Drejtësia

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen ‘AKSHI’. Po pilotonte një avion mbi centralin bërthamor!

Gazeta Si – Një nga emrat më të kërkuar nga SPAK për çështjen AKSHI, Ermal Beqiraj, arrestohet në Francë.

Sipas mediave lokale, Beqiri u ndalua pasi fluturoi mbi një central bërthamor në Normandi të Francës në një lartësi më të ulët se kufiri i lejuar.

Profili i tij ka ngjallur dyshime te hetuesit, të cilët nuk e përjashtojnë pistën e spiunazhit. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, 25 korrik, kur avioni i drejtuar nga biznesmeni ka kaluar mbi zonën e mbrojtur dhe ka ulur papritur lartësinë nën kufirin e lejuar për fluturimet mbi objekte të ndjeshme.

Pas sinjalizimit, ushtria ajrore franceze dërgoi një mjet për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në Somme, ku piloti (biznesmeni i shpallur në kërkim) u arrestua nga policia dhe u vendos në paraburgim.

Gjatë kontrollit fizik, autoritetet franceze i gjetën tre pajisje gjurmuese “AirTag”, të cilat përdoren për lokalizim. Ky element ka ngritur dyshime te hetuesit, të cilët po shqyrtojnë mundësinë që ai mund të ketë vepruar nën ndikimin ose urdhrat e një personi tjetër.

Gabimi me lartësinë e fluturimit?

Gjatë marrjes në pyetje, biznesmeni shqiptar ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin e kalimit mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Sipas raportimeve, ai është dënuar në Francë me 7 mijë euro gjobë për fluturim të ndaluar mbi një zonë të mbrojtur dhe më pas i është dorëzuar strukturave kundër krimit të organizuar. Sipas mediave franceze, ai pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Akuzat e SPAK-ut

Ermal Beqiraj, pronari i kompanisë “Soft & Solution”, akuzohet nga SPAK se është përfshirë në korrupsion, abuzim dhe manipulim të tenderave të AKSHI-t.

Ai dyshohet si pjesë ose drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që ka përfituar shuma të mëdha monetare në mënyrë të paligjshme.

Hetimet e SPAK të nisura për çështjen e AKSHI-t, zbuluan edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ermal Beqiraj.

Bëhet fjalë për një jaht të markës Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon gati 1 mln euro.

Sipas SPAK, biznesmeni Beqiri e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”, por prokurorët e posaçëm dyshojnë se jahti është blerë nga biznesmeni Beqiraj.

Në dosjen e SPAK, Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur po ashtu në kërkim.

Gjithashtu atij i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij e subjekteve. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë