj e cila gjithashtu është e pandehur në këtë dosje.
10 pasuri të biznesmenit dhe disa llogari bankare të tij janë nën sekuestro. Mes tyre ka biznese në Vlorë, Tiranë, Golem, biznese, një jaht luksoz dhe disa automjete. Biznesmeni kishte vendosur jahtin ‘Predator 50 Skyfall’ me vlerë afro 1 milion euro në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”. Mbetet enigmë sesi një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, lëvizte i lirë nëpër shtetet e BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje