Muzike

Flet muzikanti shqiptar që do sjellë Glykerinë në Tiranë: Do këndojë edhe 3 këngë shqip

Ai ka marrë pjesë në shumë orkestra, në shumë koncerte dhe ka bashkëpunuar me artistë të mëdhenj grekë. Dasho Kurti, muzikanti shqiptar dhe fizarmonicisti që punon në Athinë, ka një lidhje të fortë me të dyja vendet dhe tani është bërë "kumbar" për të sjellë në Shqipëri këngëtaren e madhe greke, Glykeria.

Me një bandë prej 14 muzikantësh, drejtuar nga vetë Kurti, ai do të sjellë enkas në Tiranë këngëtaren që është e njohur edhe në arenën muzikore ndërkombëtare, në një koncert Live në skenën e Amfiteatrit të Liqenit. Glykeria është një këngëtare e rrallë dhe me një repertor të pariprodhueshëm, e cilësuar edhe si këngëtarja e preferuar e të madhit Teodorakis, “babai” i muzikës greke, i cili ka kompozuar dhe 70% të këngëve të saj.

“Nuk jam vetëm kompozitori, jam edhe muzikant, unë i bie fizarmonikës. Do të drejtoj bandën bashkë me burrin e saj që është dhe ai muzikant”, thotë muzikanti Dasho Kurti për Gazetën "Si".

Ndonëse ai me këngëtaren greke ka një bashkëpunim të hershëm dhe ka pasur koncerte radhazi, ta sjellë këngëtaren e madhe greke në Tiranë, për kompozitorin shqiptar është një emocion i veçantë.

“Punoj prej shumë vitesh me Glykerinë, pasi po bëj gati 30 vite në Greqi. Për mua ardhja e këngëtares greke në Tiranë, është gjëja më kryesore. Jam shumë i emocionuar, është lajmi më kryesor që po bëj në verë, kemi bërë 30 koncerte deri më tani, ku nuk kemi mbajtur me Glykerinë, por ardhja e saj në Tiranë është tjetër emocion. Edhe për Glykerinë madje, se përveç se një këngëtare e mirë, për Shqipërinë ajo ka një ndjesi totalisht pozitive”, thotë Kurti.

Dëshira e tij për të sjellë këngëtaren në Tiranë ka qenë e mëhershme, pasi thellë në ndërgjegjen e tij ka vetëm një qëllim, të ngrejë ura miqësie mes dy popujve nëpërmjet muzikës.    

Muzikanti shqiptar, Dasho Kurti

“Kam dashur ta sjell Glykerinë që më përpara në Shqipëri që të bëja një koncert të madh me të, tani na u dha rasti, pasi folëm me të Bashkisë së Tiranës. Unë jam ndërmjetësi për të mbyllur koncertin”, thotë Kurti, ndërsa shton se “Glykeria ka qenë edhe më parë në Tiranë, para 12 vitesh, ka bërë një bamirësi për gratë që ishin të dhunuara”.

Ndonëse nuk i pëlqejnë shumë intervistat dhe të thotë detaje sepse siç thotë ai “dua t’i lë surprizë”, Kurti zbulon për Gazetën “Si”, se këngëtarja greke, mbrëmjen e 15 shtatorit do të këndojë 3 këngë në shqip.

“Është e sigurt që do këndojë shqip këngën ‘25 gërshetat’, do këndojë dhe dy këngë të tjera shqip. Kam për të bërë edhe një potpuri me pjesë shqiptare në fizarmonikë, bashkë me muzikantë grekë. Do të kemi edhe elementë të Shqipërisë së Jugut, në violinë, kitarë dhe fizarmonikë”, zbulon ai, ndërsa është i bindur që ky koncert do zbulojë se Glykeria është një këngëtare shumë e madhe popullore dhe i do miksimet e këngëve.  

Këngëtarja greke, Glykeria e solli këngën e famshme të Eli Farës “25 gërsheta”, të përpunuar nga muzikanti shqiptar në kanalin televiziv MEGA në korrik dhe videoja e saj u shpërnda nga shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Greqi.

Kurti thotë se “shqiptarët u kënaqën jashtëzakonisht shumë kur u këndua kënga shqip në Greqi, na u dha rasti më i mirë që këtë ta dëgjojë edhe publiku shqiptar” dhe është i bindur se këngëtarja e madhe do ta ndezë shumë më shumë atmosferën në Tiranë me këngët shqipe.

Duke e pranuar se e adhuron muzikën karakteristike shqiptare, pasi është rritur me të, ai premton se me këtë koncert në Tiranë do të tregojë para grekëve vlerat e muzikës sonë.

“E dua muzikën shqiptare, jam rritur me muzikën e Shqipërisë. Me këtë koncert dua të tregoj se sa vlerë ka muzika jonë”, vijon Kurti - e kam parë nga vetë grekët. U pëlqen muzika shqiptare se kemi shumë gjëra të afërta ndërmjet nesh, gjithashtu edhe shumë ndryshime”.

Por nuk lë pa vlerësuar dhe muzikën greke, pasi rrugëtimi i tij muzikor ka nisur pikërisht me këtë muzikë. “Këtu fillova të punoj për herë të parë, naj e kam qejf muzikën greke. Muzika greke ka qenë një muzikë që e kanë pasur me qejf gjithë zona e Ballkanit”, përfundon ai.

Vite me radhë në orkestrat e këngëtarëve të njohur, si një nga fizarmonicionistët më të mirë, Dasho Kurti së bashku me këngëtaren greke, ka bërë edhe ture internacionale si në Turqi, Izrael, Beograd, Bullgari dhe në Shkup.

Ndaj ardhja e Glykerisë në vendin tonë është një privilegj që nuk duhet humbur!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë