Gazeta Si – Ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme pretendoi se SPAK nuk ka asnjë fakt për të provuar se ajo ka ndërhyrë që kushëriri i saj Adrian Shatku, të ketë marrë lejën për fibrat optike.
Gjyqi ndodhet në fazën e parashtrimeve, ku ish-deputetja lexoi kundërshtitë e saj mbi aktakuzën e SPAK. Ish-kreu i shtetit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, kanë pretenduar se provat janë marrë në mënyrë të paligjshme duke goditur vlefshmërinë e tyre.
SPAK pretendon se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur influencën që kishin për futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit.
Ajo sfidoi prokurorët që të gjenin një mesazh ku ajo të ketë udhëruar Edmond Haxhinaston për marrëveshjen e fibrave optike duke pretenduar se gjithçka ishte bërë në rrugë institucionale. Gjithashtu mohoi që Shatku të ketë paguar shkollën e vajzës së saj.

Monika Kryemadhi: E kam sugjeruar jo për të ushtruar ndikim politik, përkundrazi, i them dërgo kërkesën shkresërisht jo elektronikisht. Kanë kaluar shkresat në disa institucione e ministri. Ma gjeni një mesazh që t’i kem thënë Haxhinastos “bëje se të vrava, bëje se të shkarkoj nga puna apo bëje për kaq përfitim”. Nuk provohet asnjë ndërhyrje nga ana e Monika Kryemadhit për një procedurë që kishte 6 vjet. Madje shikoni komunikimet mes Shatkut dhe Haxhinastos, gjithçka është zyrtare, protokollare, ku askund biznesmeni nuk thotë “bëje se kam folur me Monikën”, zero. Kemi dy faqe në akuzë e lagu, s’e lagu, thua ti kaloi nëndetësja me drogë. Nëse do kishte ekzistuar ndërhyrje korruptive nga ana ime, s’do ishin ndjekur rrugët institucionale. “Alo Mondi, bëje sekret, mos e marrë vesh njeri”, kush do e merrte vesh, por jo, janë lënë gjurmë shkresore. Po të kishte ndërhyrje s’kishte pse ngrinte grup pune. 24 shtator, komunikimet për Borën time, se ç’lidhje ka goca ime në akuzë, hajt më, për ta bërë sa më mediatike. Unë i them “Bora ndërroi mendje”, ishte shumë larg një fëmijë 16 vjeç në Amerikë. Këto biseda nuk lidhen as me Haxhinaston, as me AKEP-in, as me ndikime të paligjshme. Nuk mendoj që është fakt penal, se çdo shpenzim i bërë, s’është e vërtetë që Shatku ka paguar shkollën e vajzës. Siç dërguan letërporositë, mund të merrnin tek shkolla analizën financiare të shpenzimeve të vajzës.
Kryemadhi tha se komunikimi s’mund të përdoret për dy çështje të ndryshme, ndërsa kërkon kohën e saj, pasi “SPAK i ka numëruar qimet e shtëpisë”.
Monika Kryemadhi: Komunikimi përkatës nuk mund të trajtohet si provë universale. Nuk mund të mbështetet një komunikim konkret në dy çështje të ndryshme si provë, pra çështja e kartës, përdorimit të saj, për blerje apo shpenzime private. Është një strukturë komunikimi me tema të ndryshme që duhen veçuar, është si të thuash ne jemi këtu në gjyq, edhe pyesim ore çfarë po bëjnë ato flamingot atje në bulevard. Janë gati 70 faqe që merren me më the të thashë vetëm për fibrat optike. Nëse do kishim ndërhyrë unë e Meta s’do kishte bërë asgjë Haxhinasto, por s’ka ndodhur, sepse janë ngritur 5 grupe pune. Më ka numëruar SPAK qimet e shtëpisë dhe hedhur në media, dua kohën time, nuk mund të ma hiqni mua mundësinë.
Nga ana tjetër, gjyqtari i çështjes, Erion Bani u përgjigj duke thënë se jo çdo lloj komunikimi që Kryemadhi kishte mund të lexohej në seancë.
Erion Bani: Zonja Kryemadhi jeni bërë juriste, ju lutem në mënyrë të përmbledhur. Jo çdo lloj komunikimi mund të lexohet këtu, aty mund të keni 5000 emaile, por mund të lexoni ato mesazhe që janë pjesë e shqyrtimit.
Akuzat ndaj ish-çiftit
Ndërsa, Ilir Meta ka kërkuar sërish përmes avokatit që seancën ta ndjekë jashtë kafazit të xhamtë, por kërkesa e tij u rrëzua nga gjyqtari Erion Bani.
Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.
Prokuroria e Posaçme akuzon ish-çiftin Meta-Kryemadhi për: fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.
Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e “detyrimit për paraqitje”.
Më 13 korrik, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 19 vite burg në total për 3 bashkëpunëtorë të ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, por në përfundim pezullimin e dënimeve dhe konvertimin e tyre në 5 vite shërbim prove.
Bëhet fjalë për nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, Ema Çokun dhe ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje