Nga Gazeta ‘Si’- “C’mon England, c’mon Wonderwall.”
Me këtë mesazh në rrjetet sociale, Liam Gallagher përshëndeti një tjetër fitore të Anglisë në Kupën e Botës, pasi tifozët dhe futbollistët kënduan së bashku këngën ikonike të Oasis pas suksesit ndaj Republikës Demokratike të Kongos në Atlanta.
Kjo skenë është kthyer tashmë në një traditë. Pas çdo fitoreje të Anglisë në Shtetet e Bashkuara, lojtarët afrohen pranë tribunës dhe bashkohen me tifozët në interpretimin e “Wonderwall”, një moment që është bërë viral në rrjetet sociale.
Noel Gallagher, autori i këngës, reagoi pas episodit të parë duke thënë se “Wonderwall i përket njerëzve” dhe e cilësoi atë si një moment magjik mes ekipit dhe tifozëve.
Kapiteni Harry Kane e përshkroi këndimin spontan si një nga momentet e tij më të bukura me fanellën e Anglisë, ndërsa ish-portieri Joe Hart tha se këto çaste u japin futbollistëve mundësinë të lënë për pak minuta mënjanë presionin e të qenit sportistë elitarë.
Pse pikërisht “Wonderwall”?
Edhe pse tifozët anglezë vazhdojnë të këndojnë himne tradicionale si Three Lions, Vindaloo, World in Motion apo Sweet Caroline, këtë verë “Wonderwall” është shndërruar në kolonën zanore të kombëtares.
Kënga, e publikuar në vitin 1995 në albumin (What’s the Story) Morning Glory?, u rikthye edhe në klasifikimet britanike falë popullaritetit të ri që mori gjatë Kupës së Botës.

Sipas autorit dhe studiuesit të muzikës PJ Harrison, suksesi i saj nuk ishte i planifikuar.
“Është kombinimi i jetëgjatësisë së këngës, rikthimit të Oasis në qendër të vëmendjes dhe atmosferës së turneut. Mjaftoi që DJ ta vendoste në momentin e duhur dhe gjithçka ndodhi natyrshëm,” shprehet ai.
Një këngë që bashkon tifozët
Ekspertët e muzikës besojnë se “Wonderwall” funksionon kaq mirë në stadiume sepse teksti i saj është mjaftueshëm i hapur për t’u interpretuar në mënyra të ndryshme. Për disa, “Wonderwall” mund të jetë kombëtarja angleze, për të tjerë një futbollist si Jude Bellingham, ndërsa për dikë tjetër mund të ketë një kuptim krejt personal.

Shkrimtari John Robb e cilëson atë si këngën perfekte për futbollin, pasi ndërthur euforinë me melankolinë.
“Si tifoz futbolli, çdo sekondë mund të fitosh ose të humbasësh. ‘Wonderwall’ i përmbledh të dyja këto ndjesi. Është një këngë që mund ta këndosh me gjithë zemër, por që ruan edhe një dozë nostalgjie,” thotë ai.
Edhe pse nuk u shkrua për futbollin, Noel Gallagher ka pranuar më parë se vitet e kaluara duke ndjekur Manchester City ndikuan në mënyrën si shkruante këngët e tij.
A do ta shoqërojë Anglinë deri në fund?
Me Anglinë ende në garë për Kupën e Botës, tifozët shpresojnë që “Wonderwall” të vazhdojë të dëgjohet pas çdo fitoreje, deri në finalen e madhe në Nju Jork.
Nëse anglezët arrijnë të fitojnë trofeun e parë botëror pas 60 vitesh, “Wonderwall” mund të mbetet përgjithmonë si himni i kësaj fushate historike./ BBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje