Gazeta Si – Pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi garën për Prokuror të Përgjithshëm, i pari që ka shprehur interesin ka qenë Adnan Xholi, prokuror i posaçëm i SPAK-ut.
Xholi kandidoi për kreun e SPAK përballë Klodian Brahos dhe prokurores Doloreza Musabelliu, por nuk arriti të zgjidhej në krye të institucionit të posaçëm. Gjithashtu edhe më herët kishte kandiduar përballë Altin DUmanit.
KLP hapi procedurën për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm përmes një thirrjeje publike, pasi mandati 7-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon në dhjetor të këtij viti.
Afati për dorëzimin e dokumentacionit nga kandidatët është deri më 1 gusht, në orën 00:00. Pas mbylljes së aplikimeve, KLP do të vijojë me verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve sipas procedurave ligjore.
Posti i Prokurorit të Përgjithshëm ka një mandat 7-vjeçar, i cili nuk mund të rinovohet. Në fund, do të jetë Kuvendi ai që do të zgjedhë kryeprokurorin e ri të përgjithshëm.
Kush është Adnan Xholi
Me një karrierë mbi dy dekada në sistemin e drejtësisë, Xholi është një nga emrat më të njohur të prokurorisë shqiptare.
I lindur në Dibër më 6 korrik 1975, ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe është emëruar prokuror në janar të vitit 2004.
Më herët ka shërbyer si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si prokuror në Gjirokastër, përpara se të transferohej në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë.
Gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe disa funksione drejtuese. Ai ka drejtuar përkohësisht Prokurorinë e Lezhës dhe Prokurorinë për Krime të Rënda, ndërsa më pas ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe më vonë Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në korrik të vitit 2021, pas kalimit të procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetting), Xholi iu bashkua Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ushtron detyrën e prokurorit të posaçëm. Në SPAK ai ka hetuar dosje të bujshme të narkotrafikut vrasjeve me pagese dhe krimit të organizuar.
Kjo nuk është hera e parë që Adnan Xholi kandidon për një post drejtues. Në vitin 2022 ai ishte kandidat për drejtimin e SPAK, ndërsa në fund të vitit 2025 garoi sërish për kreun e institucionit, duke paraqitur platformën e tij për forcimin e hetimeve dhe rritjen e efektivitetit të prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje